KryesoreLajme

Sulmohet nga mediat e Veliajt/ SafeJournalists: Ndaloni fushatën e shpifjeve kundër gazetares Ola Xama

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për fushatën e vazhdueshme dhe të përshkallezuar të shpifjeve kundër Ola Xama, një gazetare investigative në Shqipëri.

Pavarësisht thirrjeve të mëparshme për solidaritet dhe ndërprerje të ngacmimeve, zhvillimet e fundit zbulojnë një përshkallëzim të natyrës së sulmeve me të cilat ajo përballet.

Pas publikimit të artikullit të saj për kontratën e partneritetit publik-privat për një incenerator mbetjesh në Tiranë, në korrik 2023 në Reporter.al, zonja Xama i është nënshtruar një sërë veprimesh shpifëse. Vargu i kohëve të fundit i artikujve në platforma si e përditshmja DITA dhe Prapaskena.com, të cilët kanë përdorur sulme personale, ekspozimin e adresës së saj private dhe sulmet ndaj anëtarëve të familjes së saj, janë jo vetëm të dënueshme, por edhe një përpjekje flagrante për ta frikësuar dhe për ta heshtur.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Këto sulme janë veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh kohën e tyre pas vendimit të zonjës Xama për të kërkuar mbeshtetje ligjore kundër artikujve shpifës. Sulmet ndaj zonjës Xama jo vetëm që rrezikojnë sigurinë e saj personale dhe integritetin profesional, por gjithashtu shërbejnë për të frikësuar dhe heshtur gratë e tjera në gazetari, duke penguar më tej barazinë gjinore në industrinë e medias.

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për tendencën shqetësuese të mediave që angazhohen në fushata që dëmtojnë reputacionin e kolegëve gazetarë, siç shihet në rastin e Ola Xama. Kjo sjellje dëmton pozitën e individëve brenda komunitetit gazetaresk dhe gërryen ndjeshëm besimin e publikut ndaj medias në përgjithësi.

Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet me Ola Xama, duke mbështetur të drejtën e saj për të raportuar lirisht dhe pa frikë. U bëjmë thirrje mediave të përfshira që të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre të pabaza dhe dëmtuese ndaj znj. Xama dhe t’u përmbahen standardeve më të larta të integritetit dhe etikës gazetareske. Ne inkurajojmë të gjitha palët e interesuara të bashkohen me ne në mbrojtjen e të drejtave të grave gazetare dhe promovimin e një peizazhi mediatik ku ato mund të punojnë pa frikë nga ngacmimi apo diskriminimi.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Ne do të vijojm ta monitorojmë nga afër këtë situatë, duke mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve. Ne i kujtojmë të gjithë palëve të interesuara se një shtyp i gjallë dhe i lirë është thelbësor për demokracinë, duke shërbyer si një roje për shoqërinë dhe një zë kritik për t’i mbajtur ata në pushtet përgjegjës.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

YouTube player