Lajme

Si e dezinformojnë mediat e Vuçiqit opinionin publik në lidhje me Kosovën

“Filloi kaosi për shkak të Kurtit! Po mbyllen bankat serbe në Kosovë e Metohi: Qytetarët njoftohen me SMS!”; “BANKA SERBE PO MBYLLET PËR KOSOVË Kaosi ka filluar, dhe fajtori është Albin Kurti”! Këto janë titujt e portaleve serbe të ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, “Informer” dhe “Alo” që u shfaqën më 31 janar. Në kohën e tensioneve të shtuara dhe një sërë paqartësish lidhur me dekretimin e Bankës Qendrore të Kosovës për euron si valutë të vetme në Kosovë, titujt e përmendur mund të kontribuojnë vetëm në dezinformim dhe kaos mediatik. Ja edhe arsyeja.

Të dy portalet serbe në shërbim të regjimit të Vuçiqit, pas titujve tronditës, e informojnë opinionin për mbylljen e degëve të Bankës Komerciale të Beogradit në Kosovë – banka përmes të cilave qytetarët merrnin të ardhura dhe përfitime nga sistemi i Republikës së Serbisë në dinarë.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton publikun se vullnetarisht ka pushuar aktiviteti bankar i Bankës Komerciale SHA Beograd – Dega në Mitrovicë”, thuhet në komunikatën e BQK-së, transmeton Paparaci.

Ata saktësojnë se banka në Kosovë ka funksionuar nën licencën e Bankës Qendrore të Kosovës, pra sipas kornizës ligjore të Kosovës.

Lexo më shumë  Kurti: Jemi të hapur të adresojmë shqetësimet e mediave

“Banka Komerciale SHA Beograd, Dega në Mitrovicë është licencuar nga BQK-ja për operim në vitin 2007 dhe me degën në Mitrovicë kanë punuar edhe tetë degë në territorin e Kosovës”- saktësojnë nga BQK-ja.

Shtrohet pyetja pse u mbyll Banka Komerciale e Beogradit.

Banka Komerciale në Kosovë është blerë nga banka sllovene NLB, e cila tashmë ka degë në të gjithë Kosovën, si dhe në disa zona ku serbët janë shumicë.

Banka Komerciale ka njoftuar qytetarët për mbylljen e degëve në fund të dhjetorit, por pa sqaruar për opinionin e gjerë se pse ka ndodhur kjo, përcjell Paparaci.

Ndonëse mbyllja e kësaj banke shihet si pasojë e dekretit të Bankës Qendrore të Kosovës, ky vendim nuk lidhet drejtpërdrejt me dekretin, sepse Banka Komerciale operonte me licencë të BQK-së, e cila është edhe një nga obligimet e parapara me dekret.

Se si është ndërprerë funksionimi i Bankës Komerciale në Kosovë, është saktësuar edhe në njoftimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Lexo më shumë  Kurti: Qeveria, e gatshme t’i adresojë shqetësimet e mediave

“Ky veprim është rezultat i dialogut mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, i cili rezultoi me Planin e Likuidimit Vullnetar. Pas rishikimit, ky Plan është miratuar nga BQK-ja më 6 tetor 2023, për t’u përmbyllur me vendimin e datës 9 janar 2024 për mbylljen e filialeve dhe të gjitha degëve në Republikën e Kosovës, në fuqi nga 31 janari 2024.

Çfarë është likuidimi vullnetar?

Likuidimi vullnetar i një banke do të thotë që banka, për arsyet e veta ose në përputhje me vendimet e brendshme, vendos të ndërpresë veprimtarinë dhe të likuidojë aktivitetet e saj. Ky proces përfshin marrjen e disa hapave të bankës për t’u mbyllur, për të përmbushur detyrimet e saj ndaj klientëve dhe kreditorëve të tjerë dhe më pas për të shpërndarë asetet e mbetura. Një vendim për likuidim vullnetar mund të lindë për arsye të ndryshme, duke përfshirë vështirësi financiare, ndryshime në strategjinë e biznesit ose ndryshime strukturore brenda vetë bankës.

YouTube player