Art & Kulturë

Si udhëtonin shqiptarët drejt Amerikës në vitin 1876

Shqiptarët ishin populli evropian që iu drejtua i fundit Amerikës dhe kjo lidhet me faktin se ata deri në këtë kohë kishin pëlqyer më tepër traditën e lashtë të emigrimit në vendet evropiane.

Sipas dokumentave shqiptari i parë mbërriti në truallin amerikan në vitin 1876. Ai ishte nga Korça dhe më pas ndërroi destinacion duke u spostuar në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar më pas në Argjentinë.

Ndërsa shqiptari i dytë, i cili shkeli në tokën amerikane në vitin 1889 ishte Koli (Nikolas) Kristofori. Është emigranti i parë shqiptarë që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet.

42 është numri i shqiptarëve, të cilët jetonin në Amerikë në vitin 1900, në qytetin e Masaçusets. Origjina e këtyre shqiptarëve ishte kryesisht nga jugu i Shqipërisë.

Nga viti 1892 deri në vitin 1954 miliona emigrantë kaluan përmes ishullit Ellis. Edhe shumë shqiptarë kanë hyrë në Amerikë përmes tij.  Është e pamundur të dish numrin e saktë, por aty-këtu në muze gjen gjurmë të tyre.

E famshme është foto e një gruaje shqiptare të veshur me veshje tradicionale që ka ardhur në Amerikë rreth vitit 1905.

Po si udhëtonin shqiptarët drejt Amerikës?

Mjeti i vetëm transportues ishin anijet. Mjetet lundruese merreshin kryesisht nga Italia ose Greqia dhe çmimi i biletës nga Shqipëria drejt Shteteve të bashkuara të Amerikës kushtonte 50 Dollarë.

Ka një dokument që vërteton se ka pasur edhe linja udhëtimi me anije drejt Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që në vitin 1930 dhe nisej nga Durrësi.

Dokumenti i ekzistencës së kësaj  linje i përket revistës kulturore të përdyjavshme, “Rilindja”, e cila botohej në vitet 1934-1936 në qytetin e Korçës.

Duke u bazuar në një reklamë të botuar në  faqet e kësaj reviste mësohet se në atë periudhë ishte një linjë detare për pasagjerë Durrës-New York, e cila drejtohej në Shqipëri nga shoqëria detare “United States Line”.

Kjo shoqëri lundrimi e kishte qendrën në  kryeqytetin e vendit, Tiranë me agjent të përgjithshëm për Shqipërinë, Gaqo Oparin.

Nga njoftimi mësohet se vaporët ekspres të kësaj shoqërie shërbenin për linjat e Amerikës dhe të Kanadasë.

Njoftimi  i botuar në revistën “Rilindja” bën me dije edhe datat e lundrimeve që i përkasin një periudhe të muajve dhjetor të vitit 1934  dhe  janar të vitit 1935. Në këtë linjë kanë operuar 3 vaporë me emrat “Manhatan”, “Washington” dhe “President Roosveld”.

Linja detare Durrës-Nju Jork, kishte edhe degë agjencie për prerje biletash në qytetet: Korçë, Ersekë, Gjirokastër, Durrës, Përmet, Leskovik, Berat, Sarandë, Tepelenë, me agjentë shitjesh të biletave  Efthim Opari, Mihail P. Prodani, Miço Garruli, Liço Spiro, Dhimo Hotova, LLambi Tavanxhi dhe Theodhos Leska. Kjo linjë operonte në mënyrë të rregullt.

Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore shumë pak shqiptarë emigruan në Kanada, dhe shumica prej tyre ishin nga ish-Jugosllavia. Numri më i madh i shqiptarëve që mërguan u vendosën në Montreal e Toronto, por gjithashtu disa shqiptarë jetonin në Calgary dhe Edmonton.

“Dokumenti i rrallë i vitit 1939 tregon mënyrën si regjistroheshin shqiptarët në Australi në atë periudhë. Sherif Riza ishte një prej tyre, i larguar atje në vitin 1938 nga fshati Voskop i rrethit të Korçës.”

Pavarësisht këtij migrimi, në vitin 1986, numri i shqiptarëve të regjistruar ishte nën 1,500. Megjithatë, në vitin 1991, këto shifra pothuajse u dyfishuan. Numri i shqiptarëve në Kanada arriti kulmin në fund të viteve 1990, kur ata i ikën krizës ekonomike dhe politike në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi.

Biletat e tragetit kishin të shënuar linjën, numrin e anijes dhe radhën e pasagjerit. Bileta ishte e vulosur dhe në fund shënoheshin të dhënat e personit.

Gjatë viteve 1900 Shtetet e Bashkuara hartuan një ligj që nuk pranonte emigrantë që kishin marrë para borxh për të emigruar, por për shqiptarët e asaj kohe kjo ishte mënyra e vetme.

Emigrantët e parë shqiptarë në SHBA mund të ndahen në dy kategori: në emigrantë ekonomikë, të cilët largoheshin nga atdheu për të fituar para dhe në emigrantë politikë, të cilët detyroheshin të largoheshin për arsye politike. Lidhur me çështjen se cila kategori e emigrantëve ishte mbizotëruese, ka patur mendime të ndryshme. Disa autorë janë të mendimit se emigrantët ekonomikë formonin masën kryesore të emigracionit shqiptar në SHBA. Autorë të tjerë mendojnë të kundërtën.

Sipas gazetës ‘Kombi’ i pari fëmijë me prindër shqiptarë lindi në janar të 1908-ës në familjen e Kristo Koçit prej Korçe. Pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë që vinin në SHBA ishin nga Shqipëria e jugut. Fuqizimi nga ana ekonomike i këtyre  emigrantëve nxiti edhe mjaft shqiptarë të tjerë t’i drejtoheshin ‘Botës së  re’. Pas vitit 1905, interesat tregtare bënë që të hidheshin hapa të rëndësishëm drejt një emigracioni të organizuar të shqiptarëve në SHBA.

Për një periudhë relativisht të shkurtër një pjesë e emigrantëve shqiptarë, sigurisht më të zotët, arritën të zbulonin të fshehtat e funksionimit të ekonomisë së një vendi që ofronte mundësi pa kufi, ata filluan të merreshin edhe me tregeti. Sipas gazetës  ‘Kombi’ deri në fund të vitit 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane. Shumë domethënëse, për integrimin e shqiptarëve në SHBA ishin dhe reklamat që publikoheshin në faqet e gazetës ‘Kombi’, të cilat u bënin jehonë biznesmenëve shqiptarë që jetonin në qytete të ndryshme të Amerikës. Shumë interes paraqet edhe mënyra e jetesës së emigrantëve shqiptarë. Të gjithë bashkëfshatarët ose bashkëqytetarët grumbulloheshin si rregull, në të njëjtat qendra banimi. Kjo dukuri lidhet me faktin se një fshatar apo një qytetar shqiptar i ardhur në Amerikë kthehej shumë shpejt në një pikë tërheqëse për bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tjerë .

Rruga Pres

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *