KryesoreOpinion/Aktualitet

“Të drejtat tona”: Politika e identitetit kombëtar

Ka ca kohë që, sa herë recitoj me vete Himnin e Flamurit, mendoj veçanërisht për vargun “të drejtat tona ne s’i ndajmë”. Brenda kontekstit të poezisë, me këto fjalë kuptohen të drejta që burojnë nga kombi ose, e thënë më mirë, nënkuptohet e drejta për të qenë një komb i lirë, prej të cilës shqiptarët nuk heqin dorë. Folja “ndaj” përdoret si sinonim i foljes “lëshoj”, sepse ndjesia e vendosmërisë që përftojmë nga shprehja “të drejtat tona ne s’i ndajmë [lëshojmë]” përforcohet nga vargu pasues: “këtu armiqtë s’kanë vend”. 

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Himni i Flamurit

Më 17 janar 2023, në përkujtim të 555-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kryeministri i Shqipërisë shpalli se Himni i Flamurit do të këndohet nga nxënësit e shkollave çdo të hënë, para fillimit të mësimit. Kjo ide u prit me skepticizëm nga shumë veta, që e cilësuan si një orvatje për të mbuluar me nacionalizëm retorik faktet e korrupsionit masiv të qeverisjes së tij. Në rrjetet shoqërore virtuale u shfaqën fotove të disa shqiptarëve në një gomone që, duke kaluar në mënyrë të paligjshme La Manshin, bënin me duar simbolin e shqiponjën dykrenore. Mesazhi që kërkonin të jepnin postuesit dhe përhapësit e këtyre imazheve ishte se simbolika kombëtare nuk mjafton për t’i mbajtur qytetarët në atdhe, por nevojiten politika që u sigurojnë atyre një jetesë të dinjitetshme. Deri tani, pas më shumë se një vit, rituali i këndimit të përjavshëm të himnit nuk duket se zbatohet në shumë shkolla të kryeqytetit, ndoshta edhe prej faktit se oborret e tyre janë ngushtuar për t’i bërë vend pallateve, ndërkohë që numri i nxënësve të tyre është shtuar aq shumë prej dendësisë së banimit përreth, saqë nuk ka hapësirë për t’i mbledhur të gjithë nxënësit për këndimin e himnit. Druaj se në shkolla të qyteteve e fshatrave periferike të Shqipërisë numri i nxënësve tashmë është bërë tepër i vogël për ta bërë ritualin domethënës.

Mbaj mend se rituali i këndimit të Himnit të Flamurit zbatohej të hënave në shkollën e mesme që kam ndjekur, kolegjin “Mehmet Akif” në Tiranë, edhe pse atëherë nuk urdhërohej as nga rregullorja dhe as nga kryeministri i kohës. Pavarësisht se mund ta propozojë një kundërkombëtar dhe pavarësisht arsyeve pse e propozon, nuk shoh pse rituali i këndimit javor të Himnit të Flamurit të mos zbatohet nëpër mjediset e shkollave (oborre, palestra apo klasa). Edukimi kombëtar është pjesë e rëndësishme e programeve shkollore, nxënësit e mësojnë himnin dhe këngë patriotike qysh në klasat fillore, kështu që vendosja e një rituali të përjavshëm kolektiv që përkujton atdheun dhe kombin do të përforconte një tendencë që tashmë ekziston. Rituali do të ishte një përkujtesë e shtuar për brezin e ri që ta shohë veten si pjesë e bashkësie ndërbrezore, njëherazi kulturore e politike. Nuk ka asgjë të papërshtatshme në tekstin apo melodinë e himnit. Përkundrazi, poezia e Asdrenit është e mrekullueshme, gati-gati një sintezë e përpjekjes kombëtare shqiptare të Rilindjes Kombëtare. Në vargjet e saj të gjenden të radhitura koncepte të nevojshme edhe sot për të frymëzuar përfytyrimin e identitetit kombëtar, si “Shqipëri”, “flamur”, “atdhe”, “komb”, “dëshmor”, “të drejtat”, “përbashkim”, “dëshirë”, “qëllim”, “besë”, “betim”, “shpëtim” etj.

Ka ca kohë që, sa herë recitoj me vete Himnin e Flamurit, mendoj veçanërisht për vargun “të drejtat tona ne s’i ndajmë”. Brenda kontekstit të poezisë, me këto fjalë kuptohen të drejta që burojnë nga kombi ose, e thënë më mirë, nënkuptohet e drejta për të qenë një komb i lirë, prej të cilës shqiptarët nuk heqin dorë. Folja “ndaj” përdoret si sinonim i foljes “lëshoj”, sepse ndjesia e vendosmërisë që përftojmë nga shprehja “të drejtat tona ne s’i ndajmë [lëshojmë]” përforcohet nga vargu pasues: “këtu armiqtë s’kanë vend”. Mirëpo, po ta marrim të shkëputur prej strofës, vargun “të drejtat tona ne s’i ndajmë” mund ta lexojmë në kuptimin e parë, d.m.th. ne, si shqiptarë, kemi të drejta të njëjta me njëri-tjetrin, apo qasja jonë e barabartë te disa të drejta buron prej identitetit tonë të përbashkët. E thënë shkurt: ne, shqiptarët, bashkëndajmë të drejtat që na takojnë si komb. Edhe pse ky është një largim nga kuptimi që Asdreni ka dashur t’i japë vargut, gjithsesi jemi brenda frymës së poezisë së tij, sepse, që nga Revolucioni Francez, kombi rëndom përfytyrohet si një vëllazëri e individëve që kanëose synojnë të kenë të njëjtat të drejta.

Kombi dhe të drejtat

Në ditët tona, në shtetet liberal-demokratike, individët gëzojnë të drejta që burojnë nga kushtetuta dhe nga koncepti kozmopolit i të drejtave të njeriut. Emigrantë shqiptarë braktisin atdheun e shtetin ku kanë lindur dhe, duke bërë shqiponjën me duar, rrezikojnë jetën në tentativën për të fituar qytetarinë e një shteti perëndimor. Për nga ky aspekt, shqiptarët e gomoneve në Gjirin e Otrantos apo në atë të La Manshit nuk dallojnë prej afrikanëve që kapërcejnë Mesdheun me anije, duke synuar të arrijnë brigjet e Italisë, por që mund të përfundojnë në kampin që do të ndërtohet në Lezhë, sipas marrëveshjes Meloni-Rama. Varfëria dhe nëpërkëmbja e të drejtave dhe e dinjitetit përbëjnë përditshmërinë e shumë qytetarëve në Shqipëri. Kur flamujt e melankolisë po valojnë kudo, mbi një popull që nuk po arrin të ndërtojë diçka të re, siç e thonë vargjet migjeniane, për çfarë mund të shërbejë ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, përmes ritualeve kolektive, si ai i këndimit të Himnit të Flamurit nëpër shkolla?

Lexo më shumë  Gjykata Ndërkombëtare Penale po shqyrton lëshimin e urdhër-arrestit për Netanyahun

Për të mbështetur përgjigjen se, gjithsesi, ruajtja dhe forcimi i identitetit shqiptar i shërben kërkesave për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave civile, politike e shoqërore, nevojitet, së pari, të shpjegoj se çfarë kuptoj me togfjalëshin “komb shqiptar”. Unë besoj se kombi shqiptar u përfytyrua për herë të parë si një bashkësi politike prej Rilindjes Kombëtare. Sigurisht, që shqiptarët ekzistonin edhe më parë si një njësi etno-gjuhësore, e dallueshme prej grupeve të tjera të mëdha kulturore në Ballkan, mirëpo përpara ardhjes së epokës së nacionalizmit ata nuk kanë qenë të organizuar politikisht në emër të qenies shqiptare, një parim që u jepte atyre të drejta dhe përgjegjësi të ndërsjella. Rilindja përdori veçantinë e gjuhës shqipe (“Gjuhë e Perëndisë”), mitet e zanafillës pellazgo-ilire dhe mitin e epokës së lavdishme skënderbejane për të ngjallur krenarinë e të qenurit shqiptar (“Ti Shqipëri më ep nder, më jep emrin shqipëtar!), në mënyrë që veprimi politik shqiptar të orientohej drejt sigurimit të vijimësisë së jetesës së këtij populli në territorin e tyre dhe drejt zhvillimit të tyre socio-ekonomik. Mjafton të shfletohet traktati i Sami Frashërit, “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, për të kuptuar se pjesa e parë (lavdia e së shkuarës) shërben për t’i turpëruar shqiptarët për mjerimin e së tashmes, i cili përshkruhet në pjesën e dytë, dhe për t’i shtyrë ata drejt krijimit të shtetit zhvillimor, organizimi i të cilit përshkruhet në pjesën e tretë. Sipas Samiut, shqiptarët, po të mos fitonin dije e të bëheshin një komb i qytetëruar, nuk do të mund të rronin në Europë ose do të rronin si të paditur, pa të drejta mbi territorin dhe, rrjedhimisht, pa dinjitet. Ja si paralajmëronte ai: “O vëllezër Shqipëtarë! Të mos na gjenjë [ndodhë] si ata t’egërtit e Avstralis’ e të Afrikësë, që ven’ Europjanët’ e i gënjejnë me ca ruaza e me ca dragole [vogëlsira] të qeltërta e pasqyra të pafillta [prej teneqeje] e u marrinë vendet’ e tyre nga dora”.

Pra, për ta përgjithësuar parashtrimin e deritanishëm, komb do të thotë se një popullatë është e organizuar politikisht për të mbrojtur lirinë, vetëvendosjen, sferën publike, të drejtat dhe detyrimet ligjore të përbashkëta dhe burimet materiale e shpirtërore që i sigurojnë asaj vazhdimësinë historike dhe zhvillimin në vendin e vet. Në shek. XIX-XX, kombi ka shërbyer si mekanizëm i shoqërizimit politik dhe i integrimit shoqëror të individëve gjatë proceseve të modernizimit që shpërbëjnë apo dobësojnë bashkësitë paramoderne. Kombi ka qenë dhe është burim solidariteti ndërklasor, jo vetëm për çlirim nga pushtimi, por edhe për reforma apo revolucione shoqërore.

Në krahun tjetër, nuk duhet harruar se grupime, parti e regjime shoviniste, raciste e imperialiste, në emër të kombit apo racës “eprore”, kanë propaganduar dhe zbatuar programe të shfarosjes dhe të persekutimit të kombeve, pakicave apo racave “inferiore”. Për këto arsye “nacionalizmi” ndonjëherë dënohet in toto si një ideologji e skajshme dhe e rrezikshme, mirëpo në krahun tjetër “atdhedashuria”, “patriotizmi”, e deri te “nacionalizmi civil” përdoren në fjalorin e politikës e të shkencave shoqërore për të emërtuar, cilësuar e matur përkushtimin, dashurinë e solidaritetin “normal” të qytetarëve me kombin e tyre. Në vetvete, beteja e termave tregon për fuqinë emocionale e politike të identitetit kombëtar. Sigurisht që shtrohet dhe argumenti se kombi nuk është më një vektor i rëndësishëm i zhvillimit në epokën e modernitetit global dhe të përparimeve të vrullshme teknologjike. Fundja, është e vërtetë se për inteligjencën artificiale nuk ka aspak rëndësi nëse Mira Murati është lindur në Shqipëri apo në Indi. Mirëpo për sa kohë që njerëzve u intereson ta dinë kombësinë e Ermira “Mira” Muratit dhe për sa kohë që  shqiptarët do të duan të krenohen me arritjet e saj, siç krenohen me sukseset e Ferid Muratit, Dua Lipës etj., çështja është se si potenciali për solidaritet shoqëror i identitetit kombëtar të përdoret për politika emancipuese dhe si të mënjanohet apo kundërshtohet, përdorimi regresiv i tij.

Lexo më shumë  Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Porosia e Fanonit

Sigurisht që solidariteti e mobilizimi prej identitetit kombëtar është më efikas ndaj pushtuesit të huaj sesa ndaj atyre që, veshur me petkun e “çlirimtarit”, përvetësojnë e shfrytëzojnë pasurinë publike, abuzojnë me qeverisjen që u ka besuar populli, korruptohen dhe i kthejnë pasuesit në klientë të pushtetit të tyre. Rëndom, ata përfundojnë si vasalë të shteteve të huaja më të fuqishme, ndonjëherë edhe të ish-pushtuesit, dhe përdorin të njëjta metoda si pushtuesi i dikurshëm për të shtypur popullin dhe për t’ia mohuar të drejtat civile, politike e shoqërore. Franc Fanon [Frantz Fanon], në mesin e përpjekjeve shkolonizuese në Afrikë, shkruante se “nacionalizmi, kjo këngë e madhërishme e cila ngacmonte masat kundër shtypësit [pushtuesit], shpërbëhet pas shpalljes së pavarësisë… Populli zbulon se dukuria e hidhur e shfrytëzimit mund të marrë edhe trajtë të zezë apo trajtë arabe. Ai bërtet ‘Poshtë tradhtari!’, por kjo klithje duhet korrigjuar… populli duhet të mësohet të bërtasë ‘Kapeni hajnin!’” (“Të mallkuarit e botës”, Prishtinë, 1984, f. 131, 184). Porosia e Fanonit është që identiteti kombëtar të përpunohet për të përvetësuar një përmasë shoqërore dhe vetëkritike.

Shprehja “të drejtat tona ne s’i ndajmë”, përveç se na thotë se duhet të synojmë të drejta të barabarta për njëri-tjetrin, na thotë dhe se nuk duhet të bëjmë dallimin midis të drejtave kombëtare, politike, shoqërore e njerëzore. Përpjekja për të drejtën duhet bërë kudo dhe kurdoherë. Padrejtësia nuk mbaron në kufirin shtetëror apo atë kulturor. Mirëpo, nëse të përbuzin apo të përndjekin sepse je shqiptar, ti duhet t’ua kthesh jo duke apeluar në emër të viktimës, “jetës së zhveshur” (Agamben), por duke e kthyer shqiptarinë në burim fuqie e emancipimi kombëtar e shoqëror. Siç thoshte Hannah Arendt, “nëse të sulmojnë sepse je çifut, duhet të mbrohesh si një çifut. Jo si një gjerman, jo si një qytetar i botës dhe as si zotërues i të Drejtave të Njeriut”.

Qëndresa kombëtare e shqiptarëve në ish-Jugosllavi i ka bërë ata më të ndjeshëm ndaj abuzimit me pushtetin në kohën e pavarësisë e të vetëqeverisjes. Në Kosovën e pavarur ka pasur ndërrime më të shpeshta të partive në pushtet, derisa populli vendosi që ta largojë të gjithë klasën e vjetër politike – “rugovistë” e “çlirimtarë” – e të sjellë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje! në aleancë me Partinë Guxo! Edhe në Maqedoninë e Veriut, po duket se dominimit të gjatë të BDI-së po i vjen fundi prej bashkimit të partive opozitare në koalicionin VLEN. Madje, edhe në Preshevë votuesit shqiptarë votuan krahun kombëtar të Shaip Kamberit dhe jo Shqiprim Arifin, i cili më shumë aktivizohej kundër kryeministrit të Kosovës sesa kundër politikës diskriminuese serbe.

Ne, në Republikën e Shqipërisë, kemi jetuar tepër gjatë “të pushtuar” e të nëpërkëmbur prej “tanëve” dhe ndoshta prandaj nuk e po e gjejmë dot mekanizmin e mobilizimit popullor për të rimarrë “të drejtat tona”. Duke mos parë në horizont një zgjidhje ndaj sundimit shkatërrimtar të një kaste politikanësh, që janë të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe me një grusht oligarkësh të pasuruar me anë të tenderave, koncesioneve dhe grabitjes me ligj të pronës publike, ata zgjedhin të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre. Emigrimi dhe ulja e lindshmërisë, edhe ngaqë çiftet e reja nuk përballojnë dot jetesën familjare, po sjell një zbrazje të shpejtë të Shqipërisë nga shqiptarët. Ata që do të rrinë këtu do të mbajnë mbi supet e tyre peshën e madhe të huave të huaja dhe të koncesioneve dhjetëravjeçare të grumbulluara brenda dy-tri dekadave të keqqeverisjes dhe të polarizimit të pasurisë.

Mundësia e një kthese të madhe demokratike ekziston gjithnjë, por unë besoj se ajo nuk do të vijë pa një ndërgjegjësim të gjerë kombëtar e shoqëror për të luftuar për “të drejtat tona”. Tani për tani, paçka thirrjeve të herëpashershme për kombin në rrezik, nuk shoh të piqet ndonjë alternativë kombëtare në sferën politike të Republikës së Shqipërisë. Gjithsesi, përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar. Një përkufizim i politikës që më pëlqen ta përmend është ai i filozofit Alen Badju [Alain Badiou]: “veprim kolektiv i organizuar, në përputhje me disa parime dhe që ka për qëllim të zhvillojë në realitet një mundësi të re të ndrydhur nga gjendja dominuese e gjërave” (“Sarkozy”, Tiranë, 2011, f. 9). Ndjekja e një politike për mbrojtjen dhe fuqizimin e identitetit kombëtar ka qenë gjithnjë një mundësi reale në Shqipëri pas rënies së komunizmit, por ajo është ndrydhur nga gjendja mbizotëruese, prandaj çështja është se si ajo të zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe të pandërprerë. / Revista Shenja

Rruga Press

YouTube player