Si mund të shfaqet “artistikisht” me kaq lehtësi simbolika enveriste në Sunny Hill
Për tri netë rresht “Sunny Hill Festival”u zhvendos në Tiranë duke sjellë performancat e artistëve më të njohur të momentit.
Por ajo çfarë tërhoqi vëmendjen e rrjetit më tepër se atmosfera dhe muzika ishte dita e tretë përmbyllëse e festivalit të Dua Lipës. Kjo pasi në momentin kur po performonte grupi Asgjë Sikur Dielli u shfaq në skenën gjigante, para mijëra të rinjve, flamuri shqiptar me yllin komunist në krye.
Ky është një simbol që u vendos mbi flamurin shqiptar në vitet e para të diktaturës, i cili u hoq përgjithmonë në 1992.
Ende nuk është e qartë nëse organizatorët e kanë ngatërruar apo e kanë vendosur të vetëdijshëm flamurin me yllin komunist në skenën e festivalit, apo kjo ishte “meritë” e grupit Asgjë Sikur Dielli, për të luajtur me simbolikat e kohëve të errëta për Shqipërinë.
Ajo çfarë mund të konstatohet është se fotoja ka ngjallur shumë reagime në rrjet pasi prania e yllit në flamurin komëtar përfaqëson një ndër sistemet më te egra dhe më të dhunshme totalitare në Evropë, diktaturën e Enver Hoxhës. Duke qenë se Shqipëria nuk kaloi nëpër një proces të gjerë të vendosjes së drejtësisë dhe të dëjimeve të krimeve të regjimit enverist, sot është fare e lehtë që simbolikat e këtij regjimi të përdoren për arsye “artistike” përpara syve të popullit të e pësoi krimin e këtij regjimi.
Situata është edhe më e dhimbshme. Gjatë kohës së kësaj “performance” ku u shpalos flamuri shqiptar me yllin pesëcepësh të regjimit sadist enverist, shumë të rinj aty në hapësirat e festivalit po këndelleshin duke kënduar himnin kombëtar. Kjo gjë tregon për një paqartësi shqetësuese në raport me historinë dhe dhimbjet kombëtare, sidomos ndër gjeneratat e reja.
A e imagjinojmë dot që të bëhet një performancë artistike me simbolet e regjimit të Hitlerit, Duçes, Stalinit, etj? Me shumë mundësi jo, sepse këto regjime, pas rënies së tyre, të paktën pjesërisht, kanë kaluar nëpër faqet e errëta të historisë. Po a mund të flitet njëlloj edhe për enverizmin? A mos ndoshta kjo lehtësi e risjelljes së simbolikave të regjimit enverist lidhet pikërisht me mosçuarjen e këtij regjimi në anën kriminale dhe të ndyrë të historisë? Mos ndoshta ky regjim ka fituar, por ka ndryshuar vetëm emër dhe formën se si paraqitet?
Rruga Press