BotaKryesore

Talebanët ndaluan studimet për vajzat, gruaja afgane hap shkollën online

Kur talebanët morën pushtetin në Afganistan, ata udhëzuan vajzat dhe gratë e reja që të qëndronin në shtëpi. Pa asnjë zgjidhje në horizont, një grua afgane vendosi të veprojë.

Shkolla online e Angela Ghayur tani ka afro 1000 nxënës dhe më shumë se 400 mësues vullnetarë. Angela ishte vetëm tetë vjeç kur shpërtheu lufta civile në të gjithë Afganistanin, në vitin 1992. Familja e saj u largua nga shtëpia e tyre në Herat në perëndim të vendit në Iran dhe për pesë vitet në vijim Angela nuk ishte në gjendje të shkonte në shkollë.

“Ishte shumë e zakonshme në atë kohë që fëmijët afganë që kishin ikur në Iran nuk mund të shkonin në shkollë, sepse nuk kishin dokumentet e duhura,” kujton Angela.

Pas pesë vjetësh, babai i Angelës më në fund arriti të siguronte dokumentet e duhura dhe ajo mundi të shkonte në shkollë në Iran. Çdo ditë pas shkollës, Angela kthehej në shtëpi dhe mësonte 14 fëmijë të tjerë afganë, të gjithë të paaftë për të shkuar në shkollë. Babai i Angelës ishte një kopshtar në Iran dhe ajo mblidhte klasën e vogël në kopshtin e tij të mirëmbajtur dhe u mësonte atyre gjithçka që mësonte vetë në shkollë, si lexim, shkrim, matematikë. Vite më vonë, pasi talebanët u rrëzuan nga pushteti, Angela u kthye në Afganistan dhe u kualifikua si mësuese e shkollës së mesme, përpara se të transferohej në Holandë dhe më në fund në MB. Ashtu si shumë anëtarë të diasporës afgane, Angela u ndje e paralizuar duke parë ngjarjet që shpaloseshin në vendin e saj gjatë muajve të fundit. Ndërsa SHBA tërhoqi trupat e saj, pas 20 vitesh lufte, talebanët u kthyen në pushtet. Në atë që duket si një çast, dy dekada përparim në arsimimin e grave u vunë në rrezik. Talebanët pretendojnë se kufizimet e tyre për gratë që punojnë dhe vajzat që studiojnë janë “të përkohshme” dhe janë vetëm në fuqi për të siguruar që të gjitha vendet e punës dhe mjediset mësimore të jenë “të sigurta” për to. Por mendimi që vajzat të privoheshin edhe një herë nga arsimi, siç ishte në pesë vitet e para në Iran, e dëshpëroi Angelan. Pas tre muajsh pa asnjë indikacion nga talebanët se kufizimet do të lehtësoheshin, ajo u ndje e detyruar të vepronte.

Lexo më shumë  Mbi 1700 serbë aplikuan për patentë shoferë “RKS”, vetëm sot aplikuan 114 sosh

Kështu Angela themeloi Shkollën Online Herat, një burim arsimor për gratë dhe vajzat afgane. Ajo postoi në Instagram duke kërkuar ndihmë nga çdo mësues me përvojë dhe që nga postimi i parë gati 400 vullnetarë i janë bashkuar programit. Nëpërmjet Telegramit ose Skype-it, ata ofrojnë më shumë se 170 klasa të ndryshme në internet në gjithçka, nga matematika te muzika, te gatimi te piktura. Shumica e mësuesve janë nga Irani dhe punojnë nga dy deri në tetë orë në ditë. Së bashku vullnetarët mbështesin rreth 1000 studentë. Njëra prej tyre është Nasrin, një 13-vjeçare që jeton në Kabul me katër motrat e saj. Që kur talebanët morën pushtetin dhe ndaluan shkollën për vajzat mbi shtatë vjeç, të gjitha motrat humbën shkollën ose universitetin. Vajzat kanë bërë të pamundurën për të vazhduar studimet në shtëpi, por ka qenë veçanërisht e vështirë për dy motrat e saj më të mëdha, të cilat ishin në universitet duke studiuar mjekësi dhe inxhinieri.

Lexo më shumë  Kryeministri britanik zgjedh kabinetin qeveritar – këta janë shefat e rinj të diplomacisë dhe mbrojtjes

“Të gjitha ëndrrat e mia janë shkatërruar. Edhe nëse shkollat rihapen, nuk do të jetë njësoj,” tha Nasrin në një intervistë. “Doja të bëhesha pilote, tani kjo nuk do të ndodhë kurrë pasi talebanët nuk do t’i linin kurrë vajzat të ishin pilote.”

Por vajzat tani kanë një rreze shprese, me shkolën online të Angelas. Nasrin tani po studion turqisht me një nga mësuesit vullnetarë. Ajo do të donte të jetonte në Stamboll një ditë. Mësimet e kanë lejuar atë të ëndërrojë përsëri. Javët e fundit ka pasur disa lajme pozitive për femrat në veri të vendit, ku vajzat janë rikthyer në shkollat e mesme në pesë nga 34 provincat e vendit. Vajzat janë lejuar të studiojnë në shkollat private, por në ato shtetërore nuk lejohen ende. Sipas vlerësimeve të OKB-së, 70% e të gjithë mësuesve të kualifikuar në Kabul janë gra. Pra, edhe për djemtë dhe të rinjtë, shkollimi i të cilëve vazhdon, ka të ngjarë të ketë një mungesë të konsiderueshme të personelit mësimor për t’i mbështetur ata. Shumë kohë përpara ringjalljes së talebanëve si forcë politike, Afganistani tashmë po luftonte me mungesën e rrënjosur të aksesit në arsim. Sipas Ministrisë së Arsimit në vitin 2019, më shumë se një e treta e të rinjve mbi 15 vjeç ishin analfabetë. Me shumicën e madhe të vajzave të mbërthyera në shtëpi, kjo statistikë fatkeqe ka të ngjarë të rritet.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *