Lajme

Stano: BE-ja dënon presionin ndaj policëve serbë të Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjet e nëntë serbëve të Kosovës, të saporekrutuar nga Policia e Kosovës.

Në një përgjigje për Kohën, ai ka thënë se përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërben.

“Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjet e policëve të saporekrutuar”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Sipas tij, çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe akterët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë.

Ka shtuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se BE-ja mbetet e përkushtuar për de-përshkallëzimin në veri të Kosovës, siç nënvizohet në deklaratën e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Stano ka thënë se deklarata u tregoi të dyja palëve përgjegjësitë e qarta për de-përshkallëzim me synimin për të organizuar zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat në veri sa më shpejt të jetë e mundur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

Rruga Press

YouTube player