Opinion/Aktualitet

Si i shërbeu media e pushtetit përpjekjes për ta shuar protestën e “shokëve” të Klodian Rashës

Sot bëhet një vit nga dita kur efektivi i Policisë së Shtetit qëlloi mbi të riun Klodian Rasha duke e lënë atë të vdekur. Ditët në vijim ishin me tensione, qyteti i Tiranës u mbush me të rinj të revoltuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre nga shteti; ata protestuan dhe u përplasën me policinë për disa ditë radhazi.

Kjo shënoi një mosbindje civile të padrejtuar nga ndonjë parti politike, por e drejtuar vetëm nga indinjata e të rinjve që u identifikuan plotësisht me Klodian Rashën. Ato ditë të gjithë protestuesit ndiheshin a thua sikur Klodiani të kish qenë shoku i tyre.

Vrasja e Rashës u bë në datën 8 dhjetor dhe Policia e Shtetit nuk hezitoi aspak që menjëherë të hidhte dyshime serioze se Klodian Rasha kishte qenë i armatosur, gjë që kishte sjellë pasiguri te efektivët e policisë dhe më pas të shtëna në drejtim të tij prej policit Nevaldo Hajdaraj.

Në një njoftim të dytë Policia e Shtetit lajmëroi se pranë ngjarjes, rreth 100 metra larg, kishin gjetur pistoletën që dyshohej se i përkiste të ndjerit Rasha.

Këto dy njoftime për të hedhur dyshime se i ndjeri ka qenë i armatosur nuk kishin ndonjë bazë hetimore. Sipas hetimeve u konstatua se arma ishte gjendur shumë larg dhe poashtu, aty nuk kishte shenja gishtash sepse arma ishte gjetur brenda një pellgu të vogël me ujë.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Aludimet për armëmbajtje, të fryra ato ditë edhe nga mediat e pushtetit nuk i shërbyen të vërtetës, por vetëm fshehjes së saj, i shërbyen përpjekjes për të shuar protestën e të rinjve të revoltuar nga vrasja.

Disa media po përpiqeshin ta çanin opinionin publik në dysh dhe ta dobësonin njërin prej tyre, njëri krah që mendonte se protesta ishte e drejtë, se pas kësaj vrasjese shtetërore Tiranës duhej “t’i dilte tymi”, dhe krahu tjetër që mendonin se kjo është e tepruar, marrë parasysh edhe që polici kishte qenë i detyruar të qëllonte sepse viktima kishte qenë i armatosur.

Thënë shkurt, deklarimet e shpejta, me gjasë të porositura, të Policisë së Shtetit nuk donin të informonin, por donin të zbehnin legjitimitetin e protestës duke e inkriminuar të riun e vrarë. Pa e thënë shprehimisht, Policia e Shtetit dhe media e pushtetit po i drejtoheshin opinionit publik duke i thënë se patjetër që është gabim të vrasësh një qytetar, por ama edhe ky qytetari nuk ishte engjëll…e engjëj nuk janë as protestuesit e dhunshëm, të ngjajshmit e Klodianit.

Më pas në një njoftim të tretë Shërbimi për Çështje të Brendshme njoftoi se mënyra se si kishte vepruar njësiti policor dhe polici Hajdaraj ishte jashtë çdo procedure standarde të përdorimit të armës së zjarrit, duke i tejkaluar kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Ditët në vazhdim, mbasi ishte mbyllur protesta të gjithë e morëm vesh të vërtetën, Klodian Rasha nuk ishte i armatosur dhe vrasja e tij ishte banditeske. Këtë e pamë më vonë edhe në pamjet filmike që paraqisnin momentin kritik.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit asaj kohe,Ardi Veliu, i cili sot është zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës nuk bëri kurrë një kërkim-falje publike për këtë shpifje të ndyrë, e poashtu as shefi i tij i vërtetë, kryeministri Rama.

Kjo ishte e pritshme. Sepse pikërisht këta të dy drejtuan këtë skenar të inkriminimit të viktimës së shkaktuar prej tyre. Pasi e vranë Klodianin ata e inkriminuan përkohësisht atë për të prodhuar diversion te protestuesit. E kur protesta u shua organet përkatëse ishin krejt të lira ta thonin të vërtetën, që viktima ishte i paarmatosur dhe ishte vrarë pa ndonjë motiv të lidhur me atë fakt të stisur.

Sot, në 1-vjetorin e vrasjes së Klodianit babai i tij del me të drejtë në publik duke thënë se sa i rëndë kishte qenë për të ky inskenim prej strukturave të shtetit, i ndjekur më pas nga disa media dhe analistë të pushtetit.

Këta njerëz që kanë degjeneruar jetët e shqiptarëve nuk e kanë pasur ndonjëherë problem që viktimave të shkaktuar prej tyre tu instalojnë përbuzje dhe shfrytëzim edhe në vdekje.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *