KryesoreLajme

Sveçla: Arsenali i ri i armëve qartëson planin e Serbisë për aneksimin e veriut

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kapja e arsenalit të ri të armëve në veri, të shtunën gjatë ditës, ka qartësuar planin e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes agresionit terrorist.

Policia e Kosovës gjatë ditës ka konfirmuar se ka gjetur armë, mjete eksploduese dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë bastisjeve të kryera të shtunën në veri, lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për medit se bastisjet janë kryer në shtatë lokacione të ndryshme në veri.

E ministri Sveçla ka thënë se armët e kapura sot janë prodhime të njëjta me ato të sekuestruara më herët.

“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë. Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë. Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist. Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 24 shtator, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni tre sulmues u vranë. Është kapur edhe arsenal i madh armësh. Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. Gjykata ia ndaloi daljen nga Serbia dhe e obligoi të paraqitet në stacionin kompetent policor dy herë në muaj.

Lexo më shumë  Nga të dhënat te mbrojtja, ndikimi izraelit hyn në sektorët strategjikë të Shqipërisë

Rruga Press

YouTube player