Si ndodhi që mediat e afërta më Vuçiqin ‘terrorizuan’ publikun me informacione të pavërteta, të cilat Policia e Qeveria e Kosovës i hodhën poshtë
Gjatë dy ditëve të vikendit ka pasur raportime të shumta në media në Serbi, të cilat janë të afërta me pushtetin atje, duke auluduar se Policia e Kosovës po ‘terrorizon” serbët lokal në veri të vendit.
Këto media kanë shkruar e alarmuar se “Policia e Kosovës ha hyrë në Ujman” e lajme të tjera që më vonë janë demantuar nga institucionet e Kosovës.
Përveç mediave në Serbi, informata të pavërteta ka shpërndarë edhe vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili mbrëmë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, tha se serbët në Kosovë i pret një natë e vështirë.
Ai u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe paqësor dhe të mos bien në provokime, si dhe të respektojnë KFOR-in dhe EULEX-in. Me retorikë të dezinformatave kanë vazhduar edhe mediat tjera të afërta me Vuçiqin.
Përveç tyre, deklarata të tilla ka bërë edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Ai paralajmëroi kaos në veri, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës ka thënë se “sonte do ta dërgojë ROSU-në dhe njësitë tjera të armatosura deri në dhëmbë në veri të Kosovës”.
“Sipas informacioneve që kemi, Albin Kurti në takimin që ka pasur me strukturat e tij të sigurisë njoftoi se sonte ( dje) do të dërgojë ROSU të armatosur dhe njësitet tjera në veri të Kosovës për të përndjekur popullin tonë dhe për të kryer “Stuhinë””, tha Rakiq.
Në anën tjetër qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kjo është e pavërtetë dhe se shpikjet e tilla, sipas tij, kanë për qëllim “arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit”, të cilat “duhet të largohen menjëherë”.
“Ftojmë qytetarët tanë në veri që t’i ndjekin njoftimet dhe t’u besojnë institucioneve tona dhe të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale, që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten”, tha Kryeziu.
Pra as njësia speciale në Ujman e as nuk ndodhi tmerri për serbët në veri në ditën e djeshme, thjesht këto ishin raportime e deklarata jo të vërteta e jo profesionale.
Zyrtarët serb nuk ndaluan me kaq shpikjet e tyre. Gjatë ditës së djeshme drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se një qytetar serb është keqtrajtuar afër liqenit të Ujmanit, nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Por pretendimet e tij i ka hedhur poshtë Policia e Kosovës, duke thënë se zyrtarët policorë nuk kanë “maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm kanë legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”.
Në veri të Kosovës, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë qysh të shtunën pasdite.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të barrikadave. /Telegrafi/
Rruga Press