Bota

Studentë nga Kosova me bursa britanike i reagojnë BBC-së për hartën ku Kosova s’është shtet

Asociacioni Chevening i Kosovës, e përbërë nga studentët me bursa të financuara nga Britania, u janë drejtuar me një letër udhëheqësve të transmetuesit publik britanik BBC, lidhur me një raportim për luftën në Ukrainë, ku në një hartë të publikuar nga ky medium është paraqitur me vijë të ndërprerë kufiri midis Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën e dërguar nga Veton Kasapolli, anëtar i Bordit të këtij asociacioni për drejtorin ekzekutiv të BBC-së, David Jordan dhe zëvendësdrejtorin për politikat dhe standardet editoriale, Ric Bailey, shprehet zhgënjimi për përfaqësimin e Kosovës nga BBC-ja, si “territor i diskutueshëm”.

“Përfaqësimi aktual i Kosovës në hartën e publikuar nga ju nuk është as informativ e as edukativ, sepse dezinformon, mashtron dhe nuk është i paanshëm, pasi përfaqëson një vend nga këndvështrimi i armiqve të tij. Ky lëshim nga ana juaj është vetëm në favor të presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në letër.

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

Më tej, u është rikujtuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se ky proces është vërtetuar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si akti i shpalljes së pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Kosova ushtron të gjitha funksionet e një shteti të pavarur dhe si e tillë njihet nga mbi 115 vende me të cilat ka marrëdhënie dypalëshe, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Serbia dhe Rusia janë ato që e konsiderojnë Kosovën ‘territor të kontestueshëm’”, thuhet në pikat e vendosura si qartësim për redaksinë britanike.

Në letër, më tej thuhet se BBC-ja ka vendosur ta përcaktojë Kosovën përmes këndvështrimit të Federatës Ruse dhe Republikës së Serbisë.

“Përcaktimi i një vendi evropian si një ‘territor i diskutueshëm’ nuk është në interesin publik të popullit britanik, kur Qeveria e MB-së e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ky qëndrim i BBC-së është kundër popullit të Kosovës. Për më tepër, kjo i shërben presidentit Putin të përpiqet për të përhapur konfliktin edhe në Ballkan dhe më gjerë në Evropë”.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Bordi Redaktues të këtij transmetuesi i është kërkuar që urgjentisht ta rregullojë këtë gabim dhe t’i kërkojë falje popullit britanik dhe kosovar për lëshimin e së martës.

Për dallim nga të gjithë kufijtë mes shteteve që paraqiten me vijë të plotë, në publikimin e BBC-së të martën, te rasti i Kosovës në kufirin me Serbinë shihet vija e ndërprerë, që zakonisht përdoret për vija administrative, jo kufitare.

“Ku shkoi gjysma e refugjatëve nga Ukraina?”, ka qenë pyetja mbi hartën në të cilën BBC-ja ka treguar territoret ku kanë shkuar ukrainasit, që ikën nga vendi i tyre si pasojë e agresionit rus.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *