Kuriozitete

Si ta mësojmë se ndryshimi klimatik po ndodh dhe po shkaktohet nga njerëzit?

“Shumë ekipe të pavarura shkencëtarësh kanë ardhur në të njëjtin rezultat – tek ajo se rritja e temperaturave përkon me fillimin e epokës industriale”, ka shkruar agjencia britanike e lajmeve BBC

Shkencëtarët dhe politikanët po thonë se jemi duke u përballur me një krizë planetare, për shkak të ndryshimeve klimatike.

Por cilat janë dëshmitë e ngrohjes globale dhe si mund të dihet saktë se një gjë e tillë po shkaktohet pikërisht nga njerëzit?

Agjencia britanike e lajmeve BBC sjell përgjigje në këto pyetje.

Si ta dimë që bota po ngrohet?

Planeti ynë është ngrohur me shpejtësi që nga agimi i Revolucionit Industrial. Temperatura mesatare në sipërfaqen e Tokës, sipas analizës së BBC-së, është rritur rreth 1.1 gradë celsius që nga viti 1850. Për më tepër, secila prej katër dekadave të fundit ka qenë më e ngrohtë se çdo dekadë e mëparshme, nisur që nga mesi i shekullit të 19-të.

Këto përfundime janë rezultat i analizave nga miliona matje të mbledhura në pjesë të ndryshme të botës. Regjistrimet e temperaturës mblidhen nga stacionet e motit në tokë, në anije dhe nga satelitët.

“Shumë ekipe të pavarura shkencëtarësh kanë ardhur në të njëjtin rezultat – tek ajo se rritja e temperaturave përkon me fillimin e epokës industriale”, ka shkruar BBC.

Sipas saj, shkencëtarët mund t’i rindërtojnë luhatjet e temperaturës edhe më mbrapa në kohë. Unazat e pemëve, bërthamat e akullit, sedimentet e liqeneve dhe koralet: të gjithat regjistrojnë një shenjë të klimës së kaluar. Kjo e gjeneron kontekstin shumë të nevojshëm për fazën aktuale të ngrohjes. Në fakt, shkencëtarët vlerësojnë se Toka nuk ka qenë kaq e nxehtë për rreth 125,000 vjet.

Si e dimë që njerëzit janë përgjegjës për ngrohjen globale?

Image

Gazet serrë – të cilat e bllokojnë nxehtësinë e Diellit – janë lidhja thelbësore midis rritjes së temperaturës dhe aktiviteteve njerëzore. Më i rëndësishmi është dyoksidi i karbonit (CO2), për shkak të bollëkut të tij në atmosferë. BBC-ja ka shkruar se mund gjithashtu të thuhet se dyoksidi i karbonit e bllokon energjinë e Diellit. Satelitët tregojnë se më pak nxehtësi nga Toka po shkon në hapësirë, pikërisht në gjatësinë e valës në të cilën dyoksidi i karbonit e përthith energjinë e rrezatuar.

“Djegia e lëndëve fosile dhe prerja e pemëve sjellin çlirimin e këtij gazi serrë. Të dyja aktivitetet shpërthyen pas shekullit të 19-të, kështu që nuk është për t’u habitur që CO2 atmosferik u rrit gjatë së njëjtës periudhë. Ekziston një mënyrë për të treguar përfundimisht se nga erdhi ky CO2 shtesë”, ka shkruar agjencia.

Karboni i prodhuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile ka një nënshkrim kimik të veçantë. Unazat e pemëve dhe akulli polar regjistrojnë ndryshime në kiminë atmosferike. Kur u ekzaminuan, BBC-ja shkruan se u demonstrua që karboni – veçanërisht nga burimet fosile – është rritur ndjeshëm që nga viti 1850. Analiza tregon se për 800 mijë vjet, CO2 atmosferik nuk u rrit mbi 300 pjesë për milion (ppm). Por që nga Revolucioni Industrial, përqendrimi i dyoksidit të karbonit është rritur në nivelin aktual prej gati 420 ppm.

Simulimet kompjuterike, të njohura si modele klimatike, janë përdorur për të treguar se çfarë do të kishte ndodhur me temperaturat pa sasitë masive të gazeve serrë të lëshuara nga njerëzit. Është zbuluar se do të kishte pasur pak ngrohje globale – dhe ndoshta pak ftohje – gjatë shekujve 20 dhe 21, nëse vetëm faktorët natyrorë do të kishin ndikuar në klimë. Vetëm kur futen faktorët njerëzorë, modelet mund ta shpjegojnë rritjen e temperaturës.

Çfarë ndikimi kanë njerëzit në planet?

Niveli i nxehtësisë që Toka ka përjetuar është parashikuar të shkaktojë ndryshime të mëdha në botë. Vëzhgimet në botën reale të këtyre ndryshimeve, dhe të raportuara nga BBC-ja, përputhen me karakteristikat që shkencëtarët presin t’i shohin me ngrohjen e shkaktuar nga njeriu. Në to përfshihen: Shkrirja e shpejtë e akullit në Grënlandë dhe Antarktik, numri i katastrofave që lidhen me motin është rritur nga një nga pesë faktorët gjatë 50 vjetëve, si dhe nivelet e detit në glob që janë rritur për 20 centimetra në shekullin e fundit dhe po vazhdojnë të rriten.

Që nga viti 1800 oqeanet janë 40 për qind të mbushura me acid, gjë kjo që e ka prekur theksueshëm jetën në det.

Por kaq ngrohtë nuk ishte në të kaluarën?

Ka pasur disa periudha të nxehta gjatë së kaluarës së Tokës. Për shembull, rreth 92 milionë vjet më parë, temperaturat ishin aq të larta sa nuk kishte kapele akulli polare dhe krijesa të ngjashme me krokodilët jetonin në veri deri në Arktikun Kanadez, ka përllogaritur agjencia britanike.

Megjithëkëtë, BBC-ja specifikon se kjo nuk duhet ta ngushëllojë askënd, sepse njerëzit nuk ishin aty pranë.

“Ndonjëherë në të kaluarën, niveli i detit ishte 25 metra më i lartë sesa tani. Një rritje prej 5-8 metrash konsiderohet e mjaftueshme për ta zhytur shumicën e qyteteve bregdetare të botës”, shkruan BBC, duke shtuar se ekzistojnë prova të shumta rreth zhdukjes masive të jetës gjatë këtyre periudhave. Dhe modelet klimatike sugjerojnë se, nganjëherë, tropikët mund të ishin bërë “zona të vdekura”, shumë të nxehta që shumica e specieve të mbijetonte. \ Analizë e BBC-së./kohanet/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *