Bota

Si mund të sekuestrohen paratë e oligarkëve rusë? Zbulohet propozimi i KE: Pika kryesore ka të bëjë me…

Komisioni i BE-së propozoi rregulla të reja për të lehtësuar shpronësimin e pasurive të krijuara me aktivitete ilegale që synojnë marrjen e masave edhe ndaj oligarkëve rusë.

Kur flitet për rindërtimin e Ukrainës mbas luftës të shkaktuar prej sulmit të Rusisë, atëherë ndjenja e drejtësisë bën që të mendosh menjëherë për miliardat e oligarkëve të Putinit, që ndodhen në listen e sanksioneve ndërkombëtare. Pasuritë e tyre duhen marrë dhe duhen përdorur për Ukrainën. Këtë kërkojnë politikanët. Por kjo është më e vështirë, se sa mendojnë disa.

Çfarë propozon Komisioni i BE?

Brukseli do të krijojë një kuadër ligjor për vendet anëtare të BE, për ta bërë më të lehtë konfiskimin dhe shpronësimin e parave që vijnë nga aktivitetet kriminale. Deri tani rregullat kanë qenë shumë të ndryshme, shumë i vështirë është shpronësimi. Propozimet synojnë kryesisht terrorizmin ose kriminalitetin e organizuar ndërkufitar, por ato mund të zbatohen edhe për pasuritë e oligarkëve, që ndodhen në listen e sanksioneve të BE.

Pika kryesore ka të bëjë me përshpejtimin e proceseve. Nëse një gjykatë kombëtare është e bindur se paratë vijnë nga aktivitete kriminale, atëherë ato duhet të ngrijnë para dhënies së dënimit. Në rast dyshimi Gjykata do të kishte shtatë ditë kohë për të marrë vendimin përfundimtar. Sepse paratë kanë “tendencën që të zhduken”, thotë Komisarja Ylva Johansson. Rregullat do të vlejnë edhe për ridhënien e parave të sanksionuara, përfshirë transferat tek anëtarët e familjes.

Sa i përket oligarkëve rusë, shumë vende anëtare të BE kanë vështirësi ligjore për ngrirjen dhe marrjen e parave në përgjithësi. BE ka tashmë në dispozicion mundësinë që nëpërmjet informantëve të njoftojë shkeljen e sanksioneve. Por në disa vende ato shihen vetëm si mos zbatim ligji. Prandaj Brukseli propozon tani që ta kthejë shkeljen e sanksioneve kudo në vepër penale.

Ndryshimet në ligjet kombëtare bëjnë edhe që oligarkët të shkojnë atje ku e kanë më të lehtë për të shpëtuar, thotë Komisari për çështjet juridike, Didier Reynders. Nëpërmjet unifikimit të ligjeve kjo gjë bëhet e pamundur. Dhe së fundi, paratë e përkrahësve miliarderë të Putinit duhet të futen në Europë, në një fond të përbashkët për rindërtimin e Ukrainës.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Më e vështirë se sa shpresohet

“Duhen bërë dallime midis pasurive kombëtare dhe atyre private,” thotë studiuesja e shkencave ekonomike Maria Demertzis nga Instituti Bruegel në Bruksel. Në raundin e parë të sanksioneve u vendos, që të ngrijnë pasuritë e Bankës Qendrore ruse. „Ajo nuk i përket qeverisë, por kombit rus. Ta ngrish apo të marrësh pasuritë e saj është një gjë shumë e vështirë. Mbi bazën e çfarë të drejte juridike mund të konfiskohet pasuria kombëtare? (…) Me të preken ligjet bazë dhe pa futjen e një kuadri ligjor mund të jetë shumë e dyshimtë.”

Procesi mund të jetë shumë i thjeshtë në pasuritë private, megjithatë ai shpesh kthehet në “lojë macja me miun”. Sepse është e vështirë t‘i identifikosh paratë, t’i gjesh dhe t’i marrësh.

A ka bërë BE gabime duke formuluar sanksionet e deritanishme kundër Rusisë? SHBA ka më shumë përvojë në këtë fushë, thotë ekonomistja, BE ndodhet në fazë mësimi.

Por vendet anëtare mund të kërkojnë kudo për pasuritë e pataksuara ose për mashtrimet kriminale. Këto do ishin arsye të mjaftueshme për të bërë konfiskime pasurish. Megjithatë: Nëse me sanksionet kundër Rusisë duhen dëmtuar financat, atëherë do ishte më mirë të synoheshin embargo nafte dhe gazi, në vend që të ndiqeshin oligarkë të veçantë, që ashtu kështu operojnë prej kohësh jashtë Rusisë, thotë Demertzis.

Pasuritë ruse është e vështirë të gjenden

Pavarësisht nga disa aksione spektakolare, si konfiskimi i jahtëve, shumë nga vendet e G7, mes të cilëve pjesa më e madhe janë vende anëtare të BE-së, nuk janë të përgatitur për të identifikuar në përgjithësi pasuritë e oligarkëve. „Atyre u mungojnë aftësitë dhe kompetencat të kërkojnë për të gjetur pasuritë ilegale,” shkruan organizata joqeveritare Transparency International në një raport të fundit për temën. Qeveritë ndodhen para problemeve ligjore të mëdha, nëse përpiqen t‘i marrin këto pasuri dhe t’ia kthejnë mbrapsht viktimave të korrupsionit.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Por që prej vitit 2004, kur u dhanë për herë të parë ndërkombëtarisht këshilla për të përmirësuar instrumentat për këtë çështje, nuk është bërë asgjë. „Kleptokratët kanë ende mundësi të shumta për të fshehur paratë e tyre përtej kufijve.” Sektori i pasurive të patundshme është ende një vrimë për të futur paratë e pista. Sidomos aty ku është ende e lejuar prona e paregjistruar.

Ekspertja e Transparency, Maira Martini kërkon që vendet të veprojnë më në fund: „Të njëjtat hapësira që i krijojnë mundësinë kleptokratëve që të shtojnë dhe fshehin pasurinë e tyre, pengojnë autoritetet e vullnetshme për t’i gjetur ato.” „Shtetet duhet ta shoqërojnë retorikën ambicioze për të vënë para përgjegjësisë elitat ruse me „punë të madhe dhe të sinqertë”. Këtu bëjnë pjesë ndër të tjera edhe shtimi i burimeve për policinë dhe drejtësinë.

Kritikët paralajmërojnë për pasojat ligjore

Deputeti europian i partisë Kristiansociale, Markus Ferber bën pjesë tek ata që i kritikojnë plane të tilla. Ai mendon se rreziqet juridike janë më të mëdha se sa përfitimi që del nga zbatimi i sanksioneve. Megjithatë ai mendon se është e drejtë që shkeljen e sanksioneve ta kthesh kudo në Europë në vepër penale, thotë zëdhënësi për politikën ekonomike të fraksionit të partive popullore, EVP. Pavarësisht nga kjo, ai e vlerëson propozimin e Komisionit të BE si shumë “politikë simbolike”.

Nuk duhet t’u hiqet vija me një të shkelur suste parimeve të shtetit të së drejtës, vetëm e vetëm që të preken pak oligarkë rusë. “Tek të gjitha konfiskimet që do shkojnë në fund fare në favor të rindërtimit të Ukrainës, duhet të ekzistojë një referencë e qartë me shtetin rus dhe sulmin rus. Vlerat e pasurisë së Bankës Qendrore ruse nuk vihen në pyetje për këtë çështje, vlerat e pasurive të personave të veçantë duhen vendosur në nivel më të lartë.”/DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *