Skandali 22 milionë euro. FSHZH, në 7 tenderë shpall fituese ofertat më të larta
Babëzia në Fondin Shqiptar të Zhvillimit nuk ndalet. Në kohë krize kur çmimet e materialeve të ndërtimit kanë kapur majat Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli ka tenderuar për një seri punësh publike, që nga përshkrimi duket se janë në funksion të fushatës së ardhshme për zgjedhjet lokale.
Skandali merr përmasa të mëdha pasi në 10 tenderë, shtatë prej tyre nuk i kanë fituar kompanitë me oferta me të mira. Vlera totale e këtyre 7 tenderëve është mbi 22 milionë euro. Tenderin për rehabilitimi i përroit Lushnje dhe rikualifikimi urban i zonave rreth tij, me fond limit 2,7 milionë euro e ka fituar ”ALB TIEFBAU”, e renditur e treta. Procedurën për ndërhyrje në rrugë dhe nyje lidhëse rajonale dhe lokale, me vlerë 2,2 milionë euro e ka fituar “ALBBUILDING” sh.p.k., e renditur e dyta me një ofertë rreth 150 mijë euro më shumë se oferta më e mirë. Në tenderin për ndërhyrje rigjeneruese në blloqet e banimit, rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 4, me fond limit gati 3 milionë euro fituese është shpallur kompania “Modeste” sh.p.k., e klasifikuar e treta me 120 mijë euro më shumë se oferta më e mirë.
Në garën për ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike (rajoni 3), fondi limit ishte, 3,7 milionë euro dhe fituese është shpallur “G.P.G COMPANY”, e klasifikuar si e treta, me 230 mijë euro më shumë se oferta me e mirë. Për kontratën për ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 3, me fond limit rreth 3 milionë euro fituese ka dalë kompania “Senka” sh.p.k e renditur e shtata me 300 mijë euro më shumë se oferta e klasifikuar e para. Në tenderin për ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike (rajoni 1 dhe 2), me fond limit 4 milionë euro, fituese është kompania “BAMI” sh.p.k., e renditur e pesta, me 350 mijë euro më shumë se oferta më e mirë. Seria abuzive e tenderëve mbyllet me garën për ndërhyrje për përmirësimin e strukturave dhe mbrojtjeve rrugore, me fond limit 3,5 milionë euro i fituar nga kompania “ALBBUILDING” sh.p.k., e cila kishte një ofertë 100 mijë euro më të lartë se kompania e renditur e para. I gjithë ky abuzim po ndodh kur qytetarët po shtrëngojnë rripin për çmimet e rritura të ushqimeve bazë dhe kur pensionistët dhe familjet ne nevojë nuk po e marrin më mbështetje financiare për përballimin e krizës.
Shkeljet e FSHZH
Por, ky nuk është rasti i vetëm kur Fondi Shqiptar i Zhvillimit është gjetur në shkelje. Më herët, edhe tenderët e zhvilluar për projektimin dhe kolaudimin e punimeve të banesave të rindërtimit kanë shkelur hapur konkurrencën. Kështu, shumica e kompanive që kanë marrë pjesë kanë dhënë ofertë të njëjtë. Bëhet fjalë për tenderin mbi “Kolaudimin e punimeve për rindërtimin të njësive të banimit pallat në Laç”, me fond limit 1.228.249 lekë. Të 13 ofertat e paraqitua janë në vlerën e 1,013,851 lekëve. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vijuar me vlerësimin e tenderit pavarësisht se rasti duhej denoncuat pranë komisionit hetimor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tenderin tjetër “Kolaudim punimesh për njësitë e banimit në Manzë”, ku kanë dhënë ofertë 13 firma, prej të cilave 12 kanë paraqitur ofertë fikse prej 928,346 lekësh. E njëjta skemë është ndjekur edhe në 7 praktika të tjera tenderimi, ku janë paraqitur të oferta me vlerë të njëjtë dhe fitues ka dalë një prej tyre me një diferencë të vogël pikësh. Fondi Shqiptar i Zhvillimit jo vetëm që nuk ka pezulluar garën por ka vazhduar deri në fund me politikën e tenderimit, duke u bërë në këtë mënyrë pjesë e lojës së oligopol të kompanive./Panorama/
Rruga Press