KryesoreOpinion/Aktualitet

Të gjithë po ikin, por jo Ramat, Berishat, Metat, Veliajt, Nanot e këta soj zaptuesish

Në një reportazh së fundmi nga media prestigjoze britanike BCC, Shqipëria shfaqet e boshatisur, e sidomos në fshatra. Pavarësisht se konsiderohet vend me potencial të lartë prodhimi, nga aty shkon në formën e eksportit emigrimi dhe ngelet boshi që prodhon vetëm mjerim. Të paeksportueshëm kanë mbetur vetëm të moshuarit, të cilët nuk kanë më fuqinë fizike që të mund të merren me procesin e kujdesit të tokës bujqësore.

Largimi i të rinjëve nga Shqipëria jo gjithmonë vjen me një histori të tipit studime për pak kohë dhe më pas kontribut për vendin. Situata aktuale është largim me vendim të pakthyeshëm, pavarësisht se me çfarë do të merret i larguari, apo se sa e vendos jetën në rrezik. Në fund të fundit, jeta në Shqipëri konsiderohet një “rrezik” më pak intensiv, por gjithsesi më i zgjatur në kohë.

Nga qyteti i Tropojës, një ndër qytetet më të varfëra në Shqipëri, kryeministri Rama bën një tjetër deklaratë ku thotë se shqiptarëve tashmë iu është krijuar mundësia e largimit, kështu që pse mos të bëhet kjo gjë.

“Një gazetare britanike kishte shkruar një artikull ku thoshte se vetëm vendet diktatoriale vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët sot po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj. Atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur se sot e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër.

Turet që bën në Shqipëri KM duket se i shfrytëzon për t’i demoralizuar më shumë qytetarët, pasi ata qëndrojnë aty duke e dëgjuar me orë të tëra se si ai i mbivendoset me një gjuhë ofenduese, arrogante dhe një gjuhë trupi prepotente. Këtë herë shfrytëzoi mundësinë që të merret me një gazetare britanike e cila e ngirti si problem fenomenin e shqiptarëve që largohen masivisht për në Britani për t’u marrë me kultivimin e kanabasit, shitjen e tij dhe ngjashëm. Ideja e saj nuk ishte vetëm te braktisja e vendit të tyre, por fakti që Shqipëria nuk ofron asnjë alternativë sa këta të rinj mos marrin rrugën më të rrezikshme dhe të mbushin burgjet e Britanisë.

Lexo më shumë  Qoku i reagon BDI-së: Jemi lodhur nga këta që shqiptarizmin e kanë punë personale, ndërsa sllavizmin detyrë qeveritare

Kryeministri Rama e mori si ofendim dhe sulm ndaj tij. Për të duhet të jemi të lumtur që shqiptarët kanë mundësinë që nuk e patën gjatë kohës së regjimit komunist dhe ngelet në dorë të njerëzve nëse e kuptojnë konceptin e kombit apo jo.

Udhëheqësi i vendit mendon se kombi është vendi ku njerëzit s’kanë pse ndjejnë domosdoshmërisht përkasi, përfaqësim apo të ndërtojnë jetën. Qartazi, shpesh herë vihen re sjellje të çuditshme në tonet dhe fjalët që, për hir të rolit që mban, nuk duhet të ishin. Të vjen ndër mend të pyesësh edhe nëse kryeministri vepron me mendjen e vet dhe këshilltarët marrin rrogën për të ndenjur, sepse ai është i vetëmjaftueshëm, apo dhe këshilltarët e tij janë po aq të dalë mendsh sa KM.

Qëndrimi dhe jo largimi është sfida e kujdo që vendos të jetojë. Kjo duket sikur e besdis KM Rama, sepse për të tani Shqipëria do jetë vendi ku gjithë sheikët do parkohen për të harxhuar milionat. Porti i ri në Durrës nuk do jetë veç privatizim i mëtejshëm i Shqipërisë, por tashmë turizmi i eskortave elitare do lulëzojë. Përse do i duhen kombasit e tij kur sheikët do të mund të sigurojnë çdo gjë që kryeminisrit dhe rrethit të tij të oligakisë i duhet?

Lexo më shumë  Papunësia afatgjatë më 2023 arriti nivelin më të lartë që nga 2017 në Shqipëri

Të normalizosh ikjen është retorika e re e kësaj qeverie, sigurisht, kur nuk e ke në plan të motivosh ngadalësimin e largimit, deri në bërjen e arratisjes larg atdheut të panevojshme në të ardhmen e afërt. Jemi 31 vjet mbas rënies së regjimit, por shqiptarët trajtohen akoma si kafshë të izoluara, të padalë, pavarësht se janë populli që ka emigruar më shumë në rajon e më gjerë që prej vitit 1991.

Kjo retorikë e dalë boje, kjo bojë e shëmtuar, e ky kombinim ngjyrash pa shije, do të lustrojë vetëm një fakt: Qeveritë e këtij vendi dhe drejtuesit e saj janë fajtorët e eksodit të shqiptarëve, sepse pas rënies së regjimit e deri më sot qytetarët nuk ndjenë se kontributi i tyre i shkon shtetit të tyre, e nuk panë që shteti i tyre të punojë për ta e për zhvillimin e vetvetes. Shteti i tyre u rikap edhe njëherë për gryke. Në 30 vjen “demokraci”, shteti shqiptar ka funksionuar a thua sikur të ishte pushtuar, jo nga një vend tjetër, por nga një klikë, që quhet parti, grup interesi, oligarki, etj, e ku qytetari është aty për tu shfrytëzuar, përbuzur, ofenduar në dinjitet deri ku nuk mban, e ku pastaj duhet të nxirret jashtë vendit të tij si i padobishëm.

Në 30 vjen të gjithë po ikin, por jo Ramat, Berishat, Metat, Veliajt, Nanot e ky soj zaptuesish prej të cilëve dhe prej vjedhjeve të të cilëve mësojmë vetëm se sa e pasur paska qenë Shqipëria në burime, e sa e përparuar do ishte nëse këta përfaqësues të mjerimit të shqiptarëve nuk do i kishin ngrënë fuqinë vitale këtij vendi.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *