Lajme

Takimi në Athinë, liderët e Ballkanit: Mbështetje Ukrainës dhe përkrahje rajonit

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me popullin ukrainas në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Ata u mblodhën të hënën mbrëma në një darkë joformale në Athinë, të organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Selanik.

Liderët theksuan se Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike për BE-në dhe se anëtarësimi i vendeve të tij në bllok do t’i kontribuonte stabilitetit dhe prosperitetit jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës në tërësi, shkruan REL.

Sipas tyre, integrimi më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE kërkon mbështetje të fortë politike si asnjëherë më parë.

Lexo më shumë  Droni ukrainas hedhë në erë anijen ruse në Krime, pamje nga aksioni

“Duke vlerësuar vlerat e BE-së të bazuara në demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në të ardhmen evropiane. Siç thuhet në Deklaratën e Selanikut të dy dekadave më parë: ‘Evropa do të jetë vërtet e bashkuar vetëm kur të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë përbërëse e saj”, thuhet në njoftim dhe shtohet se në fund të darkës joformale, liderët ranë dakord për një deklaratë të përbashkët.

Lexo më shumë  Siguria në Evropë – Gërvalla së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe drejtorin e AKI-së, pjesë e konferencës “Defence 24 Days”

Në darkën joformale në Athinë morën pjesë: presidentët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Të pranishëm ishin edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së nga rajoni – Andrej Pllenkoviç i Kroacisë, Ion-Marcel Ciolacu i Rumanisë dhe Nikolai Denkov i Bullgarisë, si dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentja moldave, Maia Sandu.

Rruga Press

YouTube player