Bota

Si Rusia po përsërit gabimet e saj që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Ukraina ka lavdëruar suksesin e saj të fundit në “nxjerrjen nga loje” të një morie tankesh dhe automjetesh të blinduara ruse pranë ish bastionit ukrainas Avdiivka, duke ilustruar një strategji ruse që vazhdon t’i bëjë jehonë gabimeve që i kushtuan shtrenjtë Moskës në javët e para të luftës.

Kievi tha të hënën se parashutistët nga Brigada e 25-të Ajrore e vendit kishin ndalur një sulm “masiv” rus afër fshatit Tonenke, duke shkatërruar katër tanke dhe dy automjete luftarake të këmbësorisë direkt në perëndim të Avdiivka, shkruajnë mediat e huaja.

Brigada, në një deklaratë të veçantë, tha thjesht se kishte “shkatërruar një kolonë me pajisje armike”.

Dhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW), një institut amerikan që ndjek nga afër konfliktin në Ukrainë, e përshkroi sulmin rus rreth Tonenke si “sulmin e parë të mekanizuar të madhësisë së batalionit” të Moskës që kur Kremlini filloi ofensivën e tij në Avdiivka tetorin e kaluar.

Një batalion tankesh rus zakonisht përmban më shumë se 30 automjete.

Andaj, pavarësisht prej pretendimit për marrjen e Avdiivka në mes të shkurtit – fitorja e parë e madhe e Rusisë që nga rënia o Bakhmut në maj 2023 – humbja e kaq shumë automjeteve me një goditje po vlerësohet si një kthim për gabimet e hershme dhe humbjet e larta që pësoi Moska në fazën e parë të pushtimit të saj në shkallë të plotë dy vjet më parë.

Lexo më shumë  98-vjeçarja ukrainase rrëfen udhëtimin e vështirë, si eci në këmbë për t’i shpëtuar ushtrisë ruse

“Ka disa ngjashmëri midis këtij sulmi rus pranë Tonenke dhe atyre sulmeve ruse në fillim të luftës”, ka thënë Bryden Spurling, udhëheqës i lartë i kërkimit për mbrojtjen dhe sigurinë me degën evropiane të grupit të ekspertëve RAND.

“Është e habitshme që kolona në Tonenke përdorte kryesisht një rrugë të vetme dhe nuk dukej se përdorte terrenin e hapur [në të dyja anët] dhe përhapte forcat e saj, megjithëse duket se disa automjete u përpoqën të shpërndaheshin”, tha ai për Newsweek.

Ekuipazhet ruse mund të kenë qenë të shqetësuar për terrenin me baltë ose minat, shtoi ai, duke thënë: “Sido që të jetë, këto ishin humbje të konsiderueshme të tankeve dhe mjeteve luftarake të këmbësorisë”.

“Pranë Tonenke, ne pamë pothuajse të njëjtat gabime nga ana e tyre si pranë Vuhledarit në vitin e kaluar”, theksoi Majori Victor Tregubov, një gazetar dhe redaktor ukrainas që tani shërben në ushtrinë ukrainase, për Newsweek.

Vuhledar, një fshat i vogël në Ukrainën jugore, ishte skena e përleshjeve intensive për disa javë në fillim të vitit 2023.

Zyrtarët ukrainas i thanë The New York Times në atë kohë se ishte “beteja më e madhe e tankeve e luftës deri më tani”.

Rusia thuhet se që atëherë “ka djegur” arsenalin e saj të tankeve.

Në shkurt, Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një institut kërkimor me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, vlerësoi se Moska kishte humbur më shumë se 3,000 tanke në dy vjet luftë – më shumë se e gjithë flota e saj aktive e paraluftës.

Megjithatë, Moska e ka vënë industrinë e saj masive të mbrojtjes në një bazë lufte, duke ndihmuar në rimbushjen e flotës së saj, ndërkohë që ende merr goditje të vazhdueshme nga forcat ukrainase.

Prodhimi vendas i tankeve ruse është rritur pesëfish që nga shkurti i vitit 2022, tha presidenti rus Vladimir Putin në fillim të këtij viti.

Kremlini ka tërhequr gjithashtu tanke të vjetra nga magazinimi dhe po rifunksionalizon automjetet e vjetra për të transportuar dhe shpërthyer eksplozivë rreth një objektivi.

YouTube player