Lajme

Si u vra firmëtari i Pavarësisë Xhelal Koprëncka për hakmarrje dhe fati tragjik i pasardhësve të tij

Hakmarrja personale në Shqipëri nuk ka kursyer as firmëtarët e pavarësisë. Atë 21 tetor të vitit 1919, Xhelal Koprëncka u qëllua për vdekje në një pritë, teksa shkonte nga Skrapari në Korçën fqinje me trimat e tij në ndihmë të shqiptarëve që luftonin kundër ushtrisë greke.

Një patriot që nuk mund të rrinte duarkryq kur Greqia synonte marrjen e Korçës. Por pak rëndësi kishte kjo për një banor të zonës, i cili kishte kohë që donte vdekjen e tij.

Ai e qëlloi Koprënckën kur ky po kalonte Qafën e Martës, duke ia ndëprerë në mes të gjithë aktivitetin e tij vetëm rreth 7 vjet nga hedhja e asaj firme të rëndësishme në Vlorë, që bashkë me 41 të tjera themeluan shtetin shqiptar.

SKENA E KRIMIT

Xhelal Koprëncka bashkë me 30 trimat e tij ishte duke kapërcyer një qafë mali, kur papritur nga një pritë u dëgjua një e shtënë pushke. Ai plumb i vetëm ishte vrastar.

Xhelal Koprëncka u rrëzua i vdekur nga kali mbi të cilin ecte. Ata që e shoqëronin, jo vetëm nuk patën mundësinë t’i vinin në ndihmë, por as të ndiqnin autrorin e këtij krimi.

Shumë shpejt u mësua se autori ishte Syrja Guri, i cili arriti të ikte me shpejtësi i ndihmuar edhe nga njohja e mirë e terrenit.

ORGANIZIMI I VRASJES

Të dhënat flasin se Syrja Guri kishte kohë që ziente për të marrë hakun e dajës së vrarë, Abdurrahman Gjonit, nga vëllai i Xhelal Koprënckës. Edhe pse duket absurde se ç’lidhje kishte Xhelal Koprëncka e, për më tepër nipi për dajën, Syrja Guri e kishte ndarë mendjen që marrja e hakut duhet të ishte ndaj një njeriu sa më të rëndësishëm.

Lexo më shumë  Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë, dalin statistikat sipas komunave

Dhe në atë zonë më të rëndësishëm se Xhelal Koprëncka nuk kishte. Si të ishte sikur kërkonte dikë për të dekoruar, Syrja Gurit iu dukën të mjaftueshme të dhënat për shenjën e tij Xhelal Koprënckën, i cili ishte: firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, zëvendësministër i Luftës, komandant i Xhandarmërisë dhe duke i shtuar edhe titullin bej dhe shkollimin si ushtarak në Stamboll.

Në librin Personazhe kryesore të Shqipërisë, sipas raportit sekret të shërbimit të zbulimit të Admiralit të Marinës Ushtarake Angleze shkruhet:

“Abdyl bej Koprëncka nga Skrapari ka mendime të ndryshme nga ato të të vëllait, Xhelal bej Koprëncka, aktualisht njëri prej prijësve që turqit e rinj e kanë dërguar për të armatosur bandat shqiptare kundër italianëve” .

Pra, duket qartë se dikush e ka shtyrë autorin e vrasjes se shënjestra më e mirë ishte Xhelali dhe askush tjetër. Kjo lidhej edhe me aktivitetin e tij politik.

Në këtë kohë në zonën e Skraparit dhe Beratit nisën të shfaqeshin mbështetësit e Esad Pashë Toptanit, ndaj të cilit Xhelal Koprëncka kishte dalë hapur kundër.

Në këtë situatë edhe haku merrej, edhe eliminohej një kundërshtar i fortë politik. Syrja Guri e “zbatoi” urdhrin pak përpara nisjes së organizimeve të Kongresit të Lushnjës.

Lexo më shumë  Osmani: Liria e shtypit thelbësore për demokracinë – beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente  

VARRIMI

Ka një mister edhe më të madh pse varrimi i Xhelal Koprënckës nuk u bë në vendlindje, por në fshatin e të ëmës së tij, në Gostenckë. Në një ceremoni ku mori pjesë thuajse e gjithë zona, ra në sy përpjekja e të afërmve dhe e miqve të tij për të kapur autorin.

Vetëm pak ditë pas varrimit, Syrja Guri u kap, por ndaj tij nuk u krye asnjë veprim hakmarrës. Madje, ndërmjetësit bënë që mes dy familjeve Koprëncka dhe Guri të vendosej pajtimi.

XHELAL KOPRËNCKA I RIU 

Vrasja e firmëtarit të pavarësisë u shoqërua me një ters edhe më të rëndë për krejt familjen Koprëncka. Historiografia komuniste jo vetëm i mohoi Xhelal Koprënckës pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës, firmën e hedhur në deklaratën më të famshme në Shqipëri, por kjo firmë iu hoq fare nga kjo deklaratë.

Ai vetë mori cilësimin bej reaksionar dhe armik i popullit, ndërsa familja Koprëncka përjetoi kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimit.

Kulmin e arriti persekutimi ndaj të nipit që kishte emrin dhe mbiemrin e firmëtarit, Xhelal Koprëncka.

I arrestuar pesë here gjatë regjimit komunist, ai ishte pjesë e rëndësishme e revoltës në burgun e Spaçit më 9 maj 1979, për të cilën u dënua dhe u ekzekutua më 29 maj me pushkatim bashkë me dy persona të tjerë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *