Si “Spin Doctor-ët” e Tiranës po e mbysin të vërtetën e Zvërnecit dhe Rrjollit
Shkruan Gëzim Mekuli
Kur flitet për komunikimin publik, teoria na thotë se “spin doctor-ët” janë thjeshtë mjeshtër të retorikës që paketojnë lajmin të porositur nga pushteti.
Por në realitetin mediatik të Tiranës, ky përkufizim ka pësuar një mutacion të rrezikshëm. Në Shqipëri, arti i “spin-it” nuk është më një përpjekje legjitime për të bindur, por një instrument i pastër censure, manipulimi, propagande dhe ngulfatjeje të zërit qytetar. Rasti më i fundit dhe më flagrant i kësaj makinerie propagandistike është heshtja totale dhe devijimi i qëllimshëm që mediat kryesore në Tiranë i bënë protestës masive të shqiptarëve kundër ndërtimeve shkatërruese në Zvërnec të Vlorës e në Rrjoll të Velipojës.
Çfarë ndodh kur interesi publik përplaset me axhendat ekonomike të pushtetit të Edi Ramës?
Ndodh ajo që mund të quhet “vrasje mediatike me paramendim”. Protesta e guximshme e qytetarëve shqiptarë dhe aktivistëve, të cilët u ngritën në mbrojtje të tokave shqiptare, të trashëgimisë natyrore dhe të një prej ekosistemeve më unike të Shqipërisë, u fshi nga radari i televizioneve, radios, portaleve dhe gazetave të rreshtuara e të kontrolluara nga dRama.
Ky maskarrallëk nuk ishte një harresë editoriale. Ky ishte produkti i pastër i “spin doctor-ëve” që paguhen nga zyrat e pushtetit për të kontrolluar lajmin dhe të vërtetën. Përballë një revolte të pastër qytetare për mbrojtjen e natyrës dhe të ardhmërisë së fëmijëve, strategjia e këtyre këshilltarëve politikë-ekonomik u ndërtua mbi dy shtylla: censurën e plotë dhe, aty ku heshtja ishte e pamundur, manipulimin e motiveve (Greqia po ndërhynë, myslimanët fanatik po ndikojnë, minoriteti grek është i përzier, protestuesit kishin ardhë nga Greqia me autobusë…)
Përmes teknikave të tyre manipuluese, një protestë kombëtare për dinjitet dhe mbrojtje territori u tentua të shitej në publik ose si një lëvizje periferike e parëndësishme, ose si një lojë e nxitur nga interesa greke apo myslimane fanatike!
Ngulfatja e lajmit
Sot, mediat e mëdha në #Tiranë funksionojnë si bisht i zyrës së shtypit të Kryeministrisë. Kontrolli i lajmit ka arritur në nivele ku agjenda informative nuk përcaktohet nga interesi i qytetarëve, por nga nevojat e imazhit të Edi Ramës dhe #oligarkëve që përfitojnë nga betonizimi i vijës bregdetare.
Kur media refuzon të pasqyrojë qindra-mijëra njerëz që bërtasin për drejtësi në Zvërnec e në Velipojë, ajo pushon së qeni një “pushtet i katërt” dhe kthehet në një mburojë për korrupsionin shtetëror.
Në vend që ekranet të tmerroheshin nga betonizimi i zonave të mbrojtura, “spin doctor-ët” e ushqyen opinionin publik me kronika të gatshme, barbi-gazetari, suksese imagjinare turistike dhe sulme të koordinuara ndaj kujtdo që guxon të ngrejë zërin. Kjo është kapja e plotë e hapësirës publike. Diktatura në veprim. Pikë!
Megjithatë, kjo ngulfatje mediatike tregon qartë frikën e një pushteti që nuk përballet dot me të vërtetën e zhveshur. Protesta për Zvërnecin dhe Rrjollin nuk është thjesht një marshim lokal; ajo është një betejë ekzistenciale për atë që ka mbetur nga pasuria publike e Shqipërisë. Ndërsa Tirana zyrtare dhe mediat e saj të blera përpiqen ta mbajnë këtë revoltë të izoluar, mbështetja ndaj kësaj kauze duhet të shtrihet në çdo shesh dhe në çdo cep të Shqipërisë dhe kudo ku ka shqiptarë.
Revolta qytetare në Tiranë dhe mbështetja e pakushtëzuar për mbrojtjen e tokave në #Zvërnec dhe #Rrjoll është përgjigjja më e mirë ndaj këtij regjimi censure. Kur mediat televizive fikin kamerat, qytetarët duhet të ndezin telefonat e tyre; kur “spin doctor-ët” ndryshojnë kahjen e bisedës, sheshi shqiptar duhet të bërtasë më fort e më guximshëm.
“Spin doctor-ët” e rilindjes mund të jenë të suksesshëm në kontrollin e faqeve të para të portaleve dhe edicioneve informative të orës 20:00, por ata nuk mund të kontrollojnë realitetin në terren. Zvërneci dhe Rrjolli është dëshmia e radhës se si makineria e propagandës së Edi Ramës përdor median për të fshehur grabitjen e pronës publike.
Koha ka treguar se asnjë paketim retorik, sado i kushtueshëm apo i hollë, nuk mund ta fshehë dot përjetësisht shkatërrimin e natyrës dhe tradhtinë ndaj interesave kombëtare shqiptare. #Rezistenca në shesh është e vetmja rrugë për të thyer këtë monopol të gënjeshtrës të paketuar nga Spin doktorët e Edi dRamës.
Rruga Press

