Lajme

Siguria, 2 mld USD kriptovaluta të vjedhura që nga 2017

Kur flitet për një valutë dhe një infrastrukturë që është e gjitha virtuale, një nga çështjet më të rëndësishme është siguria e informacionit. A janë të sigurta kriptovalutat vetë dhe transaksionet e lidhura me to? Sipas ekspertëve, në pamje të parë, blockchain është një sistem i sigurt, transparent dhe imun ndaj sulmeve dhe hakerimeve.

Por, MIT University raporton se hakerat kanë vjedhur kriptomonedha me vlerë gati 2 miliardë dollarë që nga viti 2017. Metodat për vjedhje janë nga më të ndryshmet, një nga teknikat që ka një dobësi teorike në blockchain është e njohur si “Sulmi 51%”. Për sa i takon kriptovalutës më të famshme, Bitcoin, ekspertët thonë se në praktikë, është shumë e vështirë që sistemi blockchain i përdorur të thyhet.

Sigurinë e kryerjes së transaksionet e jep infrastruktura e rrjetit të blockchain. Një nga tiparet e veçanta të Bitcoin është decentralizimi, gjë që do të thotë se ti nuk nevojë për besim te një palë e tretë. Elementi i besimit në Bitcoin është fakti se ky sistem i mbështetur në algoritme do të funksionojë. I vetmi rrezik është nëse i gjithë rrjeti i Bitcoin thyhet nga një sulm kibernetik. Në teori mund të ndodhë, në praktikë është e pamundur. Edhe nëse bashkohen 200 kompjuterët më të fuqishëm në botë, nuk e thyejnë dot” – thotë Henri Ndreca.

Megjithatë, ata vënë në dukje se ndërfaqet, ku mbahen dhe trajtohen kriptovalutat janë të prekshme nga sulmet.
“Të gjitha transaksionet verifikohen dhe ruhen në blockchain. Rastet kur mund të bini pre e mashtrimit janë transaksionet në exchange që mashtrojnë dhe investimi në monedha të reja që sapo kanë hyrë në treg.

Në këtë pikë, di disa raste në Shqipëri, ku persona të ndryshëm kanë rënë pre e krimit kibernetik. Rastet që kam ndjekur kanë të bëjnë me qytetarë shqiptarë të cilët, për të blerë Bitcoin kanë përdorur faqe mashtruese (scam), ku kanë bërë pagesat dhe në shkëmbim nuk kanë marrë monedhat që duhet të merrnin” – thotë Besmir Semanaj.

Në këtë rast, këshilla e ekspertëve është që të investojnë në bursa online të sigurta dhe të verifikuara. Rrezeart Lahi thotë se sot, e vetmja siguri për kriptomonedhat dhe bursat që i tregtojnë janë emri, përvoja që kanë dhe informacioni rreth tyre.

Garancia kryesore është të marrësh sa më shumë informacion. Nëse një kriptovalutë tregtohet në një bursë të besueshme, ky është një tregues i rëndësishëm që duhet të merret parasysh. Megjithatë, rreziku i mashtrimit do të ekzistojë gjithmonë, siç ekziston edhe në sektorin financiar klasik”, thotë ai.

“Sulmi 51%”, rreziku i një abuzimi me fuqinë teknologjike

Një nga dobësitë apo rreziqet potenciale që ekspertët kanë vërejtur në sistemet blockchain është mundësia e një të ashtuquajturi “sulmi 51%”. Ky koncept nënkupton mundësinë e kontrollit apo manipulimit të një sistemi blockchain, nga një grup prodhuesish që kontrollojnë më shumë se 50% të fuqisë kompjuterike të rrjetit në fjalë.

Në një rast të tillë, këta persona do të ishin në gjendje të ndalonin dhënien e konfirmimit ose validimin e transaksioneve të reja, gjë që do të bllokonte tregtimin lirisht mes disa ose të gjithë përdoruesve të tjerë. Në praktikë, kjo do ta monopolizonte validimin dhe vetë prodhimin e kriptovalutës dhe aktori që zotëron një fuqi të tillë, do të ishte në gjendje të përvetësonte të gjitha valutat e prodhuara në vijim në sistemin blockchain të kontrolluar prej tij.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

Sulmuesit do të ishin gjithashtu në gjendje të rikthenin mbrapsht transaksionet e kryera nga momenti që ata kanë marrë kontrollin e rrjetit, çka do të thotë se do të mund të përvetësonin, ose shpenzonin dy herë, të njëjtën monedhë virtuale.

Për krahasim, zotërimi i mbi 51% të fuqisë së një sistemi blockchain do të ishte një pozicion i ngjashëm me atë të një firme me fuqi dominuese në një treg produktesh apo shërbimesh. Nëse një firmë me fuqi të madhe tregu në teori mund të imponojë çmimet dhe të dëmtojë konsumatorët apo konkurrentët më të vegjël, një aktor me fuqi të madhe kompjuterike në rrjetet blockchain mund të manipulojë sistemin për të siguruar përfitime.

Sipas ekspertëve, një sulm i këtij lloji nuk do të shkatërronte sistemin blockchain të Bitcoin apo të një monedhe tjetër virtuale, por do të shkaktonte një dëm shumë të madh. Një sistem që mund të manipulohet do të humbiste shumë prej besimit të investitorëve, gjë që do të përkthehej në rënie të fortë të vlerës së kriptovalutës përkatëse në treg.

Colonial Pipeline, “gjoba” më e bujshme me Bitcoin

Një nga “njollat” që kritikët e kriptovalutave kanë evidentuar shpesh është mundësia që ato krijojnë për kanalizimin e parave nga aktivitete kriminale. Duke qenë një sistem i decentralizuar dhe jashtë kontrollit të ndonjë autoriteti ligjor, zbulimi dhe bllokimi i transaksioneve në këtë sistem është shumë i vështirë.

Në muajin maj të këtij viti, disa sulmues kompjuterikë (hakera) arritën të bllokonin sistemin kompjuterik të naftësjellësit Colonial Pipeline, në SHBA, tubacion i cili transporton rreth 45% të karburanteve të Bregut Lindor të SHBA. Sulmi bllokoi për disa ditë furnizimin me karburant të tregut në shtetet e prekura. Për të zhbllokuar sistemin, kompania u detyrua të paguajë 4.4 milionë USD në Bitcoin te keqbërësit. Kjo ngjarje dha ndikim negativ në ecurinë e Bitcoin në bursa, duke shkaktuar rënie të fortë të vlerës.

Por, në fillim të muajit qershor, autoritetet amerikane bënë të ditur se një pjesë e kësaj shume, rreth 2.3 milionë USD u arrit të zbulohej dhe të merrej mbrapsht. Ky shembull tregon se autoritetet ligjzbatuese po zhvillojnë kapacitete për të luftuar krimin edhe përmes këtyre teknologjive. Sipas ekspertëve, krijimi i këtyre kapaciteteve do të jetë një sfidë e rëndësishme për strukturat e luftës kundër krimit.

Ata mendojnë se rregullimi gradual i kriptovalutave do t’i ngushtojë hapësirat për përdorimin e tyre në punë të pista. Ata vënë në dukje se të gjitha transaksionet në sistemin blockchain janë publike dhe të gjurmueshme: autoritetet mund të gjurmojnë ccdo Bitcoin që nga momenti i hyrjes deri në daljen e tyre nga sistemi.

Prodhimi (mining) i Bitcoin po “gllabëron” energji

Një aspekt i veçantë e biznesit të lidhur me kriptovalutat është edhe prodhimi i tyre, proces që në zhargonin teknologjik quhet mining. Procesi është sigurisht një revolucion më vete kur flitet për valutat. Çdo valutë tjetër konvencionale deri më sot është prodhuar nga një autoritet monetar, që ka monopolin ligjor të prodhimit dhe hedhjes së saj në qarkullim.

Lexo më shumë  Konjufca: Heroi Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të UÇK

Me kriptovalutat nuk ndodh kështu. Kushdo mund të veprojë si një bankë qendrore dhe të prodhojë vetë kriptovaluta. Këto kriptovaluta prodhohen nëpërmjet programeve (software) me akses të lirë (open source), që secili mund t’i shkarkojë dhe të fillojë të prodhojë një kriptovalutë të caktuar. Në teori, duket shumë e thjeshtë të prodhosh kriptovalutën tënde dhe ta tregtosh për të fituar. Në praktikë, fitimi nga ky lloj biznesi nuk është kaq i thjeshtë.

Për të prodhuar kriptovaluta duhen blerë pajisje hardware, të cilat kanë kosto të konsiderueshme dhe që me përhapjen e tendencës së kriptovalutave janë rritur. Pajisja bazë për prodhimin e kriptovalutave është një hardware GPU (kartë procesimi grafik). Çmimi i kësaj pajisjeje është shumë i ndryshëm, në varësi të gjeneratës dhe fuqisë. Një pajisje e tillë e përdorur mund të kushtojë më pak se 1 mijë USD, ndërsa një pajisje e re, e gjeneratës së fundit, mund të kushtojë mbi 20 mijë USD. Por, problemi më i madh nuk është aq investimi fillestar, por kostot e energjisë që nevojiten për prodhimin e kriptovalutave.

Për shembull, sistemi i Bitcoin funksionon në mënyrë që mund të prodhojë një Bitcoin çdo 10 minuta. Për të prodhuar këtë Bitcoin konkurrojnë mijëra kompjuterë në të gjithë botën. Konkurrenca konsiston në zgjidhjen e një algoritmi dhe sa më i fuqishëm të jetë kompjuteri, aq më shumë shanse ke për të prodhuar apo “për të fituar” një Bitcoin. Nga ana tjetër, sa më i fuqishëm të jetë kompjuteri, aq më shumë energji elektrike konsumon. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një proces kompleks, është e vështirë të thuhet me saktësi sa kushton të prodhosh një Bitcoin.

Kjo varet nga fuqia e pajisjeve dhe nga kosto e energjisë elektrike në vendin ku bëhet prodhimi. Investimet e mëdha apo “fermat” e prodhimit të Bitcoin zakonisht vendosen në vende ku energjia elektrike është e lirë, si për shembull Islanda, që shfrytëzon temperaturën e gejzerëve për të prodhuar elektricitet. Për një individ të zakonshëm në Shqipëri nuk do të kishte shumë kuptim të përpiqej të prodhonte Bitcoin nga shtëpia, sepse kostot dhe konkurrenca janë shumë të mëdha.

Përdorimi i energjisë elektrike për të prodhuar Bitcoin është bërë sot një shqetësim lidhur me shfrytëzimin energjisë, sepse energjia e përdorur për të prodhuar Bitcoin sot është më e madhe se sasia e energjisë që mund të konsumojnë gjithsej shtete të veçanta të botës.

Sipas një studimi nga Qendra e Kembrixh për Financën Alternative, Bitcoin konsumon rreth 110 teravat energji në vit. Kjo sasi është e barabartë me rreth 0.55% të prodhimit global vjetor ose me gjithë konsumin energjetik të shteteve si Suedia apo Malajzia. Nëse konsumi i Bitcoin do të futej në renditjen e energjisë së konsumuar nga shtetet, ai do të renditje në vendin e 29-të, nga 196 vende të botës.

Marrë nga Monitor.al

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *