Shtrenjtimi i naftës, dorëzohet qeveria: Paguajeni, shteti nuk do të ndërhyjë
Qeveria dorëzohet përballë shtrenjtimit te karburanteve. Ministrja e Financave tha se nuk do te ndërmerret asnjë politike për të rimbursuar rritjen e çmimit. Ndërkohë ministri Ahmetaj vlerëson se ky çmim ka qenë deri në 2009 dhe diferencën sipas tij e bën taksa e qarkullimit qe është rritur me 20 lekë.
Teksa çmimi i naftës ka arritur çmimin rekord prej 195 lekë për litër, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paralajmëron qytetarët se nuk kanë parë asgjë akoma.
“Çmimet e bursë për naftën dhe nënproduktet kanë muaj që janë në rritje. Nëse shohim kurbën e naftës ka që në vitin 2020 ka filluar një rritje që do të vazhdojë edhe për 6 muaj të tjerë.”
Gjatë kësaj kohe, qeveria e Edi Ramës vetëm do të monitorojë dhe studioje tregun, por nuk do të ndërhyjë.
“Ne këto 6 muaj do të shohim dhe monitorojmë tregun se si do të eci rritja e çmimit të naftës, për të rimbursuar çmimin e naftës.”
Kryeministri siç e ka bërë traditë për çështje të mëdha sqarimet i jep vetëm në rrjetet sociale.
Kritikave të qytetarëve, kreu i qeverisë i përgjigjet duke treguar çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa premtoi se do të ketë sërish rritje të rrogave.
Ndërkohë, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ky çmim ka qenë deri në vitin 2009. Rritja sipas tij ka të bëjë me ekonominë e tregut.
“Sa është sot çmimi i naftës, sot është mes 190-194 lekë. Ky çmim ka qenë në vitin 2009. Është hequr ngarkesa nga taksa e makinave dhe ka kaluar te çmimi i naftës.”
Shtrenjtimi i karburantit do të jetë kosto e shtuar e portofolit të qytetarëve, të cilët muajt e fundit po përballen me çmime të larta të produkteve bazë.