EditorialKryesore

Si quhet koha kur një copë Vuçiqi i quan vendet e QUINT-it gënjeshtarë?

Në vitin 2011 u bë regjistrimi i popullsisë, të cilin shqiptarët e Luginës së Preshevës e bojkotuan plotësisht. Asokohe procesi i regjistrimit, pavarësisht thirrjeve nga pala shqiptare në Serbi, u realizua dhe u njoh zyrtarisht si nga shteti serb, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.

Shqiptarët refuzuan procesin e regjistrimit për arsyen se ai nuk garantonte kushtet për një regjistrim të drejtë. Disa argumente që shembullizonin këtë mungesë kushtesh ishin:

– Një pjese të shqiptarëve u pamundësohet regjistrimi ngaqë jetojnë jashtë shtetit, nuk është përpiluar infrastruktura që mundëson regjistrimin e mërgatës

– Në vitin 1999 dhe 2001 ka ndodhur dëbimi i një pjese të shqiptarëve të Luginës, të cilët as nuk kanë mundur të rikthehen e as janë pajisur me dokumente identifikimi nga shteti serb

– Përpilimi i listave të regjistrimit janë shkruar vetëm në gjuhën serbe dhe me alfabetin cirilik

Sipas këtyre argumenteve regjistrimi në këto kushte do të rezultonte në deformim të gjendjes reale demografike në vend. Kjo lëvizje synonte të tërhiqte vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, në mënyrë që të ndërhyej dhe të mundësohej një regjistrim i drejtë. Por, nuk pati asnjë ndërhyrje, regjistrimi vazhdoi, u njoh dhe u përshëndet nga faktori ndërkombëtar. Kjo i pëlqeu shumë udhëheqësve serbë dhe e çuan diskriminimin edhe më tej. Aty filloi edhe zhvendosja e disa institucioneve nga komunat shqiptare nëpër ato serbe, dhe ca më vonë nisi edhe procesi famëkeq i pasivizimit të adresave të shqiptarëve, duke e ulur edhe më tej artificialisht numrin e tyre. Ky proces mori emrin e një spastrimi etnik me metoda administrative.

Këtë të diel, në komunat veriore në Kosovë mbahen zgjedhje lokale të jashtëzakonshme, si pasojë e dorëheqjes së kryetarëve të komunave me urdhër të Beogradit, pas përplasjes rreth çështjeve të targave, pas ndezjes së trazirave artificialisht si në rastin e barrikadave në veri, edhe me pretekstin se ky bojkotim i institucioneve është si pasojë e mosthemelimit të Asociacionit në Kosovë, si dhe me argumentin e shtirur se Policia e Kosovës po ushtron presion në popullsinë serbe.

E vërteta është që këto trazira i krijoi Lista Serbe e Vuçiqit me bandën e tyre kriminale që terrorizon në baza ditore vetë popullsinë serbe në veri, në disa raste duke rrahur persona të caktuar dhe duke djegur makinat e ca të tjerëve, të cilët kishin vendosur në makinat e tyre targa të shtetit të Kosovës. E vërteta, poashtu, është se bandat kriminale të Listës Serbe të Vuçiqit qëlluan disa herë në drejtim të Policisë së Kosovës, e në njërin rast një efektiv policie përfundoi i plagosur.

Lexo më shumë  Bislimi në Poloni, pjesëmarrës në panelin në temën për zgjerimin e BE-së

Tani Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi po bojkoton zgjedhjet në veri dhe me strukturat e tyre kriminale po bën presion te qytetarët e këtyre komunave që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Nga ana tjetër, Vuçiqi u paraqit shumë i revoltuar me faktorin ndërkombëtar, respektivisht, me vendet e QUINT-it, ambasadorët e të cilëve kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në votim, si dhe kanë shprehur qëndrimin se do i njohin këto zgjedhje, pavarësisht pretendimit të Vuçiqit dhe partisë së tij kukull në Kosovë, se nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve.

Vuçiqi e shprehu revoltën duke u hakërryer mbi faktorin ndërkombëtar, duke thënë se kjo është e turpshme dhe se ata janë gënjeshtarë.

“Jemi duke marrë pjesë në zgjedhje që prej 10 vitesh dhe ju ende s’e keni formuar Asociacionin për 10 vjet. Tani vijmë te kjo, do të jem i drejtpërdrejtë, është turp për QUINT-in. Do t’i mbajnë zgjedhjet dhe ata do t’i pranojnë ato. Ka kandidatë të Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, që do t’i marrin katër përqind të votave. Turp për të gjithë, për të gjithë QUINT-in, janë të gjithë gënjeshtarë”, ka thënë Vuçiqi të enjten në TV Prva.

Vuçiqit i pëlqeu shumë kur “QUINT-i” njohu regjistrimin e vitit 2011 në Serbi, e këtë e përdori për të përgatitur spastrimin e radhës ndaj shqiptarëve. Por tani, kur QUINT-i njeh zgjedhjet në veri të Kosovës, kjo i duket e turpshme dhe ata vende i duken të përbërë nga përfaqësues gënjeshtarë.

Janë dy dallime mes rastit të regjistrimit të vitit 2011 dhe me këto zgjedhje tani në Kosovë:

1. Kërkesën për plotësim të kushteve në Luginë e parashtronin qytetarët shqiptarë, kërkesën për plotësim të kushteve në komunat veriore të Kosovës e parashtron Vuçiqi, Lista Serbe dhe kriminelët e tyre, disa prej të cilëve janë aktualisht në kërkim për trafikim dhe vepra të tjera penale.

Lexo më shumë  Shënohet Dita Botërore e Fëmijëve, Kurti: Fëmijët janë themelet e jetës

2. Bojkotimin në Luginë e bënë qytetarët shiptarë pa u bërë askush ndonjë presion, bojkotimin në komunat në veri të Kosovës e pretendon Vuçiqi, Lista Serbe dhe struktura e tyre kriminale, duke kërcënuar dhe duke djegur makinat e qytetarëve të etnisë serbe.

3. Serbia po bënte regjistrim ku një pjesë e shqiptarëve pavarësisht dëshirës së tyre, objektivisht nuk mund të regjistroheshin, kurse Kosova po bën zgjedhje ku Lista Serbe me dëshirën e saj, zgjedh subjektivisht të mos regjistrohet, e kur Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje, si faktori ndërkombëtar, që ata, nëse parapëlqejnë të regjistrohen në garën zgjedhore.

Këto janë dallime drastike, ku turpi i takon shtetit serb dhe përfaqësuesve të tij, në të dyja rastet. Atëherë nuk regjistronte shqiptarët, kurse tani tenton me çdo mjet e mënyrë ta zhbëjë shtetësinë e shtetit shqiptar të Kosovës.

Por, turpi më i madh vërtet që i takon QUINT-it, e këtu Vuçiqi ka të drejtë, por jo për arsyet që thotë ai.

Njohja e regjistrimit të vitit 2011 nga ndërkombëtarët ishte turp dhe papërgjegjësi e rëndë, ashtu siç më vonë ishte i turpshëm mosreagimi i tyre kur ndodhi pasivizimi i adresave në Luginë të Preshevës. Siç është shumë turp për ta edhe fakti që pas dhjetra dredhish, kërcënimesh për destabilizim të rajonit, pas blerjes së armëve ruse dhe kineze, pas bashkëpunimit të ngushtë gjeostrategjik dhe ekonomik me këto dy të fundit, pas mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Perëndimi vazhdon dhe e përkëdhel Vuçiqin dhe Serbinë me shpresën se krehja e bishtit do e bëjë Serbinë ta kthejë kokën nga Perëndimi.

Është një turp i vërtetë për vendet e QUINT-it që një vend autoritar, me mendësi gjenocidale, gati për të hapur luftën e radhës, një shtet i korruptuar deri në palcë, me pushtetarë që në pushtet i mban mafia dhe klanet oligarkike të lidhura me Rusinë putiniste, ky vend dhe presidenti i këtij vendi merr guximin që t’i quajë ata gënjeshtarë.

Është shumë e turpshme dhe e pakapërdishme se si një copë Vuçiqi i quan vendet e QUINT-it gënjeshtarë dhe ata, me siguri, do i përgjigjen fuqishëm duke i nisur fondin e radhës disa qindra-milionësh nga BE-ja, që ky më pas të blejë edhe ca armë të tjera nga Kina dhe Rusia.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *