Spiunazh në favor të Rusisë, SHBA shpall “non grata” 4 politikanë
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vendosur sanksione të reja të enjten më 20 janar,2022, kundër katër zyrtarëve ukrainas, duke përfshirë dy anëtarë aktualë të parlamentit, të cilët zyrtarët e administratës amerikane thonë se janë pjesë e një përpjekjeje të ndikimit rus për të vendosur pretekstin për pushtimin e Ukrainës.
Siç njoftoni Departamenti i Thesarit, sanksione janë vendosur ndaj parlamentarëve Taras Kozak dhe Oleh Voloshyn dhe dy ish-zyrtarëve të qeverisë ukrainase. Sipas Thesarit, të katërtit kanë qenë të përfshirë ngushtë në përpjekjet e dezinformimit nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë, i njohur si FSB.
Sanksionet e reja u bënë publike më pak se 24 orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se mendon se Moska do të pushtojë së shpejti Ukrainën. Ai paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin se vendi i tij do të paguajë një “çmim të shtrenjtë” për jetët e humbura dhe një kufizim të mundshëm në qasjen në sistemin bankar global nëse merr vendim për invadim të Ukrainës.
Bideni u përball me kritika nga republikanët dhe zyrtarët ukrainas pasi u tha se ai do të reagonte me maturi në rast të invadimit rus të vetëm një pjese të Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë javën e kaluar paralajmëroi se Rusia ka vendosur operativë në dhe rreth Ukrainës, ndoshta për të krijuar pretekst për një pushtim.
Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas kanë qenë gjithashtu të shqetësuar për dezinformatat ruse.
“Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të ekspozuar dhe kundërshtuar fushatën e rrezikshme dhe kërcënuese të ndikimit dhe dezinformimit të Rusisë në Ukrainë”, tha zëvendëssekretari i Thesarit, Wally Adeyemo, në një deklaratë.
“Ne jemi të përkushtuar të ndërmarrim hapa për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj destabilizuese”, tha Adeyemo.
Kozak, i cili kontrollon disa kanale lajmesh në Ukrainë, akuzohet për përforcim të narrativave të rreme në lidhje me rrethin e ngushtë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe zgjedhjet e vitit 2020. Voloshyn ka punuar me FSB-në e Rusisë për të sulmuar zyrtarët e qeverisë ukrainase, thotë Thesari i Shtetit.
Zyrtarët e thesarit thonë se Voloshyn ka punuar gjithashtu me Konstantin Kilimnik, një shtetas rus, i cili ishte sanksionuar më parë për tentativën e dyshuar për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe për përcjelljen e informacionit tek inteligjenca ruse.
Thesari sanksionoi gjithashtu ish-zëvendëssekretarin e Ukrainës për Sigurinë Kombëtare dhe Këshillit të Mbrojtjes, Vladimir Sivkovich. Administrata thotë se Sivkovich punoi vitin e kaluar me një rrjet aktivistësh të inteligjencës ruse për të kryer operacione ndikimi që u përpoqën të ndërtonin mbështetje për Ukrainën për t’i dorëzuar zyrtarisht Krimenë Rusisë në këmbim të një tërheqjeje të forcave të mbështetura nga Rusia. Trupat ruse pushtuan Krimenë në vitin 2014 dhe vazhdojnë të pushtojnë gadishullin e Detit të Zi.
Ish-zyrtari tjetër i përmendur është Volodymyr Oliynyk, për të cilin Thesari thotë se ka punuar për FSB-në në mbledhjen e informacioneve rreth infrastrukturës kritike të Ukrainës.
Sipas Thesarit të Shtetit, Oliynk aktualisht jeton në Rusi.
Rreth 100,000 trupa ruse janë grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën. Zyrtarët rusë po kërkojnë garanci me shkrim se NATO nuk do të zgjerohet drejt perëndimit.
Anëtarët e aleancës refuzojnë të japin një premtim të tillë. /Rel
Rruga Press