Sveçla: Incidentet në veri vepër terroriste. Disa janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës të dorëhequr së fundmi
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet i cilësojnë si sulme terroriste incidentet e shënuara një ditë më parë në veri të Kosovës.
Ai tha se Policia ka vlerësuar se ato përbëjnë “sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje e veprave terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje dhe posedim i armëve”.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Sveçla tha se në bazë të dhënave të para të mbledhura nga terreni, “qoftë nga policia, qoftë nga inteligjenca, një pjesë e këtyre kriminelëve” kishin qenë në të kaluarën pjesë e Policisë së Kosovës.
“Sipas informatave që kemi, disa prej tyre janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, por disa janë nga zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla.
Pjesëtarët e komunitetit serbë, që ishin pjesë e Policisë së Kosovës, u tërhoqën nga institucionet në veri në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me rirregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Më 6 dhjetor, autoritetet thanë se zyrtarët komunalë zgjedhorë u ndaluan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë Veri dhe Zubin Potok. Ata ishin nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Policia tha se grupe dhe persona të maskuar, duke përdorur “mjete të rrezikshme dhe granata dore, përfshirë të prodhimit jugosllav”, dëmtuan zyrat e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, por nuk raportuan për të plagosur.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë dënuar incidentet dhe kanë thënë se pas tyre qëndrojnë “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës: Mitrovicë Veri, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Këto komuna, të banuara me shumicë serbe, janë pa kryetarë që nga nëntori, pasi ata u dorëhoqën, në kundërshtim të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Zgjedhjet në këto komuna janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Por, KQZ-ja ka kërkuar që të ketë siguri për zyrtarët e saj, ndërkaq Shtetet e Bashkuara vlerësuan se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Presidenca e Kosovës tha se do të marrë vendim për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve, pasi të ketë pranuar vlerësimet nga organet e sigurisë dhe kërkesë nga KQZ-ja.
Rruga Press