Tarifat e reja gjyqësore për 2021/ Penalizime për shtyrjen e seancave në mënyrë të pajustifikuar
Me fillimin e vitit të ri kalendarik, kanë hyrë në fuqi dhe tarifat e reja të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për seancat gjyqësore, si dhe penalitet për ato rastet, kur vlerësohet se shtyrja e seancave gjyqësore po bëhet në mënyrë të pajustifikuar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar tarifat e reja të cilat do të aplikohen përgjatë vitit 2021, duke përcaktuar penalitetet për zvarritje të gjykimit. Sipas vendimit, NR. 641 të datës 23 dhjetor të vitit 2021, për vonesa të shkaktuara në gjykimet në shkallët e para penaliteti është 5000 lekë, duke u dyfishuar për vonesa në apel deri në 10.000 lekë.
15.000 lekë është penaliteti për vonesat e shkaktuara në gjykatën e lartë duke zvarritur seancat. Në rastet kur Gjykata e Apelit, ka juridiksionin fillestar, tarifa do të jetë e njëjtë me atë që aplikohet për gjykimin në shkallë të parë. Çdo organ publik që kryen funksione administrative, gjykatat dhe prokuroria, përjashtohen nga detyrimi për të paguar tarifë gjyqësore, përveç rasteve kur ligji procedural parashikon ndryshe. Avokatura e Shtetit, përjashtohet si nga pagesa e tarifave dhe nga ajo e shpenzimeve gjyqësore.
Sipas parashikimeve të vendimit, një shërbim gjyqësorë do të kushtoi 150 000 lekë. Tarifa gjyqësore e përgjithshme paguhet në momentin e paraqitjes së padisë, të ankimit, të ankimit të veçantë ose të rekursit në gjykatë, përveçse kur ligji parashikon ndryshe. Kërkesa padi civile, 1 500 lekë. Kërkesë Padisë me objekt marrëdhënie pune kushton 1 000, apo Regjistrimi i kërkesave, depozitimeve etj. të OJF-ve, Partive Politike, Sindikatave, kushton 2 000.
Për divorcet dhe kërkesë paditë sipas kodit të familjes Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar përgjysmimin e tarifës e cila ishte 3000 lekë dhe bëhet 1500 lekë. Për qytetarët që kërkojnë një kopje vendimi tarifa e parashikuar është 600 lekë, kjo pagesë duhet bërë para marrjes së vendimit.