KryesoreLajme

Skandal në RTV Dukagjini: Mehmetaj krahason Pecin me Millosheviqin – GUXO paralajmëron padi

Partia GUXO ka reaguar ashpër pas deklaratave të gazetarit Lirim Mehmetaj në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, të transmetuar më 11 nëntor 2025, ku ai e krahasoi deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarin e Mitrovicës Jugore, Faton Peci, me diktatorin serb Sllobodan Millosheviq.

Në reagimin e saj, GUXO e ka cilësuar këtë krahasim si “gjuhë të urrejtjes, denigruese dhe fyerje vulgare”, duke theksuar se një krahasim i tillë është i papranueshëm dhe rrezikon sigurinë e deputetit.

“Ky krahasim jo vetëm që fyen dhe denigron deputetin dhe bashkëkryetarin tonë, por edhe e ekspozon atë ndaj rrezikut publik,” thuhet në reagimin e partisë.

GUXO i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, ndërsa RTV Dukagjinit i kërkon të distancohet nga gazetari Lirim Mehmetaj dhe të dënojë publikisht gjuhën e përdorur në emision.

“Nëse televizioni nuk distancohet, do të përfshihet në padinë që po e përgatisim ndaj gazetarit Mehmetaj,” thekson GUXO.

Duke e publikuar edhe videon ku Mehmetaj dëgjohet qartë duke e krahasuar Pecin me Millosheviqin, GUXO i ka bërë thirrje Komisionit të Pavarur për Media (KPM) që të reagojë për këtë “shkelje flagrante të etikës profesionale dhe përdorimin e gjuhës që nxit urrejtje”./KosovaNews/

Lexo më shumë  CIA mohon pretendimet e Rusisë: Nuk ka pasur sulm ukrainas ndaj rezidencës së Putinit

Reagimi i Plotë:

YouTube player