Bota

Sot nis votimi me postë për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

Sot nis votimi për shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar përmes postës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Me postë për këto zgjedhje pritet të votojnë rreth 105 mijë votues.

Të enjten zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku shërbimi votues i këtij institucioni ishte duke bërë gati pakot e fundit me fletëvotime të cilat do t’ju dërgohen votuesve të regjistruar, ka njoftuar se para të mërkurës, KQZ-ja ka përgatitur 75,000 pako individuale dhe se ato pritet të shpërndahen nga data 21 maj (sot), ndërsa rreth 30 mijë të tjera sipas tij, janë dërguar të enjten.

Lexo më shumë  ​Srebrenica kërkon përjashtimin e Crvena Zvezdës nga UEFA, pasi nderuan përbindëshin gjenocidal Mlladiç

Sipas KQZ-së, çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban: Udhëzuesin për procedurën e votimit; fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; dhe zarfin kthyes.

Sipas KQZ-së, në çdo dërgesë postare operatori ekonomik ka vendosur nga një numër të veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

Votimi përmes postës do të përfundojë më 6 qershor, ndërsa KQZ u ka bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim, në mënyrë që të arrijë me kohë në kutinë postare dhe më pas të tërhiqet për t’u sjellë në Kosovë për numërim.

Lexo më shumë  Axios: ShBA-ja po negocion për të marrë një pjesë të naftës së Venezuelës

Për votimin me postë jashtë Kosovës, KQZ ka funksionalizuar kutitë postare në 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.

Rruga Press

YouTube player