Lajme

Si i devijoi SPAK shkeljet tek inceneratori i Tiranës

Urdhër-arrestet që publikoi SPAK për aferën e inceneratorëve u shoqëruan me deklarata zhgënjimi për hetimet që konkludojnë me “peshq të vegjël”, ndërsa përfituesit realë të skemës ia hedhin pa u lagur. Në pranga ranë ata që qëndrojnë në fund të piramidës korruptive  dhe që kanë firmosur në këmbim të copës së vogël të tortës.

Më i njohuri në listën e të arrestuarve është Arben Dervishaj, një zyrtar i FSHF, që pasi hidhte firmën mbi dokumentat e falsifikuara merrte para për të parë ndeshjet e futbollit jashtë, sipas njoftimit të SPAK.

Në rolin e mbikqyrësit, Dervishaj firmoste për kryerjen e punimeve, edhe pse punime në realitet nuk kishte. Për këtë shpërblehej nga Klodian Zoto me udhëtime jashtë vendit për të parë futboll.

Të arrestuarit e tjerë janë përfaqësues të kompanive që firmosnin fatura fiktive, me të cilat Klodian Zoto justifikohej para shtetit. Paratë në realitet shkonin në xhepat e Zotos dhe bashkëpuntorëve të tij.

Shpallja në kërkim e administratorëve nga SPAK

Por për herë të parë, SPAK guxoi të prekë drejtuesit e inceneratorit të Tiranës, projekti që ende vazhdon të gllabërojë 29 euro për një ton mbetje që vijnë nga Tirana dhe qytetet përreth, pavarësisht se aty nuk kryhet djegie e mbeturinave dhe as prodhim energjie.

SPAK shpalli në kërkim dy ish-administratorët e inceneratorit të Tiranës, Giussepe Ciaffaglione dhe Arjola Kodra. Por për çfarë i akuzojnë?

SPAK thotë se këta i dhanë rrogë Edmond Bllakos, babait të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllakos, që në fakt ishte ryshfet.

Lexo më shumë  Kurti merr pjesë në panairin e bizneseve Hannover Messe, takon sipërmarrës të kompanive të ndryshme

Meqënëse Edmond Bllako ishte punësuar si inxhinier dhe paguhej fiktivisht në inceneratorin e Tiranës, prokurorët bëjnë përgjegjës për këtë ish-administratorët Ciaffaglione dhe Kodra. Dëmi është 140 milion lekë të vjetra, sa rroga e Edmond Bllakos.

Këtu qëndron edhe zhgënjimi për hetimet e SPAK.

Sepse inceneratori i Tiranës është një vrimë e zezë e parave të publike, e pamundur të justifikohet. Në dëshminë që dha në komisionin hetimor para se të arratisej, Arjola Kodra pranoi se pagesa 29 euro për inceneratorin nisi në dhjetor të vitit 2017.

Leja paraprake e Bashkisë së Tiranës

Sipas Arjola Kodrës, mjaftoi një leje paraprake për fillimin e punimeve të gjelbërimit në Sharrë, të lëshuar nga Bashkia e Tiranës dhe menjëherë nisi pagesa nga buxheti i shtetit.

Që atëherë pagesa vazhdon 29 euro për ton, pavarësisht se aty nuk bëhet djegia e mbetjeve dhe megjithëse nuk prodhohet energji.

“Nga momenti i marrjes në dorëzim nëpërmjet procesverbalit të bashkisë kemi filluar menjëherë rehabilitimin e zonës, venien në siguri të venddepozitimit dhe të gjitha. Kemi pasur një deklaratë paraprake nga Bashkia. Është marrë në vitin 2017, diku nga dhjetori. Është nxjerrë nga Bashkia Tiranë” deklaroi Arjola Kodra në Komisionin Hetimor.

Leja e ndërtimit për inceneratorin u zbardh nga Bashkia e Tiranës 3 vite më pas, në vitin 2020.

Por për kompaninë koncensionare kjo nuk kishte asnjë rëndësi. Sepse paratë nga buxheti i shtetit vinin njësoj, 29 euro për një ton mbetje.

Lexo më shumë  “Shko te shokët”, Veliaj nxjerr punëtorët e bashkisë të fshijnë parrullat nëpër mure (FOTO)

Kjo procedurë nuk është pjesë e hetimit të SPAK, sepse në këtë rast do të prekeshin zyrtarët përgjegjës në bashki dhe qeveri.

Fillimi i punës së inceneratorit të Tiranës përmban edhe një shkelje tjetër të kapur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Firma e Veliajt në tejkalim të kompetencave

Për të nisur sa më shpejt dhënien e parave, Erion Veliaj firmosi dokumentin që i hapi rrugë ngritjes së inceneratorit, duke anashkaluar Këshillin bashkiak.

Dokumenti i firmosur nga Erjon Veliaj per inceneratoret

Në dokumentin më lart duket qartë se Erion Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke marrë edhe ato të Këshillit bashkiak. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Veliaj nuk e ka tagrin për ta miratuar projektin për inceneratorin, pasi ai vetëm e propozon buxhetin e bashkisë, që duhej miratuar nga Këshilli Bashkiak.

“Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill” theksonte KLSH.

Dokumenti më lart është edhe në SPAK, por hetimet në këto nivele do të ishin një patate tepër e nxehtë. Prandaj goditja ka ardhur duke anashkaluar abuzimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, por pa ka rënë pa mëshirë mbi “firmëtarët” e Klodian Zotos.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *