Lajme

Të burgosurit politikë të Kosovës kujtojnë internimin brutal në “Ishullin e djerrë”

Një libër i ri tregon historitë e dëgjuara rrallë të shqiptarëve të Kosovës, të cilët u mbajtën në kushte të zymta në ishullin kroat të Goli Otokut (Ishulli i djerrë), një kamp burgimi për disidentët politikë në ish-Jugosllavi.

“Kur mbërrita atje, ishte një ditë shumë e ftohtë dhe më çuan menjëherë në izolim në një qeli të errët dhe shumë të ftohtë”, tha Fadil Bajraktari, duke kujtuar ditën e vitit 1984 kur u dërgua në një kamp burgimi në një ishull të izoluar në Kroaci.

Goli Otok (Ishulli i djerrë) është, siç sugjeron emri i tij, një ishull i shkretë dhe i pabanuar në Detin Adriatik, i cili u përdor për të mbajtur aty të burgosurit politikë midis viteve 1949 dhe 1988, kur Kroacia ishte pjesë e Jugosllavisë.

“Pas një muaji izolim, u detyrova të punoja si marangoz. Kushtet e punës ishin shumë të vështira. Kishte shumë borë, akull dhe temperatura të ulëta”, tha Bajraktari.

“Shumica prej nesh nuk kishin batanije. Disa kishin një batanije të një madhësie një metër me një metër. Dritaret nuk kishin xhama dhe qelia ime mbushej me borë. Ushqimi ishte i neveritshëm.”

Bajraktari ka vdekur që atëherë, dhe fjalët e tij janë marrë nga libri i ri i quajtur “Hije të shtrembëruara”, i cili është botuar në anglisht dhe në shqip dhe do të prezantohet të mërkurën në Prishtinë.

Libri, i botuar nga një OJQ me qendër në Prishtinë e quajtur Integra, puna e së cilës fokusohet në paqen, pajtimin dhe të drejtat e njeriut, përmban intervista me Bajraktarin dhe 11 ish të burgosur politikë të tjerë që kaluan vite në kampin famëkeq të burgimit në Goli Otok.

Bajraktari nuk ishte anëtar i ndonjë grupi të organizuar etnik shqiptar që kundërshtonte regjimit komunist jugosllav në Kosovë. Ai u arrestua pasi mori pjesë në një demonstratë në Prishtinë në prill 1981, kur studentët shqiptarë të Kosovës dolën në rrugë për të kërkuar më shumë autonomi brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Lexo më shumë  Terroristë të sulmit në Banjskë, të lirë në Beograd

Pasi u torturua në burgje të ndryshme në Kosovë, Bjaraktari u dërgua në Goli Otok në shkurt të vitit 1984 dhe u fut menjëherë në izolim. Ai u lirua përfundimisht në prill 1987.

“A mund ta duroj këtë torturë apo jo?”


Pjesë e brendshme e ish-kampit të burgimit në Goli Otok. Foto: Flickr/Xandroid.

Narrativa mbizotëruese për Goli Otokun është se ishte një qendër paraburgimi për disidentët politikë që shprehnin ide pro-Stalinit në një kohë kur Jugosllavia po shkëpuste lidhjet me Bashkimin Sovjetik.

Nga viti 1949-1956, ai u përdor si një kamp pune të rëndë për stalinistët e vërtetë dhe të dyshuar dhe nga viti 1956-1989 ishte një burg më pak i ashpër për shkelësit e rinj, kriminelët e rregullt dhe disa të burgosur politikë.

Megjithatë, narrativa dominuese duket se nuk e trajton si duhet historinë e shqiptarëve etnikë që u mbajtën në Goli Otok. Ndonëse u burgosën për shkak të bindjeve të tyre politike, ata nuk ishin përkrahës të Stalinit apo të Bashkimit Sovjetik, por kundërshtonin trajtimin e padrejtë që iu nënshtruan shqiptarëve nën sundimin jugosllav.

Kushtrim Koliqi, kreu i Integra, tha se libri synon të nxjerrë në pah disa nga përvojat e tmerrshme të atyre që kaluan vite të tëra të burgosur në ishull dhe se “konfirmon se të burgosurit politikë shqiptarë janë keqtrajtuar më së shumti”.

“Përveç vuajtjeve dhe historive shqetësuese të njerëzve që përjetuan Goli Otokin, ai është edhe një dokument i së shkuarës. Para së gjithash, është një thirrje që institucionet publike të mos lejojnë që njerëzit të vdesin pa dëshmuar,”, tha Koliqi për BIRN.

Libri ekspozon gjithashtu metodat brutale të përdorura nga regjimi jugosllav pasi ai u prish me Bashkimin Sovjetik dhe zyrtarët jugosllavë druheshin se shteti i tyre ishte nën kërcënimin e “armiqve të brendshëm” stalinistë. Të burgosurit në Goli Otok detyroheshin të bënin punë të rënda, duke thyer gurë ose duke bërë tjegulla.

Lexo më shumë  SPAK në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe UKT/ Sekuestron disa procedura

Pajazit Jashari, një tjetër i burgosur politik, kujton momentin kur filloi të dyshonte nëse mund t’i mbijetonte një trajtimi kaq të ashpër.

“A mund ta duroj këtë torturë apo jo?”, pyeti ai veten. “Atëherë vendosa të vrisja veten, duke i thënë vetes: “Sapo të shkoj në zyrën e hetuesit, do të vras menjëherë veten” thotë Jashari në libër.

Një tjetër ish-i burgosur, Masar Shporta, tregon në libër se disa nga të burgosurit e tjerë ishin gjithashtu bashkëpunëtorë në abuzimet në Goli Otok.

Shporta kujton se ngjarja më e rëndë për të ishte mbërritja në Goli Otok, kur të burgosur të tjerë u rreshtuan për të abuzuar me të ardhurit. “Ishte e tmerrshme”, thotë ai në libër. “Ata na pështynë dhe na urinuan sipër…”

Koliqi shpjegoi se tregimet në libër pasqyrojnë situatën e dëshpëruar që kaluan shqiptarët e Kosovës nën sundimin e presidentit jugosllav Josip Broz Tito, veçanërisht për shkak të politikave të vijës së ashpër të ministrit të brendshëm Aleksander Rankoviç, i cili ishte në detyrë në periudhën pas Luftës II Botërore deri në vitin 1966, dhe i konsideronte shqiptarët si kërcënim për sigurinë.

Gjatë represionit të nisur nga Rankoviç, shumë u vranë, u dëbuan ose u burgosën. “20 vitet e para në Goli Otok ishin më brutalet”, tha Koliqi.

Ai argumentoi se libri tregon se ka pasur abuzime të përhapura të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist jugosllav pas vitit 1945 – një fenomen që Integra synon ta eksplorojë më tej në të ardhmen.

“Vendosëm të merremi me ‘të kaluarën para së shkuarës’, siç e quajmë ne periudhën kohore para viteve 1990. Kishim nevojë për një vend që ishte simbol i këtyre abuzimeve të rënda dhe Goli Otoku ishte një pikënisje”, tha ai.

“Ne synojmë të ekspozojmë abuzimet masive ndaj të burgosurve politikë. Ky libër është vetëm një prolog.”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *