KryesoreLajme

Si u zhduk Lali dhe u shpik Anuela/ Telenovela e një puçi në bashki

Kush ka ende dyshime se Shqipëria është kthyer në republikën personale të një njeriu të vetëm, sot ka marrë përgjigjen finale. Përgjigjia vjen me një zë të ngrohtë, të qetë dhe me flokët e kapura bisht, nga një figurë që deri dje nuk e njihte askush: Anuela Ristani. Për habinë e qytetarëve dhe për qejfin e kryeministrit Rama, ajo është “Kryetarja e Deleguar” e Bashkisë Tiranë, një pozicion që nuk ekziston as në Kushtetutë, as në ligj dhe që Erjon Veliaj nuk e kishte imagjinuar as në fantazitë e tij më të guximshme.

Anuela Ristani doli sot në konferencë dhe me tonin e një infermiereje që të siguron se “gjithçka është nën kontroll”, ndërkohë që pacienti është duke vdekur, njoftoi se punët e bashkisë po vazhdojnë të kryhen me përkushtim dhe se kryetari Erion Veliaj kishte pasur “informacion të cunguar” kur e kishte zhveshur nga kompetencat asaj dhe ia kishte transferuar ato Sara Goxhajt.

Me recitimin e zakonshëm të manekinëve të kurdisur të partisë, zonja njoftoi se në bashkinë e Tiranës punët po kryhen “me energji, përkushtim dhe vizion”, ndërkohë që realisht, në zyrat e Bashkisë ndodhi sot ajo që ndodh pas çdo grushti shteti: spastrimi nga armiqtë e ish-kryetarit.

24 orë pas tentativës së Veliajt për të ruajtur kontrollin në bashkinë e Tiranës, Ristani përmbysi urdhrat e tij dhe shkarkoi Sara Goxhajn dhe Alban Dokushin, dy emrat që lidhen ngushtë me Erion Veliajn.

Praktikisht, vendimet e saj në dokumentat më poshtë, zhbëjnë çdo firmë të kryetarit dhe spastrojnë çdo mbetje politike të Veliajt brenda institucionit, si për t’i treguar atij (dhe kujtdo tjetër që sheh ëndrra të ngjashme) se në qendrën e pushtetit ka vend vetëm për një – për shefin e madh, Edi Ramën.

Po pse gjithë ky zell? A kishte zgjedhje tjetër Anuela Ristani? Gjasat janë që JO! Nëse ajo do të vazhdonte t’i mbetej besnike Erjon Veliajt, me siguri do të kishte përfunduar në rrugë, njësoj si të tjerët.

Lexo më shumë  Qorolli i reagon LDK-së: Nëse s’dini me i fitu zgjedhjet, me çfarë legjitimiteti mendoni me qeverisë?

E veçanta e saj është se ishte e para që nuhati nëpërmjet intuitës, se një erë tjetër po frynte nëpër korridoret e bashkisë, pas arrestimit të Erjon Veliajt. Kjo u vu re, që në fjalimin që mbajti para punonjësve të bashkisë në sheshin Skënderbej, pak ditë pasi Erjon Veliaj ishte arrestuar dhe kur Rama kishte bërë disa mbledhje me skuadrën e Tiranës.

Nënkyetarja e Bashkisë, Anuela Ristani e nisi butë kthesën me disa elozhe për Erjon Veliajn, para specialistëve, policëve, lulishtarëve dhe zjarrfikësve të bashkisë. Por pastaj lëshoi mesazhin e gatshëm: “Dua t’i uroj kryeministrit rikthim të mbarë në skuadrën e Tironës”. Mjaftonte kjo fjali për të kuptuar se Veliaj tashmë ishte zëvendësuar.

Në ditët në vazhdim, Veliaj i mësoi nga qelia zhvillimet në bashki, për mbledhjet e Ramës me drejtorët, për transferimin e pushtetit tek Anuela Ristani dhe për rrëshqitjen që po i ndodhte institucionit, të cilin ai e kishte fituar me mbi 150 mijë vota në Tiranë në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Ishte kjo arsyeja që në datën 18 Mars nga qelia e Durrësit, Erjon Veliaj shkarkoi Anuela Ristanin dhe ia bësoi bashkinë dy njerëzve të tij më të afërt, Alban Dokushi, drejtor i drejtorisë juridike dhe bashkëjetueses së tij, Sara Goxhaj, e cila duhej të zëvëndësonte Anuela Ristanin. Dokumenti më poshtë:

Me këtë shkresë, Veliaj bëri një përpjekje të fundit për të ruajtur kontrollin e Bashkisë së Tiranës, një institucion që e udhëhoqi për gati 10 vjet, ku kishte arritur të krijonte një fuqi gjigande financiare prej mbi 33 miliard lekësh buxhet dhe me një rrjet besnikësh që ishin të gatshëm ta ndiqnin edhe në luftën kundër SPAk, por edhe në betejën kundër Edi Ramës.

Sepse në bazë të ligjit, Erjon Veliaj vazhdon të jetë ende në krye të Bashkisë së Tiranës. Edhe pse sot, ai po trajtohet si një i burgosur ordiner, që pëson kontrolle të vazhdueshme në qeli dhe nuk ka asnjë mundësi komunikimi me jashtë, Erjon Veliaj është de jure Kryetar i Bashkisë Tiranë i zgjedhur me votë direkte nga qytetarët.

Lexo më shumë  Çfarë përmban Marrëveshja për aleancë ushtarake? Zbardhet dokumenti Shqipëri-Kroaci-Kosovë

Vetëm se kur ndërhyn shefi i madh, nuk flitet më në emër të ligjit, por në emër të hierarkisë politike. Dhe në këtë hierarki, nuk ka vend për një të dytë afër Edi Ramës.

Kjo ishte arsyeja, që për herë të parë në jetë, “Lali” provoi mbi krye dhunën e regjimit, atë që e kanë hequr mbi shpinë qytetarë të tjerë para tij, të cilët kanë ngritur zërin përballë padrejtësive të një pushteti që nuk ngurron të përdorë dhunshëm policinë, prokurorinë dhe gjykatat ndaj atyre që i dalin kundër.

Në mesazhin që pati për mediat, i penduar për firmën që kishte hedhur si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lali shpalli kapitullimin dhe u shpreh se kishte pasur në kokë një “ide të gabuar”, se “kështu është kur punon pa informacionin e mjaftueshëm” dhe se për Edi Ramën kishte vetëm “mall” për ta takuar.

Dhe për t’i dhënë telenovelës një “happy end”, nga Bashkia e Tiranës doli sot Anuela Ristani që konfirmoi edhe një herë se Erion Veliaj kishte pasur “informacion të cunguar”. Një fjali që në zhargonin e Partisë përkthehet: “ai nuk dinte çfarë bëhej, sepse ia kishim marrë gjithçka”.

Pra, njeriu që prej vitesh ishte konsideruar nga partia si “kryetari i suksesshëm i Tiranës”, që kishte punuar për ta transformua kryeqytetin, u kthye papritmas në një të burgosur të abuzuar, të pambrojtur, pa akses dhe pa guxim për t’i dalë zot pozicionit të tij si kryetar bashkie. Që pasi e mbyllën në burg, ia morën firmën, ia mohuan vendimet dhe tani ia zëvendësuan edhe bashkëpuntorët e afërt. Në një sistem normal ky quhet puç institucional. Në Shqipërinë e 2025-ës kjo quhet “vijimësi e punës”.

Sepse në një regjim, besnikët nuk shpërblehen – ata përdoren, pastaj zhduken, ose në rastin më të mirë, zëvendësohen nga dikush që i lexon më bukur deklaratat që shkruan Edi Rama. /Përgatiti Dorian Kodra për Lapsi.al/

YouTube player