Sveçla: Në afat rekord do të ngrihen kapacitetet për prodhim municioni
Krahas fabrikës së municionit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar edhe projekte në industrinë e armatimit. Ai ka theksuar se fabrika për të cilën është lidhur marrëveshja një ditë më parë do të funksionalizohet në afat rekord
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar të martën veprime të shpejta në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të Kosovës për prodhimin e municioneve të nevojshme për ushtrinë dhe policinë.
Në një deklarim për media, Sveçla ka thënë se me përfundimin e funksionalizimit të fabrikës së municionit do të tejkalohen mangësitë e deritashme.
“Republika e Kosovës do t’i ndërrojë kapacitetet për të prodhuar municionet e nevojshme për ushtrinë, por edhe për Policinë e Kosovës. Besoj se duke parë kontratën shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe në afatin rekord brenda kërkesave teknike kjo do të realizohet. Vullneti ynë është që kjo të bëhet sa më parë. Ka gatishmëri edhe nga pala tjetër që të fillojnë menjëherë dhe të ketë angazhim serioz që kjo të kryhet me sukses. Me përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur dhe ka qenë evidente do të tejkalohet, qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale, qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme, po ashtu edhe në trajnimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucionet që përdorin këtë lloj të municionit”, ka thënë ai.
Të hënën kryeministri Albin Kurti ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, për funksionalizimin e fabrikës së municionit në Kosovë.
Sipas kontratës, të cituar nga Qeveria, krahas makinerisë prodhuese për municion, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë e kalibrim.
Ministri gjithashtu ka theksuar se ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë. Ai ka theksuar se autoritetet janë në bisedime dhe negociata me partnerë të ndryshëm, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik të Kosovës.
“Ne po shohim për zhvillimin e gjithë industrisë të mbrojtjes dhe sigurisë, kemi kontakte dhe biseda e negocime me të gjithë. Patjetër që SHBA-ja është aleati ynë kryesor strategjik dhe kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me ta. Do të bisedojmë me të gjithë ata parterë të cilët i plotësojnë nevojat tona, por edhe janë si vazhdimësi e bashkëpunimit të pakursyer, të pandalshëm mes nesh. Do të ketë, dhe jam i bindur, rezultate të tjera të cilat do të shfaqen shumë shpejt dhe do të kemi lajme të mira ende”, ka thënë Sveçla
Këto deklarata, ministri i Brendshëm i bëri pasi mori pjesë në publikimin e raportit për angazhimin e Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, i publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
Rruga Press