Lajme

Sveçla del kundër gjykatave e prokurorisë për Krivaqën, i akuzon për keqpërdorime

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dalë publikisht kundër Prokurorisë së shtetit dhe gjykatave në vend, pasi Gjykata Themelore e Ferizajt mohoi një deklaratë të tij se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj nuk ka pasur akuza për 136 vepra penale, por për nëntë.

Dardan Krivaqa dyshohet se ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj Marigona Osmanit deri në vdekjen e saj. Bashkë me Arbër Sejdiun të dielën ata çuan në spitalin e Ferizajt trupin e pajetë të viktimës. Krivaqa fillimisht ishte arratisur deri kur u kap të martën. Për rastin që tronditi vendin, ministri Sveçla ishte shprehur i habitur se përse “një kriminel me 136 vepra është lënë të endet i lirë”. Të enjten, Gjykata Themelore e Ferizajt në një njoftim për media ka thënë se Krivaqa i ka dhjetë lëndë gjithsej, e prej tyre nëntë janë të përfunduara.

Lexo më shumë  Osmani: Liria e shtypit thelbësore për demokracinë – beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente  

Si kundërpërgjigje, Sveçla ka akuzuar prokurorinë dhe gjykatat për keqpërdorime në punën e tyre.

“Pushtetet në Kosovë i kemi të ndara, por krimin duhet ta luftojmë së bashku, kështu e kërkon ligji. Praktika e fshehjes prapa veprave kriminale, e parashkrimi me qëllim i lëndëve kriminale ‘për miqtë’ dhe ‘të fortët’, si dhe hedhja e fajit tek tjetri duhet të marrë fund”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Duke insistuar se Krivaqa në dosjen e Policisë është i akuzuar për më shumë vepra penale, Sveçla ka akuzuar prokurorët e gjykatësit se ata e kanë shpërblyer Krivaqën me dënim me kusht.

“Në dosjen zyrtare të Policisë së Kosovës, krimineli Dardan Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale, ku përveç vrasjes makabre, ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor…lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata? Apo, ata dinë që këtë kriminel recidivist ta akuzojnë dhe shpërblejnë me dënim me kusht – punë në dobi të komunitetit! Në anën tjetër, mijëra lëndë të pazgjidhura qëndrojnë me vite të tëra nëpër prokurori e gjykata si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë për t’i trajtuar ato dhe për të vendosur drejtësinë për qindra e mijëra qytetarë anë e mbanë Kosovës”, ka vazhduar ai.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti udhëton për në Gjermani, do të marrë pjesë në konferencën e PES

Në fund Sveçla ka thënë se “në qoftë se prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qasje në databazën e Policisë së Kosovës, ua dërgoj unë listën!”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *