Sulmet e ushtrisë ruse në Evropë
Nga aktet e sabotimit, te helmimet dhe vrasjet, lista e keqbërjeve dhe viktimave që i atribuohen regjimit të Presidentit rus është e gjatë, ndërsa provat rezultojnë shpesh jopërfundimtare. Por pas shumicës së skenarëve, raportohet roli i njësisë famëkeqe 29155 të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU.
Fshati i vogël çek i Vrbetice, i vendosur thellë në zemrën të Moravisë rurale, do të kishte mbetur anonim për opinion publik botëror, ashtu siç kishte qenë thuajse i panjohur edhe për vetë qytetarët çekë, nëse më 16 tetor 2014, një shpërthim i fuqishëm nuk do të kishte tronditur gjithë zonën, duke shkaktuar evakuimin e popullsisë prej rreth 300 banorësh.
Shpërthimi kishte ndodhur në Depon Nr. 16, të një kompleksi ushtarak magazinimi që ndodhej në provincën e largët të Republikës Çeke. Detonimi i rreth 50 tonë municionesh vrau dy punëtorë dhe krijoi një valë të tillë goditëse sa mbetjet e depos, bashkë me shumë municione të pashpërthyera u përhapën në një rreze deri në 800 metra. Një zonë shumë e gjerë u rrethua, ndërsa forcat xheniere dhe njësitë mbështetëse filluan pastrimin, i cili zgjati rreth dy javë.
Hetimet mbi shkakun e shpërthimit vijonin dhe jeta në fshat iu rikthye qetësisë. Krishtlindjet po afronin, kur më 3 dhjetor të të njëjtit vit, një shpërthim i dytë edhe më i madh se i pari, ktheu gjithçka përmbys. Një tjetër njësi magazinimi, e njohur si Depo Nr. 12, u shpërbë mes energjisë së shkaktuar nga ndezja e 100 tonëve municion. Incidenti i dytë ndodhi në një largësi prej 1.2 kilometrash nga epiqendra e të parit. Mbi 400 persona, u evakuuan nga zonat përreth, por kësaj here nuk u raportuan viktima.
Një sërë variantesh mbi arsyet e shpërthimeve qarkulluan në opinionin publik, por autoritetet ende nuk kishin ndonjë përgjigje apo pistë të qartë hetimore. Një përfaqësues i Imex Group, kompania private që i kishte marrë me qira magazinat nga ushtria çeke, tha se nuk kishte gjasa që depot të shpërthenin vetë. Andrej Babis, në atë kohë Ministër Financash, fajësoi kompaninë, duke thënë se një depo tjetër municionesh nën administrimin e saj kishte shpërthyer disa vite më parë.
Një raport nga Ministria e Brendshme në fund të 2014-s, përmendi “ruajtjen e papërshtatshme” të municioneve në depot në fjalë, ndërsa theksoi se hetimet po vazhdonin. Megjithatë, varianti i një aksidenti nuk tingëlloi i besueshëm për median dhe ekspertë të ndryshëm të sigurisë, të cilët vunë në dukje se kishte shumë pak gjasa që dy depo nën administrimin e së njëjtës kompani, të vendosura pranë njëra-tjetrës, të shpërthenin brenda harkut të tre muajve.
Incident, sabotim apo terrorizëm?
Vitet kaluan, një variant zyrtar i çka kishte ndodhur nuk u publikua kurrë, dhe ngjarja thuajse ishte harruar. Por gjithçka u kthye në vëmendjen e publikut, kur në prill të vitit 2021, Andrej Babis, tashmë Kryeministër, iu referua përfundimeve të kundërzbulimit çek, kur deklaroi gjatë një konference për shtyp se ekzistonin dyshime të bazuara se pas shpërthimit qëndronte shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse (GRU), specifikisht Njësia 29155.
“Bellingcat Investigation Team”, një rrjet i shquar gazetarësh investigues, raportoi për herë të parë për veprimtarinë e Njësisë 29155 në Bullgari, kur në prill 2015, një prodhues dhe tregtues armësh nga Bullgaria, Emilian Gebrev, ra në koma pasi u helmua nga një substancë e panjohur. Njëkohësisht, u helmuan edhe i biri i sipërmarrësit, si dhe menaxheri i fabrikës së armëve EMCO, në pronësinë e Gebrev. U raportua se ishte pikërisht njësia elitë 29115, e specializuar në sabotim, e cila qëndronte pas këtyre sulmeve.
Dhe si lidhen helmimet në Bullgari me shpërthimet në Çeki? Sipas Bellingcat, municioni i ruajtur në depot e administruara nga Imex Group, ishin destinuar për t’iu shitur Ukrainës, trupat e së cilës po luftonin rebelët e mbështetur nga Kremlini në Dombas. Mënyra sesi armët do të shkonin atje ishte përmes Gebrev, i cili u helmua pak muaj pas shpërthimit të dytë në Çekinë rurale.
Ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek, tha se municionet ishin planifikuar të shpërthenin pasi të kishin kaluar në Bullgari. Por me gjasa, shpërthimi i pari ndodhi për shkak të një keqfunksionimi të kohëmatësit, ndërsa shpërthimi i dytë ndodhi sepse bomba ishte vendosur në një ngarkesë municionesh, e cila nuk ishte parashikuar të shitej jashtë vendit.
Gjithashtu, pati raportime nga mediat vendase se një pjesë e municioneve në depot çeke, mund t’u dërgohej opozitës siriane. Në çdo, rast qoftë në Ukrainë apo në Siri, të paktën një pjesë e armatimeve ishin paracaktuar për t’iu dorëzuar grupeve të armatosura me të cilat Kremlini ishte në luftë.
Kompania bullgare e armëve, EMCO, pranoi më vonë se i kishte shitur armatime Ukrainës në fund të vitit 2014. Burime të tjera pranë kompanisë, pranuan për mediat se shitjet kishin ndodhur edhe gjatë vitit 2015, duke luajtur një rol vendimtar në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës.
Menjëherë pas bërjes me përgjegjësi të Kremlinit në prill të vitit 2021, Çekia dëboi 18 diplomatë nga Ambasada e Rusisë në Pragë duke pretenduar se ata ishin operativë të shërbimeve sekrete ruse. Kremlini mohoi çfarëdo përgjegjësie në ngjarje, dhe në hakmarrje ndaj Pragës, dëboi 20 anëtarë të Ambasadës Çeke në Moskë. Në këtë mënyrë, marrëdhëniet e Çekisë me Kremlinin u gremisën në pikën më të ulët historike që nga viti 1989, i cili shënoi kapitullimin e sundimit sovjetik mbi Europën Lindore.
Nga Europa Lindore në Mbretërinë e Bashkuar
Deri në vitin 2018, Salisburi karakterizohej si një qytet i qetë anglez prej 40 000 banorësh, dhe ndoshta i vetmi fakt për t’u shënuar mbi këtë lokalitet, është Katedralja e Ritualit të Vjetër, e ndërtuar në fillim të viteve 1200. Ky është i njëjti monument, që sipas dy rusëve të prezantuar si Aleksander Petrov and Ruslan Boshirov dhe të vetëdeklaruar si instruktorëve fitnesi, i kishte shtyrë ata që të vizitonin Salisburin. Vizita e tyre kishte përkuar me të njëjtin vend dhe kohë kur Sergei dhe Julia Skripal, babë e bijë, u helmuan me agjentin Noviçok.
Sipas një investigimi të rrjetit britanik BBC, Sergei Skipral, ish-agjent i shërbimeve sekrete ushtarake ruse, po bashkëpunonte me shërbimet e inteligjencës çeke për të ekspozuar agjentë të GRU-së që operonin në atë vend. Gjithashtu, sipas burimeve të besueshme të BBC-së, Skripal kishte mbajtur një takim të nivelit të lartë në Pragë, ku kishte rënë dakord të punonte me qeverinë çeke dhe atë spanjolle, për të hartuar analiza mbi lidhjet ndërmjet mafies ruse dhe lidhjeve të saj me shërbimet sekrete të Kremlinit.
Sipas BBC-së, kjo rrethanë heq një paralele me rastin e ish-spiunit rus, Alexander Litvinenko, i cili po punonte me MI6 dhe inteligjencën spanjolle mbi krimin e organizuar rus dhe lidhjet e tij me Moskën. Por ai u vra në vitin 2006, i helmuar me agjentin radioaktiv polonium, para se të siguronte provat për prokurorët spanjollë. Ashtu si Skripal, Litvienko kishte siguruar strehim në Mbretërinë e Bashkuar, ku gjeti edhe vdekjen.
Dy “instruktorët e fitnesit”, për të cilët më pas u raportua se ishin operativë të Njësisë 29155 të GRU-së, nuk arritën t’i vrisnin Skripalët. Megjithatë, viktima të helmit ranë edhe një polic vendas dhe një çift qytetarësh anglezë, ku gruaja humbi jetën. Emrat e vërtetë të dy agjentëve rusë, të publikuar më vonë nga qeveria britanike, janë Alexander Mishkin dhe Anatoli Chepiga.
Bashkë me emrat, në mediat botërore qarkulluan edhe dokumentet identifikuese me gjeneralitetet e dy operativëve. Dy agjentët u shfaqën edhe në një intervistë për televizionin rus Russia Today (RT), ku ata deklaroheshin si qytetarë të thjeshtë rusë.
Ishin pikërisht emrat e Mishkin dhe Chepiga që dolën sërish në skenë, tre vjet më vonë, kur ata u akuzuan nga qeveria çeke, si të përfshirë shpërthimet e vitit 2014. Sipas qeverisë çeke, bazuar gjerësisht në hulumtimet e Bellingcat dhe burime të tjera mbështetëse, dy agjentët kishin vizituar Pragën, duke fluturuar nga Moska, nga data 13 deri më 16 tetor 2014. (Shpërthimi i parë në depon e municioneve në Vrbetice, ndodhi më 16 tetor 2014.)
Njësia 29115 mbërrin në Ballkan
Ekzistojnë një sërë operacionesh të tjera, përfshi sabotim, vrasje dhe destabilizim, në vendet europiane, për të cilat përgjegjësia i vendoset Njësisë 29155 të shërbimeve sekrete të ushtrisë ruse. Sipas grupit investigativ Bellingcat, i cili ka arritur të ekspozojë publikisht disa agjentë të GRU-së, kjo njësi famëkeqe është përgjegjëse edhe për orvatje të destabilizimit të Moldavisë në vitin 2014, operacione mbikëqyrjeje në Zvicër, si dhe operacione të mundshme për destabilzimin e situatës në Spanjë, gjatë referendumit për pavarësinë e Katalonjës.
Megjithatë, një nga operacionet e dështuara të 29155-ës ndodhi shumë pranë Shqipërisë, kur në vitin 2016, u raportua për tentativë grushti shteti ndaj qeverisë së Milo Gjukanoviç në Malin e Zi. Sipas zyrës së prokurorit special të këtij vendi, grushti ishte përgatitur për datën 16 tetor të të njëjtit vit, e cila ishte dita e zgjedhjeve parlamentare. Autoritetet malazeze pretenduan se planet e strukturave shtetërore ruse përfshinin sulm të armatosur mbi parlamentin e vendit dhe vrasjen e Kryeministrit Gjukanoviç.
Në maj të vitit 2019, Gjykata e Lartë e Malit të Zi gjeti dënoi për planifikim të sulmeve terroriste dhe minim të rendit kushtetues, 13 persona, duke dënuar në mungesë edhe dy agjentë të dyshuar të Njësisë 29155 të GRU-së, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov. Ndër të dënuarit e tjerë, ishin edhe dy udhëheqës të opozitë proserbe në vend. Por, të gjitha dënimet u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2021, e cila citoi një sërë shkeljesh.
Ndërsa vendimi për fajësi dhe dënimet ishin marrë në një kohë kur vendin e udhëhiqte Partia Demokratike e Socialistëve, me lider historik Gjukanoviçin, rrëzimi në apel ndodhi kur qeverinë e kishte koalicioni i udhëhequr nga parti nacionaliste serbe dhe parti më të vogla shqiptare. Kritikët mendojnë se secila palë mund të ketë ushtruar presionin përkatës mbi gjyqësorin malazez.
Një dinamikë e rëndësishme në këtë zhvillim ka të bëjë me faktin se në prill të 2017-s, pas zgjedhjeve të suksesshme të një viti më parë, parlamenti i Malit të Zi votoi 46 me 0 në favor të anëtarësimit të vendit në NATO. Opozita pro-serbe bojkoti seancën dhe u bashkua me ndjekësit e tyre jashtë kuvendit, duke djegur flamujt e Aleancës.
Qeveria properëndimore e Gjukanoviçit kishte shprehur me kohë aspiratat e saj për t’iu bashkuar NATO-s, çka kishte helmuar marrëdhëniet me Rusinë. Më 14 korrik të vitit 2016, Ministria e Jashtme e Federatës Ruse kishte shkruar në Twitter, se “autoritetet aktuale të Malit të Zi do të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e qëndrimeve të tyre antiruse”. Në vitin 2019, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se një ekip i NATO-s, i specializuar kundër luftës hibride, ishte vendosur në Malin e Zi.
Përtallje dhe panik në Beograd
Kur autoritetet malazeze njoftuan fillimisht për tentativën e një grushti shteti, Aleksandër Vuçiç, atëherë Kryeministër i Serbisë, mbajti një qëndrim mosbesues dhe sfidues ndaj pretendimeve të Malit të Zi. Ai deklaroi mes ironisë dhe batutave se po priste të shihte provat mbi këtë ngjarje. Mes të arrestuarve për grushtin e dyshuar të 16 tetorit, kishte edhe qytetarë serbë, të cilët kishin luftuar në krah të separatistëve të përkrahur nga Moska në lindje të Ukrainës.
Megjithatë, Kryeministri i Serbisë ndryshoi humor dhe qëndrim, dhe më 24 tetor 2016 deklaroi se autoritetet serbe kishin arrestuar disa persona në lidhje me ngjarjet në Malin e Zi. Ai theksoi se të arrestuarit nuk kishin të bënin me politikanët e asnjërit prej dy shteteve, por kishin lidhje me një vend të tretë. “Kemi kapur uniforma, para dhe gjëra të tjera, dhe kemi informuar Prokurorinë Speciale në Malin e Zi për çka dimë”, tha Vuçiç.
Dy ditë më vonë, më 26 tetor, Nikolai Patrushev, Shefi i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, u shfaq në Beograd për të takuar ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç. “Propozoj një rijetësim të punës mbi një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe Ministrisë së Brendshme Serbe”, u citua Patrushev nga media serbe.
Nuk pati shpjegime sesi shkoi biseda mes palëve, dhe nëse u arrit mirëkuptim mbi memorandumin e mirëkuptimit. Por, më 26 tetor, tri ditë më vonë nga vizita e Patrushevit, disa armë u gjetën të fshehura mes shkurreve pranë një kryqëzimi që të dërgonte te rezidenca e Kryeministrit serb. Mes tyre, kishte një raketahedhës krahu, granata dore, një pushkë snajper dhe një sasi fishekësh.
Kryeministri Vuçiç tha të nesërmen e zbulimit, se armët gjendeshin aty rastësisht, duke qenë se në atë zonë ndodhej skaji i një pylli. Megjithatë, në muajin nëntor, Serbia dëboi disa shtetas rusë, duke thënë se dyshohej të kishin pasur rol në ngjarjet në Malin e Zi.
Prej aty, marrëdhëniet serbo-ruse morën një kthesë pozitive, kur më 13 dhjetor, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vizitoi Beogradin dhe takoi homologun e tij Ivica Daçiç. Daçiç njoftoi me entuziazëm arritjen e një marrëveshjeje për blerje armësh nga Rusia. Gjithashtu, Daçiç, akuzoi Kroacinë, anëtare e NATO-s, se po ndërtonte arsenal ushtarak për të sulmuar Serbinë.
Më 21 dhjetor 2016, kryeministri Vuçic fluturoi në Moskë për të takuar Ministrin e Brendshëm rus, Sergei Shoigu. Ata ranë dakord që Serbia të blinte gjashtë avionë gjuajtës Mig-29 dhe një sasi armatimesh të tjera.
Tre muaj më vonë, më 27 mars 2017, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, shtrënguan duart në Moskë. “Jemi të sigurt që zgjedhjet do të mbahen sipas standardeve më të larta. I urojmë qeverisë aktuale sukses”, tha Putini në fillim të takimit. Zgjedhjet në Serbi u mbajtën më 2 prill, vetëm pak ditë pas vizitës në Moskë. Vuçiçi fitoi përsëri.
Armiq të vjetër në luftë të re
Serbia nuk ka folur më për ndonjë aspiratë drejt NATO-s, ndërsa Mali i Zi iu bashkua Aleancës vetëm në vitin 2017. Megjithatë, në dhjetor 2021, Rusia kërkoi nga NATO që organizata të tërhiqte trupat dhe armatimet nga vendet që i ishin bashkuar asaj pas majit të vitit 1997. (Për referencë, Shqipëria u bë vend anëtar në vitin 2008.)
Natyra publike e propozimit rus bëri që diplomatë dhe analistë të spekulojnë që traktatet e reja nuk ishin serioze dhe ishin hedhur në tavolinë për t’u refuzuar, duke shërbyer thjesht si mjete të betejës diplomatike. Por zv.ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, tha se propozimet ishin serioze. “Qëndrimi ynë është që duhet t’i heqim të gjitha këto dhe të kthehemi në pozicionet e 1997-s. Boll më!”, tha Riabkov.
Traktatet ruse u hodhën poshtë, por ekspertët e gjeopolitikës theksuan se këto kërkesa zbulonin natyrën e vërtetë të konfliktit rus, i cili nuk ishte i drejtuar ndaj Ukrainës, por ndaj Perëndimit. Putini kërkon të ringrejë perandorinë Ruse duke kërkuar rikthimin e kufijve të Luftës së Ftohtë – ishte interpretimi mbizotërues i komunitetit të ekspertëve.
Nga ana tjetër, sulmet e realizuara apo tentativat për sulme të shërbimit sekret të ushtrisë ruse në vende europiane, brenda apo jashtë BE-së, janë një kujtim shqetësues mbi metodat dhe gatishmërinë e Putinit për t’u përballur me Perëndimin.
Rruga Press