Lajme

Sot betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, do të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e kësaj komune. Me dhënien e betimit do të fillojë zyrtarisht mandati i tij.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiçnga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Por, të premten nuk do të bëjnë betimin edhe tre kryetarët e tjetër të rinj të komunave në veri.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Lexo më shumë  Osmani takon Greenfield, flasin për mbështetjen amerikane për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Kur do të bëjnë betimin kryetarët e tjerë?

Në Komunën e Leposaviqit, kryetari i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Por, këta tre kryetarë të rinj nuk dihet se kur dhe ku do ta bëjnë betimin, në mënyrë që edhe zyrtarisht të marrin detyrën.

Për dallim nga Mitrovica e Veriut, ku ekziston një ndërtesë komunale që punon sipas sistemit të Kosovës, në komunat e tjera në veri, deri më tani, autoritetet lokale të Kosovës ishin të vendosura në ndërtesat e të ashtuquajturave organe të përkohshme që punojnë sipas sistemit serb. Po ashtu, në disa komuna, deri më tani krerët e komunave kanë qenë të njëjtë si në sistemin e Kosovës, ashtu edhe në atë serb.

Lexo më shumë  Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj mëson se pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës do të mbajnë një takim me kryetarët e tjerë për të rënë dakord për datën dhe vendin e betimit të tyre.

Kryetarët e rinj të Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, e kanë pranuar se do të jetë sfidë për ta dhe kabinetet e tyre qasja fizike në objektet e komunave, sepse në to janë të pranishme edhe strukturat e e të ashtuquajturave organe të përkohshme, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar për REL-in më 23 prill se kryetarët e rinj nuk do të kenë probleme në punën e tyre, dhe sipas tij, ata “do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës” dhe se “të gjitha objektet e administratës në Republikën e Kosovës janë pronë e shtetit”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *