Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike, ukrainasit bëjnë plane mbijetese
Ukraina po përballet me sfida të mëdha dimërore teksa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike po shtohen, duke e kufizuar prodhimin e rrymës në më pak se gjysmën e kapacitetit para luftës.
Banorët në rajonet lindore dhe veriore të vendit po përgatiten për ndërprerje të mundshme të ngrohjes dhe rrymës.
Në Kiev, zhurma e gjeneratorëve është bërë e zakonshme, por shumë familje e kanë të vështirë t’i përballojnë masat emergjente për shkak të kostove në rritje dhe burimeve të kufizuara si pasojë e luftës.
Në secilin prej tre dimrave të fundit, Maria Morozova, bashkëshorti i saj dhe vajza e tyre, janë përgatitur për kushte të vështira në Ukrainën lindore, të krijuara nga lufta e Rusisë ndaj fqinjit të saj. Por, këtë vit, ata po përgatiten për më të keqen.
Fushata e Moskës që synon infrastrukturën energjetike – veçanërisht prodhimin e energjisë elektrike dhe një rrjet elektrik që po përballet me vështirësi të mëdha për t’i furnizuar me energji miliona ukrainas – ka nxjerrë jashtë funksionit shumicën e furnizuesve të energjisë së vendit.
Ministria e Energjisë e Ukrainës tha në tetor se kapaciteti prodhues ishte rreth 17.6 gigavat, që është më pak se gjysma e 38 gigavatëve që kishte para shpërthimit të luftës në shkurt të vitit 2022.
Dhe, një dimër i ftohtë, i cili pritet këtë vit, mund të bëjë që kërkesat për konsum të rriten në rreth 18 gigavat.
Rruga Press

