Sveçla: Finalizohet me sukses operacioni kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, i cili ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë.
Në një postim në Facebook, Sveçla bëri të ditur se operacioni është zhvilluar pas një hetimi disamujore, të bazuar në të dhëna të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera relevante.
“Sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private,” ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, në këtë rast dyshohet se janë përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., ekspertin e gjykatës Sh.T., një zyrtar në Departamentin e Shpronësimeve, një zyrtar të ATK-së G.L., si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F.I.
Ministri theksoi se të dyshuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike,” ka shtuar ai.
Sveçla ka theksuar se epoka e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. “Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar,” ka deklaruar ministri.
Në fund, ai ka përgëzuar institucionet për, siç tha, “këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit”, duke shtuar se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete në ndërtimin e një shteti ligjor dhe të paprekshëm nga krimi i organizuar.
Rruga Press

