Bota

Spekulimet për shëndetin mendor të Putinit: Çfarë ka ndodhur me presidentin rus?

Inteligjenca amerikane e ka kthyer në prioritet kryesor vlerësimin e shëndetit mendor të presidentit rus Vladimir Putin gjatë ditëve të fundit për të kuptuar se si ndikon në ngjarjet në Ukrainë, kanë bërë të ditur për CNN dy burime nga komuniteti i inteligjencës.

Vlerësimi kërkohet pasi vëzhgues prej shumë kohësh të Putinit kanë spekuluar publikisht se sjellja e tij është bërë përherë e më tepër irracionale dhe me gabime.

Që kur nisi sulmin kundër Ukrainës të mërkurën e kaluar, zyrtarë të lartë amerikanë u kanë kërkuar agjencive të zbulimit të mbledhin informacion për të parë se si po reagon mendja e liderit rus përballë përgjigjes së bashkuar e të papritur nga fqinjët evropianë dhe aleatët nëpër botë.

Komuniteti i inteligjencës amerikane ka shpenzuar dekada në dekodimin e ish-oficerit të KGB-së, i cili sundon Rusinë që më 1999. Por ndërsa SHBA ka dijeni të pafund institucionale për personin, ka një pamje të varfër për sa i përket vendimmarrjes së përditshme nga ana e tij. Kremlini mbetet një shënjestër e vështirë, jashtëzakonisht i vështirë për t’u penetruar përmes spiunazhit tradicional.

“Vendimet dhe deklaratat e Putinit nuk duket se kanë kuptim”, tha një burim familjar me raportet e fundit të inteligjencës. “Për vite, dekada, Putin ka vepruar sipas një modeli tepër specific”.

Në një raportim sekret për Senatin të hënën, Avril Haines, drejtore e Inteligjencës Kombëtare, tha se komuniteti i inteligjencës amerikane nuk ka një perceptim të thellë të gjendjes mendore të Putinit.

Senatori Republikan nga Iowa, Chuck Grassley, konfirmoi se ishte diskutuar për shëndetin mendor të Putinit, por nuk dha detaje për informacionin e afruar.

Lexo më shumë  Sa ndihmë ushtarake i është dhënë deri më tani Ukrainës?

Megjithatë, tha se pavarësisht raportimeve, ai personalisht është i shqetësuar.

Një raport i inteligjencës që ka qarkulluar në shumë agjenci citon një burim që thotë se sjellja e Putinit është bërë ‘tepër shqetësuese dhe e paparashikueshme’ vetëm gjatë dy ditëve të fundit, sipas një kopjeje që ka në dorë CNN.

Raporti vë në dukje se ky burim “me akses të shkëlqyer” në të kaluarën ka ofruar informacion që agjencitë e inteligjencës kanë qenë në gjendje ta verifikojnë në mënyrë të pavarur.

Burimi tha për FBI se Putin “shprehu zemërim ekstrem” për sanksionet e Perëndimit si përgjigje ndaj sulmit kundër Ukrainës dhe e ndjente se ‘sanksionet e kishin përshkallëzuar situatën më shpejt nga sa e priste dhe përtej asaj që kishte konsideruar si të pranueshme’. Nuk dihet se për cilat sanksione në veçanti e ka pasur fjalën, pasi kjo pjesë e raportit është e klasifikuar.

Spekulimet për shëndetin mendor të Putinit nisën pasi ai mbajti një fjalim të martën për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë. Senatori republikan nga Florida Marco Rubio postoi të premten në Twitter se Putin “gjithmonë ka qenë vrasës, por problemi i tij tani është i ndryshëm dhe domethënës”, duke shpjeguar se bazohej në informacione të inteligjencës ofruar atij si zëvendëskryetar i Komitetit të Inteligjencës në Senat.

“Do të ishte gabim të supozosh se Putin tani do të reagonte në të njëjtën mënyrë siç do të bënte pesë vjet më pare”, shkroi Rubio, duke shtuar edhe se nuk mund të tregojë më tepër.

Lexo më shumë  Ligji për “agjentë të huaj” para Kuvendit të Republikës Sërpska më 22 maj

Për disa, guximi i vendimit të Putinit për të sulmuar si dhe për të nënkuptuar përdorimin e armëve bërthamore është i shkëputur nga fushatat ushtarake shumë më të kufizuara dhe të llogaritura me kujdes në të kaluarën.

Pamjet vizive tregojnë presidentin rus të ulur disa metra larg këshilltarëve të tij ushtarakë gjatë takimeve si dhe duke qortuar në televizion një  nga shefat e spiunazhit, çka japin imazhin e një lideri të izoluar, që vepron vetëm me kokën e tij.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, tuitoi se Putin kishte ndryshuar dhe tingëllonte “komplet i shkëputur nga realiteti”.

Vëzhgues të tjerë të tij prej shumë kohësh thonë se ai nuk po shfaqet inkonsistent me atë se si ka vepruar më parë, me fushata ushtarake që nuk dukej se do t’i fitonte.

Një zyrtar amerikan i bën jehonë këtij vlerësimi duke thënë për CNN se Putin po vepron në një mënyrë për të cilën ka dhënë sinjale prej kohësh. Në vend që të ketë ndryshuar në kapacitetin mendor, zyrtarët besojnë se tani ai thjesht është i zemëruar, duke e bërë të pamundur që këshilltarët e lartë t’i japin vlerësime të sinqerta.

Edhe urdhri për gatishmërinë e forcave bërthamore nuk është pa precedent. Në 2014, kur Putin aneksoi Krimenë, ai shqyrtoi mundësinë e vënies në gatishmëri numër një të forcave bërthamore.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *