Bota

Sulm izraelit ndaj spitalit Nasser në Gaza, 6 viktima dhe mbi 20 të plagosur

Izraeli, i cili ka intensifikuar sulmet në Rripin e Gazës, pretendon se Hamasi po përpiqet të riorganizohet dhe të rindërtojë arsenalin e tij ushtarak. Nga ana tjetër, Hamasi deklaron se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit të arritur një vit më parë dhe akuzon Izraelin se po përpiqet të minojë marrëveshjen.

Një sulm ajror izraelit ndaj një ndërtese në spitalin Nasser, në jug të Rripit të Gazës, ka shkaktuar vdekjen e të paktën gjashtë personave, përfshirë një kirurg, si dhe plagosjen e 20 të tjerëve, në orët e para të së enjtes. Më vonë, ushtria izraelite deklaroi se kishte shënjestruar një drejtues të lartë të Hamasit dhe anëtarë të tjerë të krahut të armatosur të organizatës, të cilët, sipas saj, po vepronin brenda spitalit në Khan Younis.

Lexo më shumë  Ukraina i kërkon ShBA-së të përshpejtojë dërgimin e raketave për mbrojtjen ajrore

Në një deklaratë, ushtria izraelite akuzoi Hamasin se përdor kompleksin spitalor si qendër komandimi për operacionet ushtarake, përfshirë magazinimin e armëve, funksionimin e dhomave të komandimit dhe kontrollit, si dhe përdorimin e ambienteve të spitalit si pika vëzhgimi dhe strehimore për luftëtarët Mahmoud Basal, zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, deklaroi se sulmi ajror izraelit goditi repartin e kirurgjisë së spitalit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Mjekët e identifikuan kirurgun e vrarë si Rezik Abushira. Brenda spitalit pati dëme të mëdha, dhoma të rrënuara dhe kabllo elektrike të varura nga tavanet e dëmtuara. Njerëzit transportonin pacientët e plagosur me barela nëpër korridoret e mbuluara me mbeturina, ndërsa të tjerë ndihmonin të plagosurit të ecnin mes rrënojave. Trupa të pajetë u nxorën nga ndërtesa, ndërsa zjarrfikësit punonin jashtë saj.

Lexo më shumë  Merz kërcënon të bllokojë buxhetin e BE-së nëse nuk rritet ndihma financiare për Ukrainën

Një zëdhënës i Hamasit e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një “krim të mirëfilltë lufte”. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 1.600 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në territor që prej arritjes së marrëveshjes së armëpushimit. Ndërsa Izraeli deklaron se gjatë kësaj periudhe janë vrarë katër ushtarë të tij. Autoritetet shëndetësore të Gazës bëjnë të ditur se numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor 2023 ka kaluar 74.000. Izraeli nisi ofensivën e tij pas sulmit të ndërmarrë nga luftëtarët e Hamasit në jug të Izraelit, në të cilin, sipas autoriteteve izraelite, u vranë rreth 1.200 persona.

Rruga Press

YouTube player