Lajme

“Shteti kapitulloi dhe kërkoi ndërhyrje emergjente”/ Zyrtarja zbulon të vërtetën e “mbrojtjes” së xhubletës nga UNESCO

Më 29 nëntor, Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, nga Maroku ndau “lajmin e mrekullueshëm” se “Xhubleta është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale botërore nën mbrojtjen e UNESCO- s”. Sipas anëtares së kabinetit “Rama”, veshja tradicionale e grave të Malësisë, më shumë se 4 mijë vite e lashtë tashmë është pjesë e pasurisë së gjithë njerëzimit.

“Komiteti ndërqeveritar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale sapo miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO- s. Me një histori tejet të gjatë, kësaj copëze kaq të rëndësishme të mozaikut historik të kombit tonë dita- ditës po i kanosej zhdukja. Një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte dita-ditës të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjesht një relike e së shkuarës dhe me përfshirjen në këtë listë, ajo do të ketë mbështetjen jo vetëm të institucioneve tona, por tashmë edhe të atyre ndërkombëtare”- u shpreh ministrja vetëm një muaj më parë.

Por e vërteta është ndryshe. Një zyrtare e trashëgimisë kulturore në ministrinë e drejtuar nga Margariti deklaroi në kushte anonimati se lajmi nuk  është se “xhubleta mbrohet nga UNESCO, por se shteti shqiptar i ka kërkuar UNESCO-s që ta fusë në listën e objekteve jo materiale për ndërhyrje emergjente”.

Sipas zyrtares futja në listë siguron që shteti ka kapitulluar dhe nuk e mbron dot, ndaj i kërkohet UNESCO-s që të sigurojë fonde që ajo të restaurohet dhe ruhet, siç duket edhe në njoftimin e mëposhtëm të agjencisë së OKB-së.

Lexo më shumë  Nënshkruhet marrëveshja për energji më të pastër me MCA-Kosova

Çfarë është xhubleta 

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Xhubleta konsiderohet si elementi identitar i grave malësore në Shqipërinë e Veriut. Për shkak të morfologjisë dhe semiotikës së veçantë të xhubletës, mjeshtëria e saj vlerësohet shumë.  

Ajo përfshin aftësi specifike në përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike si dhe montimin e të gjithë elementëve që përbëjnë xhubletën. Në ditët e sotme xhubleta është kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe të qëndisura.

Xhubleta veshje që vishet nga gratë dhe vajzat, me dallim të dukshëm mes tyre, përmes të cilës është kuptuar edhe statusi social i femrës. Vajzat vishen me një rrobë të trashë, të ngrirë prej leshi të bardhë, me shirita horizontalë me ngjyrë të zezë. Gratë e martuara mbajnë veshur një fund në trajtë këmbane, që vjen shumë i valëvitur në fundin e pjesës së prapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur nga breza spiku, një lloj fije e bërë nga gjashtëmbëdhjetë fije leshi të veçanta. Xhubleta mbahet e varur në supe nga dy rripa të gjerë, Elementi kryesor i veshjes me xhubletë ishte shajaku.

Dimensioni semiotik i xhubletës është trashëguar dhe sot reflektohet në përdorimin e veshjes në ngjarje të rëndësishme të jetës si martesa, festat (veçanërisht Logu i Bjeshkëve, një ngjarje shoqërore e parashikuar si një platformë takimi dhe e rigjallëruar në vitet 1990) dhe ritualet e vdekjes.

Në të kaluarën, njohuritë dhe aftësitë e bërjes dhe veshjes së xhubletës transmetoheshin me demonstrim brenda familjes pasi vajzat kishin për qëllim përgatitjen e pajës së tyre. Sot, pak gra posedojnë njohuri për të gjithë procesin, dhe transmetimi i bazuar në familje është i rrallë. Gjithashtu, mungesa e leshit organik të përshtatshëm për prodhimin e shajakut ka bërë që të përdoren lloje të reja leshi. Megjithatë, ky përshtatje mundësoi trashëgiminë e mjeshtërisë së xhubletës, duke dhënë një ndjenjë vazhdimësie pa ndryshuar kuptimin e saj për komunitetin.

Prodhimi i xhubletës kalon në këto procese: Qethja e bagëtive, shprishja e leshit me gërhanë, tjerrja me furkë, ngjyrosja e fijes së leshit, endja me kosh e spikut, punimi në vegë/tezgjah  elementeve të caktuar, qepja e elementëve me fije leshi dhe me fill metalik. ndërtimi i stolive me serm dhe ar, qëndisja e elementeve pagane dhe qëndisja e elementeve dekorative.

Kur vajzat martoheshin merrnin me vete deri në pesë xhubleta të cilat renditeshin në :

“Më e mira”, e cila mbahej deri në pesë vjet.

“E mira”, kishte shumë pak ndryshim me të parën.

“Mbas të mirës” shumicën e ivave e kishte pa zbukurime.

“Para së keqes” dhe “E keqja,” përdoreshin në punët e përditshme dhe ishin pa zbukurime.

Pjesët përbërëse të veshjes me xhubletë: Xhubleta e cila vjen me një fund të gjerë dhe të valëzuar, kraholi, mëngëza, grykëza, kërdhokla, postava, pështjellaku çorape prej leshi “kallcet”, jeleku, shamia apo ruba e kokës, shamitë e mesit, kapica, stolitë dhe zbukurimet prej sermi.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *