Studentët serbë duan ta rishkruajnë historinë – me manipulime
Nuk mund të kërkosh transparencë të plotë për tragjedinë e Novi Sadit (me 16 të vdekur) dhe – në të njëjtën kohë – të heshtësh për viktimat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe Aleksandër Vuçiqit në vitet 1990-të. Kjo është hipokrizi!
Shkruan Enver Robelli
Në 26-vjetorin e sulmeve të NATO-s “elita” kishtare edhe politike serbe u tubua në Batajnicë afër Beogradit. Jo për të kujtuar viktimat shqiptare, rreth 1000 njerëz të pafajshëm, civilë, të vrarë gjatë fushatës së terrorit të Beogradit në Kosovë dhe të sjellë me kamionë e mjete të tjera transporti në Batajnicë, pak para se të hynin trupat e NATO-s në Kosovë.
Foli Patriarku Porfirije. Ai tha se agresioni i NATO-s ndikoi që “t’i kthehemi vetes”, Jezu Krishtit etj. Asnjë fjalë kritike për krimet e llahtarshme të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe Aleksandar Vuçiqit në vitet 1990-të në Kosovë, Bosnjë, Kroaci. Folën edhe disa politikanë serbë. Nuk thanë asgjë të re, përsëritën deklaratat e viteve të fundit, sipas të cilave “Serbia ishte viktimë e sulmeve të NATO-s, të paprovokuara fare”.
Po me rastin e 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s studentët serbë kërkuan transparencë të plotë për shembjen e kulmit të stacionit të trenit në Novi Sad (deri më tani nga kjo tragjedi kanë vdekur 16 njerëz të pafajshëm). Kjo është kërkesë e drejtë e tyre. Të njëjtit studentë, ndërkaq, i heshtën faktet e dokumentuara shumë herë nga viti 1999 mbi arsyen e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër Serbisë. Nuk i përmendën fare viktimat e terrorit masiv të Serbisë në Kosovë. Nuk e përmendën shtypjen e shqiptarëve të Kosovës. Nuk e përmendën heqjen arbitrare të autonomisë së Kosovë. Duket se këta njerëz, sa i përket Kosovës, jetojnë në një botë paralele.
Sulmet e NATO-s nuk filluan papritmas. NATO filloi planet për ndërhyrje eventuale që në verën e vitit 1998, pasi në prill të po atij viti kishte folur për mundësinë e një ndërhyrjeje përballë fushatës së Beogradit për spastrimin etnik të Kosovës nga shumica shqiptare. Ekzistojnë tri rezoluta të OKB-së nga viti 1998 – rezolutat 1160, 1199 dhe 1203 – të cilat flasin për nevojën e “parandalimit të një katastrofe humanitare”. Rezoluta 1160 konstatoi një “rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon”. Duhet përsëritur: ndërhyrja nuk erdhi papritmas!
Madje edhe sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan, kishte dhënë pëlqimin për ndërhyrje. Në Serbi, por edhe në qarqet e ekstremit të majtë dhe të djathtë në Perëndim ndërhyrja hidhet poshtë për arsye të ndryshme dhe me argumente aspak të bindshme. Thuhet se ndërhyrja ndodhi pa pëlqim të Këshillit të Sigurimit. Fakt është se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ishte i bllokuar nga vetoja e Rusisë dhe Kinës. Prej 5 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, shumica, pra 3 vende anëtare, ishin për ndërhyrje (SHBA-të, Franca dhe Britania e Madhe). Meqë instanca për legalizim të përdorimit të forcës ishte e bllokuar nga vetoja ruse e kineze, shtetet perëndimore vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht për të mbrojtur një popull kundër represionit shtetëror serb. Kjo u bë edhe duke pasur parasysh dështimin e Perëndimit për të shmangur gjenocidin e forcave serbe ndaj popullsisë në Srebrenicë, një enklavë që ishte paraparë të mbrohej nga helmetkaltrit e OKB-së.
Në deklaratën e tij në ditën kur filloi ndërhyrja e NATO-s, kancelari gjerman Gerhard Schröder argumentoi kështu: “Më shumë se 250 mijë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre ose u dëbuan me dhunë. Vetëm në javët e fundit, edhe 80 mijë njerëz u munduan të iknin nga ferri që ekzistonte atje. […] Do të ishte cinike dhe tërësisht e papërgjegjshme të mos reagonim ndaj kësaj katastrofe humanitare”.
Serbia zyrtare edhe sot i referohet sovranitetit të shtetit. Domethënë: askush nuk paskësh të drejtë të ndërhyjë pa marrë parasysh se çfarë bën një shtet me një popullsi “brenda kufijve të tij”.
Debati mbi kufijtë e sovranitetit ka filluar qëmoti. Për shembull që në vitin 1978 Ministri i Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher konstatoi se “në rastet e shkeljeve sistematike dhe të rënda të të drejtave të njeriut, thirrja në sovranitetin shtetëror dhe ndalimi i ndërhyrjes nuk është më i lejueshëm”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Boutros Boutros Ghali, konstatoi në vitet 1990-të se sovraniteti i një shteti nuk nënkupton “të drejtën për vrasje masive apo dëbim sistematik të popullsisë civile në emër të shuarjes së trazirave”; parimi i mosndërhyrjes nuk duhet “të konsiderohet si një mburojë” prapa të cilës “të drejtat e njeriut mund të shkelen masivisht dhe sistematikisht pa ndëshkim”. Sipas tij “koha e sovranitetit absolut dhe ekskluziv ka përfunduar”.
Meqë ishin studentët e Fakultetit Juridik në Beograd ata që më 24 mars morën bajrakun për të manipuluar historinë, ata, për hir të ardhmërisë së tyre, do të bënin mirë të lexonin pak literaturë serioze shkencore për të kuptuar se ekzistojnë argumente të fuqishme juridike për intervenimin e NATO-s. Ka mjaft shkencëtarë nga bota anglosaksone dhe nga bota gjermanishtfolëse që kanë shkruar artikuj bindës për këtë tematikë. Refuzimi për të parë të vërtetën, është garanci e tmerrshme për përsëritjen e gabimeve të së kaluarës. Nga gabimet rruga deri te krimet masive nuk është e gjatë. Siç e kemi parë mes viteve 1987 (ardhja e Millosheviqit në pushtet) dhe 1999 (tërheqja e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova).
Rruga Press