Bota

Sulmet ukrainase kanë ulur me 20 për qind kapacitetin rus për eksportin e karburantit

Sulmet e fundit me dronë të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike ruse kanë shkaktuar një rënie të ndjeshme të kapacitetit eksportues të karburantit, duke rritur presionin mbi sektorin e naftës dhe tregjet globale të energjisë.

Sipas një raportimi të Reuters, që citon tre burime nga industria, këto sulme kanë ulur kapacitetin e eksportit të karburantit të Rusisë me rreth 20%.

Megjithëse kjo shifër është më e ulët krahasuar me rënien prej afro 40% të raportuar më 25 mars, dëmet e shkaktuara në rafineri, depo dhe porte kanë sjellë mbingarkesë të objekteve të mbetura funksionale.

Burimet bëjnë të ditur se depot e magazinimit po mbushen me shpejtësi, duke detyruar disa fusha nafte të reduktojnë prodhimin.

Lexo më shumë  Ukraina dhe Siria lidhin aleancë ushtarake

Situata është përkeqësuar edhe nga kufizimet në transportin e naftës, pasi kompania shtetërore e naftësjellësve Transneft, e cila menaxhon rreth 80% të eksporteve, ka paralajmëruar se nuk mund të përballojë volumin e plotë të dërgesave drejt portit baltik të Ust-Lugës.

Ky port, një nga nyjet kryesore të eksportit të Rusisë, pësoi dëme të mëdha nga një sulm me dron javën e kaluar. Ndërkohë, edhe dy objekte të tjera të rëndësishme në rajonin baltik, në Primorsk dhe Kirishi, janë detyruar të reduktojnë operacionet pas sulmeve të ngjashme.

Ekspertët paralajmërojnë se një rënie e mëtejshme e prodhimit të naftës nga Rusia – eksportuesi i dytë më i madh në botë – mund të përkeqësojë situatën në tregjet globale të energjisë, të cilat tashmë janë të tensionuara për shkak të ndërprerjeve të furnizimit të lidhura me konfliktet në Lindjen e Mesme.

Lexo më shumë  Britania rrëzon 'disa dronë iranianë' gjatë natës

Për më tepër, ndikimi pritet të ndjehet edhe në buxhetin federal rus.

Sistemi i taksimit të naftës në Rusi bazohet në prodhimin në burim dhe jo në volumin e eksportit, çka do të thotë se ulja e prodhimit do të përkthehet drejtpërdrejt në të ardhura më të ulëta për shtetin, në një kohë kur ekonomia tashmë po përballet me presionin e sanksioneve ndërkombëtare dhe shpenzimeve të larta ushtarake.

YouTube player