Sveçla takon drejtorin rajonal të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, flasin për progresin e Kosovës në menaxhimin e migracionit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim, Arthur Erken, që është drejtor rajonal i Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, me seli në Vjenë.
Në këtë takim, siç bëhet e ditur nga ministria, Sveçla i njoftoi të pranishmit për progresin që ka arritur Kosova, sa i përket menaxhimit të migracionit, si dhe përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të Autoritetit Qeveritar për Migracionin, për lëvizjet migratore, migrimin e qëndrueshëm dhe të ligjshëm sipas të gjitha konventave ndërkombëtare.
“Me këtë rast, ministri Sveçla theksoi se edhe Republika e Kosovës, si shumë vende të tjera është duke u ballafaquar me lëvizjen e migratëve, megjithatë ai theksoi se institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për forcimin e rrugëve të rregullta të migrimit, për të trajtuar edhe nevojat e tregut të punës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, mysafiri nga IOM-i thuhet të ketë vlerësuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës në përpjekjet për të menaxhuar me migrimin.
“Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lartë bashkëpunimin e ndërsjellë, si dhe u ritheksuan nevojat për shtim të bashkëpunimit, në paralajmërimin e hershëm të trendëve të migratëve, me qëllim që të jenë të përgatitur dhe të marrin masat e duhura dhe të nevojshme”, njofton Ministria e Brendshme.
Rruga Press