Opinion/Aktualitet

“Shtëpia e Xhafer Devës”, rrënimi nuk është zgjidhje

Shkruan Enver Robelli

Për 92 vjet ekzistencë shtëpia e Xhafer Devës më së paku ka qenë e tij. Për arsye të njohura. Pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia ka qenë ambulancë dhe strehimore për familjet e pastreha. Mendoj se institucionet e Kosovës kanë bërë gabim kur e kanë reduktuar atë në “Shtëpia e Xhafer Devës”. Ministri i Kulturës i Kosovës sot shkroi se “nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht”. Ky është një hap i duhur në drejtim të duhur.

Rrënimi i ndërtesës nuk është zgjidhje, sepse po të bëhej kjo, atëherë duhet rrënuar gjysmën e Berlinit, të Romës dhe të Tiranës për shkak se aty kanë lënë gjurmë arkitektët nazistë apo fashistë. Në Tiranë nuk e kanë rrëzuar ende shtëpinë e Enver Hoxhës. Aty madje shkon gati komplet qeveria e Shqipërisë për të marrë pjesë në aktivitete kulturore. Gjatë sundimit të Enver Hoxhës janë vrarë së paku 6 mijë shqiptarë. Pa i përmendur viktimat e tjera (të burgosur, të damkosur, të keqtrajtuar, të terrorizuar). Kur flasim për historinë, duhet të flasim për të gjithë. Fakti që komunistët paskan qenë të rreshtuar në anën e drejtë të historisë deri më 1945, nuk i bënë ata më të mirë moralisht, sepse pas 1945 shumë prej tyre kanë kryer krime që janë të matshme me ato të nazizmit.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Reagimi i ambasadorit gjerman në Prishtinë ka mundur të jetë më i moderuar. Nuk mund të akuzosh njëherë autoritetet për falsifikim të historisë, e pastaj të thuash se ambasada gjermane ofron ndihmë për kulturën e memorizimit në Kosovë. E kundërta është dashur të ndodhë, sepse lajmi se po restaurohet kjo shtëpi ka qenë në media ngaherë.

Në Austri restaurohet shtëpia e lindjes së Adolf Hitlerit dhe askush nuk e akuzon Austrinë për revizionizëm historik. Sa i përket shtëpisë në Mitrovicë: në kuadër të restaurimit mund të vendoset një pllakë që përkujton se pronari i hershëm i saj ka qenë bashkëpunëtor i nazizmit. Mund të ketë brenda ndërtesës edhe informacione të tjera mbi pronarin dhe kontekstin historik.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Në lidhje me reagimet e Serbisë: ato janë të pritshme dhe në funksion të propagandës tradicionale. Pse autoritetet e Beogradit nuk e kanë rrënuar këtë shtëpi gjatë kohës sa kanë sunduar në Kosovë? Vetëm kjo pyetje e demaskon dyfytyrësinë e propagandës zyrtare dhe paramediale serbe. Në përgjithësi mund të thuhet se do të ishte për t’u përshëndetur nëse diplomatët gjermanë do të ishin po aq vigjilentë në dënimin e rehabilitimit të çetnikut Drazha Mihajlloviq në Serbi apo në dënimin e glorifikimit të përditshëm të kriminelëve të luftës në Serbi.

Sa i përket Kosovës: polemika aktuale mund të shërbejë për një debat më serioz mbi trajtimin e figurave që kanë luajtur role të ndryshme gjatë historisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *