Lajme

Sveçla: Njëri nga të vrarët, truproja e Vulinit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se njëri nga tre sulmuesit e armatosur serbë, të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truproje e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandar Vulin.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka thënë se Serbia si shtet është këmbë e krye e përfshirë në këtë sulm ndaj Kosovës.

Lexo më shumë  Kearns-Vuçiqit: Mohimi, vazhdimësi e krimeve – çka nisi me vrasje po vazhdon me falsifikim të historisë

“Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, thuhet në shkrimin e tij.

Ai ka deklaruar se faktet janë dëshmi se synimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar nga koha e Millosheviqit.

“Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë. Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar asnjë civil”, ka përfunduar Sveçla.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Tashmë janë publikuar pamje që tregojnë se si grupi i armatosur ka lëvizur në Manastirin e Banjskës. Ministri Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet edhe zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

YouTube player