EditorialKryesore

TALLA-GETTON

Shkruan Erald Korra

Më në fund pushimet në Shqipëri.

Vit pas viti fitohet një farë imuniteti ndaj tallavasë aq shqetësuese dhe acaruese dikur. Nëse njëherë kishe përshtypjen se edhe ti vetë ishe dasmor i një dasme që mbaronte ditën e kthimit, tani ke përshtypjen sikur dasma vazhdon edhe kur lë pas aeroportin, tallavaja të duket gjithmonë e më shumë familjare. Kalimi nga ritmet folk të tallavasë në ato tropikale të një tjetër zhanri global shpjegojnë disi ndjesinë e përputhshmërisë. Ritmi në fjalë i depërtueshëm quhet raeggeton.

Shqetësimi i mëparshëm vazhdon, por si emergjencë zbrapset kur mendon që ai i takon tashmë një rendi më të madh, atij botëror. Kështu që, ndihesh gjithmonë i shqetësuar, por edhe më i lehtësuar, pak a shumë siç ndihesh për fatin e mbipopullimit ose ngrohjes globale. “Mal comune mezzo gaudio” (e keqja e përbashkët gjysmë lehtësi) thoshin latinët.

Dhe ja, ku pa dashje jemi dëshmitarë aktivë të një proçesi universalizimi gjysmak, kaq i vështirë historikisht për ne shqiptarët. Pa dashur, jemi të përfshirë si aktorë në një budallepsje të gjerë, pa meritën tonë.

Shpjegimi dëshpërues, edhe pse nga një përllogaritje subjektive pak a shumë përsiatëse, është se ecuria e ritmeve tona tranzitive të degradimit është më të ngadaltë se ajo frenetike të globalizimit.

Nuk i shtuam asgjë muzikës, u bëmë bashkësi fenomenale kur rastësisht ajo na përfshiu. Iu shtuam vetëm ne vetë si sasi, atëherë kur arti muzikor u reduktua në fenomen. Kur diferenca midis muzikës “trash” të tallavasë dasmore vendase dhe e fenomenit trendy të raeggetonit u bë pafundësisht e paperceptueshme. Sepse, ky është në fakt raeggetoni, më shumë një fenomen se sa ritëm apo zhanër.

Për të qenë i suksesshëm ai kanonizohet nga tre elementë që nuk kanë asnjë referim artistik; një ritëm tropikal, një këngëtar që mundësisht nuk di të këndojë, dhe këtë në një gjuhë të padeshifrueshme, dhe një video me prapanicë sa më epshore. Muzika si preteks vetëm sa e vërteton aporinë e raeggetonit. Mix ritmesh latine, caraibiche, mambo hip-hop, reggae, vetë kjo e reduktuar në ritme lokale dhe afrikane, etj…, në fund të fundit pjellin ritmin më të thjeshtë që ekziston në muzikë, 4/4. Një përzierje kaq e panevojshme që pjell një ritëm kaq elementar, sa nuk ka asnjë kuptim artistik përveç atij komercial. Reversibiliteti i raeggetonit, shumë ritme në një ritëm, është nektar për tallavaxhinjtë tanë. Ata e debilizojnë duke reduktuar akoma më shumë diçka elementare në fëminore, sepse injorantë në art sa në jetë, janë gdhë sa i takon kompleksitetit të forcës komunikuese të muzikës.

Shpërfillin faktin që muzika është gjuhë e kodifikuar që shprehet me anë të tingujve si dhe analogjitë e saj direkte me gjuhën e folur. Porsi në letërsi, notat muzikore janë gërmat e alfabetit, incipiti melodik ose ritmik është i ngjashëm me rrokjet, fraza dhe periudha muzikore kanë të njëjtin funksion të fjalisë dhe paragrafit në prozë, kadencat muzikore vlejnë si sintaksa, etj. Prandaj, në kundërti, për këdo që nuk ka asgjë për të thënë, nuk është muzikant, zotëron gjuhën me rrokje në nivel fëminor, nuk di kush është Mozarti, nuk ka lexuar një libër, lë plehrat tek shezlloni ose hedh bishtat e cigareve në rërën e plazhit kur largohet, nuk u flet më fëmijëve të vet në gjuhën amtare, bën tatuazh të fortësh në moshën 45 vjeç, ka makinë lluksoze dhe jeton në shtëpi me qera ose akoma me prindërit, tallet me kë frekuenton Operan, mendon se Teatri është Portokallia, ky është zhanri i duhur për të si performues ose si spektator.

Lexo më shumë  Qoku i reagon BDI-së: Jemi lodhur nga këta që shqiptarizmin e kanë punë personale, ndërsa sllavizmin detyrë qeveritare

Por edhe për ata që nuk kanë të gjitha këto aftësi, mos u dëshpëroni. Ka hapësirë edhe për ata!

Si bukuria, edhe shëmtia nuk ka të sosur. Në pamundësi me shtu diçka, por edhe me imitu, pa i prishur punë Platonit, edhe kjo pamundësi konsiderohet akt artistik në vetvete. Zgjidhja e vetme parashikon akoma më tej reduktim. Sepse çfarë mund të shtojë një analfabet? Çfarë mund të falë dikush që nuk ka… Rezultati është i shënuar, dhe nuk ka të bëjë me profecinë, por vetëm me banalitetin.

Rënia nga fëmijë në majmun vjen natyrshëm ngaqë tallavexhinjtë dinë vetëm të kopjojnë, madje keq. Nëse do të kishin aftësi imitimi, do të kishin pak vetëdije për lëndën. Me kohën mbase diçka do t’u mbetej, mbase diçka do ta shtonin. Por ky nuk është rasti në fjalë. Kopjojnë si foshnjet kur përplasin duart njëkohësisht me ty, ose më konkretisht, si majmuni që kruan kokën mbasi e ke bërë ti.

Nuk ka shpëtim për tallavaxhinjtë, as për kë i dëgjon…

Në banalitet u konceptuan, shëmtia i plazmoi, në degjenerim u damkosën, dhe përsëri aty do rigjenerojnë. Fati tyre është i shënuar. Sidomos në Muzikë.

Urdhëresa e parë e muzikës? Asgjë nuk lind nga asgjëja.

Si kompozitorët ose instrumentistët me vite mbasi u mësohet lënda e muzikës, me vite akoma me anë të ushtrimeve ditore si atletët, dhe me disiplinë dhe përkushtim ushtarak përvetësojnë artin e muzikës duke imituar mjeshtrat e mëdhenj. Ndjekin gjurmët e tyre për të kuptuar si janë shprehur ata, dhe ndërsa zhyten tek arti i tyre, ndërgjegjësohen njëkohësisht me këtë mision pothuaj trashendental. Kuptojnë dhe admirojnë lartësinë e tingujve magjepsës të logosit universal dhe të ndjenjave shpirtërore. Kjo, sepse kanë zgjedhur të huazojnë elementë që janë të gatshëm në natyrë, t’u japin kuptim nëpër seri sipas ndjesisë, të na flasin, të na përlotin, të na hipnotizojnë me meloditë dhe harmonitë e pakoha, të na bëjnë të reflektojmë mbi aktin e krijimit. Këtë shtysë të fundit që nuk do ta kemi kurrë nga tallavaja.

Artistët e vërtetë, kohën e ndërpresin ose e relativizojnë sipas frymëzimit me anë të ritmit, kanë fuqinë mbinatyrore të alternojnë në thelbin e materies raportin bosh-plot, dhe aty-këtu t’i qasen, me anë të edukimit të sublimes. Nuk kanë me çdo kusht nevojë për fjalën. Komunikojnë me intervalet muzikorë midis notave, këto si reduktim i distancës ndërmjet Diellit dhe Saturnit në konceptin matematikor të përpjesëtimit. Dhe kur zgjedhin të flasin, në rast se perënditë janë të shpërqëndruara, atë e bëjnë duke kënduar.

Lexo më shumë  Kush votoi kundër Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Evropës

Rrjedhimisht, nuk quhet muzikë diçka që nuk komunikon asgjë, nuk quhet ritëm një grumbull impulsesh kohorë thjesht se janë të distancuar rregullisht, melodia nuk është një grumbullim fjalësh i përsëritur pafundësisht, fjalët e pakuptimta gjysmë anglisht të paraprira nga fjala baby nuk kanë lidhje me ndonjë stil. Tek e fundit edhe majmunët midis tyre komunikojnë, dhe kanë sensin e ritmit pa u ndjerë artistë. A mos vallë majmuni duhet të ndihet specie inferiore ndaj Sinan Hoxhës që këndon në korr me fansat “alo alo ambulanca”?

Megjithatë, sado dëshpërues ky krahasim, ne jemi akoma në atë rend të gjërave ku, në pozicionin e llojit zotërues, kemi privilegjin e gjykimit. Dhe në këto pozita, nëse do të budallallepseshim edhe më, vetëm shëmtia do ta kishte rrugën të hapur, do të replikohej. Jashtë natyre, shterpë, jashtë kozmosi, pa masë.

Realiteti do na printe në këtë rast me kronikën e Eurovizionit 2022. Larg imitimit artistik që zgjedh më të mirën, shëmtia zgjedh vetveten, ndërkombëtarizohet dhe garon po me veten. Triumf eurovizionar i banalitetit. Në garën e banalitetit gara është e vështirë. Na dhembi sepse u rradhitëm të parafundit. Gjasat ishin premtuese për vendin e parë/të fundit në rradhitje. Kënga kishte gjithë klishetë poshtëruese të artit muzikor; ritmin komercial më të përhapur, domethënë raeggetonin, ishte pa melodi, pa tekst, pa refren, gjysëm shqip, pa këngëtare, dhe mbi të gjitha me të pasmet gjigante të një performueseje që ulërinte në skenë.

Kështu gratis, pa asnjë nevojë, i ripërtërimë botës paditurinë dhe banalitetin në katror. Përkeqësuam akoma më tepër raeggetonin e importuar, të tretur në tallava, dhe të rieksportuar në Tallagetton ose Tallagettonava. Diçka e paparë si shëmti, e vështirë për t’u gjetur si shembull praktik në natyrë paçka brenda kornizës çnjerëzore. Nuk jam i sigurt nëse një orangu tang imiton shimpanzenë, as nëse një qen imiton një lopë, por që Ronela Hajatin ta kopjonte akoma dikush, ose diçka, e sigurtë që ky nuk do të ishte majmuni. Grada e kopjimit dhe poshtërimit është aq poshtë sa zinxhiri do të ndërpritej tek ajo, në llojin e saj.

Majmuni, bretkosa, lulja, edhe pa e patur dhuntinë e vetvetishme të bukurisë, mjaftohen të jenë vetvetja, esencë e përkryer dhe e dëshmueshme e Natyrës në manifestimin e vetëm që u lejohet. Në madhështinë e thjeshtësisë. U mjafton të jenë thjesht vetvetja për të qenë domosdoshmërisht pjesë integrale e një harmonie panteiste ku kufijtë e soditjes janë të padukshëm.

U mjafton të mbrojnë veten për të njësuar natyrën, u mjafton të shpallen për të reklamuar bukurinë, u mjafton të jenë të thjeshtë për të shpëtuar veten nga shëmtia. Për këtë duhet dhe të jenë shembull për përmirësimin e ekzistencës sonë. Më në fund speciet dhe llojet u shkartisën. Aleancat e sipërfaqshme njerëzore dhe jo-njerëzore nuk funksionojnë më kundër shëmtisë. Aleanca e fundit që funksionon është ajo mes njerëzores dhe çnjerëzores.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *