Stafi politik i Prishtinës merr nga dy paga në sektorin publik
Një pagë më shumë nga shteti do të marrë stafi politik i Komunës së Prishtinës, i emëruar si aksionar nga kryetari i Komunës, Përparim Rama, nëpër ndërmarrjet publike.
Për një kompensim të tillë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, vendimin e ka marrë qeverisja e tanishme e Prishtinës, në shtator të vitit të kaluar, pa e hedhur fare në votim në Kuvendin Komunal.
Në bazë të këtij dokumenti këta aksionarë kompensohen për çdo muaj në vlerën e pagës së përcaktuar minimale të punëtorëve në ndërmarrjet publike lokale, të cilat i kanë ndarë LDK-ja dhe PDK-ja pas koalicionit të përbashkët qeverisës.
Sipas informacioneve të KOHËS, disa nga pagat minimale të ndërmarrjeve publike janë: në Ndërmarrjen Publike Banesore është 415 euro bruto, në “Trafik Urban” është 356 euro, në Pallatin e Rinisë 288 dhe në kompaninë “Pastrimi” punëtori fizik paguhet 330 euro.
Doruntinë Maloku, Donat Lushku, Mimoza Sylejmani dhe disa drejtorë të tjerë, përveç pagës prej 600 eurosh si udhëheqës të drejtorive që marrin në Komunë të Prishtinës, tani paguhen edhe me një pagë më shumë.
Si aksionarë të dërguar në këto ndërmarrje janë edhe Vllaznim Osmani, shef i kabinetit të kryetarit, e po ashtu edhe shefi i personelit Fadil Aliu.
Ndërkaq vendimi për kompensimin e këshilltarëve komunalë si aksionarë të deleguar nga Kuvendi Komunal është marrë në mënyrë unanime në mbledhjen komunale të datës 13 nëntor të vitit 2020, gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit.
Ky i fundit nuk e kishte parë të arsyeshme edhe kompensimin e stafit politikë që shërbenin si aksionarë nëpër ndërmarrjet publike të deleguar nga vet ai.
Për këtë vendim kërkuan sqarim Vetëvendosje gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal.
Përkundër debateve, kryetari Rama vetëm dëgjonte duke mos dhënë asnjë sqarim.
E për këtë çështje nuk ka pasur përgjigje as nga komuna e Prishtinës, përkundër pyetjeve të dërguara nga KOHA.
Edhe asamblistët e LDK-PDK si Leutrim Retkoceri, Granit Geci, Jeta Rafuna, Milazim Vitija, Muhamet Selamni, Shegë Beqiri, Pëllumb Bajcinovci, Elmirë Nikci, Kumrije Shabani, Arbnora Ajeti, Agron Canolli, Fatmir Dervishi, Donjeta Dragusha, Amir Simnica, Lindita Rexhepi, Sami Salhiu, Dasmor Durmishi, Agim Kuleta, Dhurata Retkoceri dhe Fiknete Bejta, si aksionarë të deleguar nga kuvendi i Prishtinës marrinë një pagë shtesë, përveç pagës së asamblistët e cila është 200 euro.
E me koeficientin e ri, paga e tyre pritet të rritet në 600 euro, përderisa e drejtorëve pritet të bëhet mbi 800 euro./KOHA.net
Rruga Press