KryesoreLajme

Si regjimi i Vuçiqit dhe Lista Serbe po përdorin shantazhet dhe kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë

Derisa Kosova po bëhet gati për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare të caktuara për 7 qershor, regjimi autoritar në Beograd, i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, po aktivizon përsëri makinerinë e mirënjohur të frikësimit, përndjekjes politike dhe terrorit ekzistencial ndaj serbëve të Kosovës.

Ngjarjet e fundit në komunën e Graçanicës kanë zhveshur realitetin brutal: kushdo që refuzon bindjen e verbër ndaj dorës së zgjatur të Vuçiqit — Listës Serbe — përballet me humbje të menjëhershme të vendit të punës, ndërprerje të mjekimit dhe kërcënime të hapura nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Keqpërdorimi i institucioneve paralele, të cilat Serbia i mban ilegalisht në Kosovë, është shndërruar në një gjueti të hapur ndaj kundërshtarëve politikë, gjë që dëshmon për mungesën e plotë të pluralizmit demokratik në mjediset me shumicë serbe.

Shuplaka ekzistenciale për kundërshtarët: Shkarkimet në shëndetësi dhe arsim

Rastet e Gordana Nedelkoviqit dhe Mirosllav Ristiqit nga Graçanica pasqyrojnë qartë modus operandi-n e regjimit të Vuçiqit. Nedelkoviq, e cila kaloi 35 vjet duke punuar si teknike laboratori në Shtëpinë e Shëndetit atje, dhe Ristiq, profesor i mësimit praktik me dy dekada përvojë pune në Shkollën Elektroteknike, u hodhën në rrugë brenda natës. Mëkati i tyre? Refuzimi për të mbështetur Listën Serbe dhe përkrahja e hapur për partinë pro-evropiane dhe pro-Kosovës “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, e cila udhëhiqet nga Nenad Rashiq.

Në vendimin zyrtar për shkarkimin e Gordana Nedelkoviqit, në të cilin Radio Evropa e Lirë (REL) ka pasur qasje, Beogradi as që mundohet ta fshehë motivimin politik.

Në dokument thuhet shprehimisht se ajo u shkarkua sepse përcaktimi i saj politik është në kundërshtim me „interesat e popullatës serbe“.

Për ta bërë brutalitetin edhe më të madh, Mirosllav Ristiqit, i cili po lufton me kancerin prej pesë vitesh, regjimi ia ndërpreu menjëherë sigurimin shëndetësor dhe ia mohoi udhëzimet e nevojshme për mjekim në Beograd. Kjo praktikë çnjerëzore tregon se shteti partiak i Vuçiqit nuk nguron të rrezikojë as jetët e njerëzve për të siguruar „vota të sigurta“.

Lexo më shumë  Merz: Ukraina të bëhet anëtare e asociuar e BE-së, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vëzhguese

„Ky është një akt frikësimi. Pas këtyre shkarkimeve njerëzit janë të tmerruar. Ata komunikojnë me ne fshehurazi, por nuk guxojnë publikisht“, deklaroi Aleksandar Nedelkoviq, bashkëshorti i Gordanës së shkarkuar, raporton REL.

 Përgjigja institucionale e Kosovës dhe paniku në Beograd

Pasi ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, alarmoi opinionin me informacionin se rreth 20 persona tashmë kanë marrë njoftime për shkarkim nga puna, dhe se po përgatitet një spastrim për 40 kundërshtarë të tjerë, institucionet e Kosovës reaguan me qëllim të mbrojtjes së sundimit të ligjit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë ndaluar shtatë persona të nacionalitetit serb (përfshirë drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të kontrolluara nga Beogradi) nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, porositi se këto akte janë të orkestruara drejtpërdrejt nga Serbia me qëllim të deformimit të vullnetit politik të qytetarëve.

Ushtruesi i detyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi situatën si alarmante, duke theksuar se presioni i Beogradit nuk ka qenë kurrë më i madh.

“Beogradi zyrtar po ushtron një lloj terrori mbi serbët në Kosovë, duke kërkuar që ata të rreshtohen në radhët e Listës Serbe pothuajse sikur të bëhej fjalë për një ushtri në kohë lufte”, vuri në dukje Kurti, duke shtuar se Beogradi përmes këtyre aktiviteteve ilegale po përpiqet dëshpërimisht të mbajë dualizmin institucional në territorin e Republikës sovrane të Kosovës.

Retorika luftënxitëse e Ivica Daçiqit: Kërcënime nga vitet e errëta të nëntëdhjeta

Në vend që të përballej me provat e shantazhit, Beogradi zyrtar reagoi me një retorikë agresive dhe kërcënuese që të kujton periudhat më të errëta të regjimit të Millosheviqit.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, kërcënoi hapur të gjithë ata që bashkëpunojnë met autoritetet e Kosovës ose mbështesin pluralizmin:

Lexo më shumë  Shmangie nga tatimi, Milaim Zeka dënohet me burgim me kusht - obligohet t'ia paguajë ATK-së 81 mijë euro

„Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë është e vendosur në qëllimin që të gjithë përgjegjësit për këtë akt antiserb të trajtohen në mënyrën më të rreptë në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë“, deklaroi Daçiq, duke paralajmëruar përndjekjen e atyre që kontribuan në zbulimin e shantazheve kriminale.

Në të njëjtën kohë, drejtori i të ashtuquajturës zyrave për Kosovë, Petar Petkoviq, dhe funksionari i Listës Serbe, Igor Simiq, u përpoqën ta paraqesin arrestimin e shantazhuesve si „sulm ndaj shëndetësisë dhe arsimit serb“, duke përdorur një narrativë etno-nacionaliste për të fshehur përgjegjësinë e tyre për shkeljen e ligjit.

 BIA në kufij: Gjueti ndaj simpatizantëve të Rashiqit

Presioni nuk përfundon brenda komunave të Kosovës. Sipas dëshmive të Nenad Rashiqit, qytetarët që shfaqin simpati ndaj opsionit të tij ndalohen në mënyrë sistematike në vendkalimet kufitare nga Agjencia Serbe për Siguri dhe Informacion (BIA).

Atje ata i nënshtrohen bisedave informative dhe presioneve për t’u deklaruar se për kë do të votojnë më 7 qershor, gjë që paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë të aparatit të sigurisë të një shteti në procesin zgjedhor të një vendi fqinj, sovran.

Fundi i monopolit të Listës Serbe?

Monopoli shumëvjeçar i Listës Serbe, e cila mban nëntë nga dhjetë mandatet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, nuk bazohet në vullnetin e lirë të qytetarëve, por në fondet milionëshe me të cilat Beogradi blen vota dhe në aparatin brutal të shantazhit që gllabëron fatet e njerëzve të thjeshtë.

Derisa funksionarët e Listës Serbe, si Igor Simiq apo Zllatan Elek, grumbullojnë funksione të shumta dhe paga që arrijnë edhe mbi 3.000 euro në muaj, qytetarët e thjeshtë humbasin të drejtën për punë dhe mjekim nëse mendojnë me kokën e tyre. /The Geopost/

YouTube player