Art & Kulturë

Si mund të ndihmojnë teknologjia dhe hartëzimi nga poshtë-lart për të rimarrë hapësirën publike në kryeqytetin më të ri të Evropës?

E ndodhur në zemër të Prishtinës, ndërtesa e dikurshme e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” ishte në gjendje të mjerueshme në majin e kaluar. Atëkohë, ky monument 90-vjeçar i trashëgimisë kulturore tashmë kishte qenë i liruar për disa vjet. Makinat e parkuara ilegalisht bllokonin portën dhe oborri ishte plot barëra të egra. Përkundër gjendjes së shkretë, biblioteka ka potenciale të shumta për të qenë kthesë në “betejën e vazhdueshme për hapësirën publike”. Ajo mund të jetë vendimtare për të ardhmen e kryeqytetit të Kosovës

Në vitin 2022 Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të 14-të të Bienales Nomade Evropiane “Manifesta”, e cila ka për synim gjetjen e strategjive të reja për të fuqizuar qytetarët në mënyrë që ata t’i rimarrin hapësirat publike. Për të nisur hulumtimin e kësaj pyetjeje, “Manifesta 14” ka ngarkuar firmën “Carlo Ratti Associati” (CRA) për të kryer një studim të qytetit dhe për të sugjeruar intervenime të mundshme. Studimi i CRA-së ka nënvizuar që shumë nga elementet thelbësore të hapësirës publike në qytete të tjera, sikur korsitë e biçikletave dhe stolat e parqeve, mungojnë në Prishtinë. Për më shumë, shpërthimi i patundshmërive në periudhën e pasluftës ka krijuar pengesa të mëtutjeshme për përmirësime të ardhme; për shembull, rregullimi joefikas ka bërë që makinat e parkuara të bllokojnë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike.

Çelësi për të përmirësuar këtë situatë është në xhepin e qytetarëve të Prishtinës. Në intervistat preliminare, studiuesit kanë dëgjuar vazhdimisht që njerëzit duan ndryshim, por ndihen të pafuqishëm për ta sjellë atë në jetë. Në mënyrë që banorëve t’u jepet mundësia për t’iu bashkuar betejës për hapësirën publike, CRA dhe “Manifesta 14” po përdorin një metodologji eksperimentale që quhet “urbanizëm me burim të hapur”. Ky proces synon të transformojë ndërtimin e qyteteve nga diçka tradicionalisht të ngurtë dhe hierarkike në një proces pjesëmarrës.

Lexo më shumë  Simfonia e nëntë e Bethovenit shfaqet për publikun

Urbanizmi me burim të hapur ngërthen tre hapa: hartëzimi i qytetit, zbatimi i intervenimeve të përkohshme urbane dhe kërkimi i komenteve të qytetarëve përmes metodave sikur intervistat, takimet publike dhe platformat online. Intervenimet fillestare janë jo të kushtueshme dhe të përkohshme dhe mund të ndërpriten, përmirësohen ose të bëhen të përhershme varësisht nga komentet.

Për hapin e parë të hartëzimit të terrenit, anëtarë të Universitetit të Prishtinës do të bredhin nëpër rrugët e Prishtinës me kamera “GoPro” dhe do t’i dërgojnë imazhet në “Senseable City Lab” të MIT-së, e cila do t’i analizojë ato me inteligjencë artificiale. Algoritmet e reja mund të hartëzojnë koncepte komplekse, për shembull sa “tërheqëse” mund të duket një zonë për këmbësorët. A janë trotuaret e dëmtuara? A ka drurë përreth? A duken ndërtesat të njohshme apo madje të tilla që të ngelin në kujtesë? Këto “harta perceptive” janë brezi i ri i hartografisë, duke hartëzuar jetën përmes syve të njerëzve.

Paralelisht me hartëzimin e teknologjisë së lartë, “Manifesta 14” ka bërë intervenimet e para me një nga veglat më të thjeshta: bojën. Brenda një dite, studentë të Universitetit të Prishtinës kanë paramenduar hapësira të reja publike te Fabrika e Tullave dhe te biblioteka “Hivzi Sylejmani”. Në pjesën e parme të bibliotekës, studentët kanë përdorur bojën e verdhë dhe orendi të jashtme për të penguar ndërhyrjen e makinave, duke e shndërruar hapësirën nga një parking në një “dhomë urbane të ndejës”.

Lexo më shumë  Simfonia e nëntë e Bethovenit shfaqet për publikun

Tash do të vazhdojnë faza të tjera përsëritëse ku qytetarët do të mund të peshojnë humbjen e hapësirave e përshtatshme të parkimit ndaj potencialit për hapësira të reja publike. Banorët e intervistuar kanë kujtuar me ëndje gjallërinë e dikurshme të këtij vendi; para vërshimit të makinave, fëmijët e lagjes luanin basketboll këtu. Ata lëvduan mënyrën se si intervenimi ka rikthyer hapësirën në dalje të bibliotekës dhe kanë shikuar përmes portës. Ajo është akoma e mbyllur, por jo përgjithmonë. Qyteti ka dhënë ndërtesën për “Manifesta 14”, organizatorët e së cilës po shqyrtojnë se si ta shndërrojnë në një hapësirë ndërdisiplinare për prodhim artistik.

Një banor ka thënë “kemi mundur të jetojmë dhe të luajmë… para se të kishte makina këtu. Besoj se tash mund ta bëjmë po të njëjtën gjë”. Aftësia e tij për ta kujtuar të kaluarën dhe për të parafytyruar të ardhmen është shpresa më e madhe e qytetit. Me teknologji dhe metodologji të reja, banorët e Prishtinës jo vetëm që mund të ngadhënjejnë në këtë betejë, por edhe në epokën që po vjen./kohanet/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *