Sinjali/ Mesazh i ftohtë nga BE për Shqipërinë, në ditën e madhe të zgjerimit
Në ditën që Brukseli e cilëson si më të rëndësishmen për zgjerimin në vitet e fundit, komisionerja Marta Kos nuk përmendi asnjëherë Shqipërinë. Heshtja vjen ndërsa BE ka shprehur hapur shqetësime për projektin e Zvërnecit, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, përdorjen e mazhorancës parlamentare për të mbrojtur imunitetin e Belinda Ballukut, dhe klimën e sundimit të ligjit.
Ndërsa Bashkimi Europian e cilësoi këtë të hënë si një “Mega Monday” për procesin e zgjerimit, në deklaratën e komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, mungonte një emër që deri pak muaj më parë konsiderohej ndër vendet më të avancuara të rajonit, Shqipëria.
Kos njoftoi hapjen e grupkapitullit 1 për Ukrainën dhe Moldavinë, përshëndeti progresin e Malit të Zi dhe la të kuptohet se Podgorica mund të arrijë vijën e finishit të negociatave gjatë presidencës irlandeze të BE-së. Por në asnjë moment nuk përmendi Shqipërinë.
“Sot do të jetë vërtet një ditë e madhe, një “Mega Monday”, për procesin e zgjerimit.
Së pari, Ukraina dhe Moldavia do të hedhin hapin më të madh që nga marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2023. Më në fund do të mund të hapim Klasterin 1 për të dy vendet. Pse? Sepse ato kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë pjesën tonë. Nëse ata japin rezultate, duhet të japim rezultate edhe ne. Prandaj pres që në korrik të hapim edhe pesë klasterët e mbetur.
Së dyti, do të mbyllim dy kapituj të tjerë për Malin e Zi. Në total, kjo do ta çojë numrin në 16 kapituj të mbyllur, afërsisht gjysma e asaj që duhet të përfundojë.
Sapo jam kthyer nga Irlanda, e cila do të mbajë Presidencën e ardhshme të Këshillit të BE-së. Nëse Komisioni, Mali i Zi dhe shtetet anëtare punojnë siç duhet, atëherë gjatë ose deri në fund të presidencës irlandeze mund ta çojmë Malin e Zi deri në vijën e finishit.” – deklaroi Marta Kos.
Pikërisht në ditën kur Marta Kos deklaroi se “nëse kandidatët japin rezultate, duhet të japim rezultate edhe ne”, Shqipëria nuk ishte pjesë e listës së vendeve që morën vlerësime apo afate konkrete nga Brukseli.
Mungesa e Tiranës në një ditë që Brukseli e quan historike për zgjerimin ngre pikëpyetje të forta. Sidomos në një periudhë kur institucionet europiane kanë shprehur rezerva për një sërë vendimesh të qeverisë Rama, nga ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe projektet turistike në zona sensitive si Zvërneci, deri te ligji për investimet strategjike dhe shqetësimet për funksionimin e shtetit të së drejtës. Shqetësimet e BE u materializuan nga zvarritja disa-mujore e raportit të IBAR, që megjithëse mori dritën jeshile, sintetizoi shqetësimet e BE-së ndaj Shqipërisë.
Për një vend që deri vonë paraqitej si historia e suksesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, heshtja e komisioneres europiane mund të jetë po aq domethënëse sa edhe fjalët e saj. Pyetja nëse qeveria Rama po pengon integrimin europian të vendit lind sërish.
Në përfundim të fjalës së saj, Marta Kos gjithashtu theksoi se politika më e rëndësishme e jashtme e BE-së tani është zgjerimi.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse zgjerimi po dëshmon se është politika më e rëndësishme e jashtme e Bashkimit Europian. Në 16-17 muajt e fundit kemi arritur më shumë sesa në 15 vitet pararendëse.” – shtoi Kos.
Rruga Press

