Opinion/Aktualitet

Sihariq i madh na erdhi, nga Vuçiçi, Rama dhe Zaevi: Shpiket populli i përbashkët

Nga Shaban Murati

U njoftua arritja më e madhe e “Ballkanit të kapur”: Shpiket populli i përbashkët i treshes përbërëse. U bëmë një popull me serbët dhe maqedonasit! Tre liderat e “Ballkanit të kapur” Vuçiç, Rama dhe Zaev, që do të takohen në 20 dhjetor në Tiranë për të përqafuar njeri-tjetrin, publikuan në 18 dhjetor një letër të përbashkët, ku japin sihariqin e madh që popujt e tre shteteve të kësaj federate serbe janë shkrirë në një popull të përbashkët. Në letrën në gjuhën shqipe, të shpërndarë nga zyra qeveritare e Tiranës dhe të publikuar në gazetat proqeveritare, në fjalinë e tretë tre liderat shkruajnë sëbashku tekstualisht në numurin njejës: “Dëshira e popullit tonë…”. Të gjithë patriotët me brekushe, me poture, me tumane, me dimije dhe me fustanella, duhet të vdesin tani të lumtur se u bëmë një popull me serbët dhe me maqedonasit. Në Jugosllavinë e vjetër të Titos quhej “popull jugosllav”. Nuk ka ardhur ende informacioni nga Beogradi se si do të quhet ky popull i përbashkët në Jugosllavinë e re të Vuçiçit. Tani mbetet të krijojmë një qeveri të përbashkët dhe një president të përbashkët, që natyrisht i takon të jetë serbi Vuçiç, se ai e shpiku “Ballkanin e kapur” dhe ka shumicën e votave të popullit të përbashkët ballkanikokaps.

Që tani jemi një popull i përbashkët i shkrirë në një, tre liderat e dëshmojnë me letrën e tyre të përbashkët, ku

-Nuk përmendet në asnjë rresht Kosova, sepse nuk e njeh Vuçiçi. Nuk e përmend në asnjë rresht dhe rrjedhimisht nuk e njeh as Edi Rama, sepse nuk don t’i prishë qejfin Vuçiçit.

-Nuk përmendet në asnjë rresht Bosnje-Hercegovina, ku serbët e Dodikut dhe të Vuçiçit po ndezin zjarret e luftës, që ka alarmuar Nato-n, BE-në, OSBE-në, KE-në, etj. por aspak Tiranën.

-Nuk përmendet në asnjë rresht Mali i Zi, ku forcat speciale të Serbisë së Vuçiçit dhe kisha ortodokse serbe po punojnë për të sjellë një qeveri edhe më shumë proserbe dhe të aneksojnë shtetin e pavarur malazez në “botën serbe”. Janë shqetësuar NATO dhe BE, por jo Tirana.

Letra e përbashkët, që tre liderat e “Ballkanit të kapur” i drejtojnë vetes, krijoi popullin e përbashkët ballkanikokaps, si eksperiment i madh shekullor i parealizuar deri tani i “Serbisë së Madhe”. Rroftë kozmopolitizmi i udhëhequr nga Serbia!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *